Nga pesë persona që kërkojnë azil politik në shtetet evropiane, treve prej tyre iu pranohet kërkesa. Janë këto shifrat e vitit 2016, viti i tretë rresht që qeveritë e vendeve të kontinentit të vjetër pranojnë me tepër kërkesa sesa refuzojnë.
Megjithatë, shumica e shteteve europiane zbatojnë politika të ndryshme për çdo vend origjine të azilkërkuesve. Kështu, në mesataren europiane, 98% të azilkërkuesve nga Siria u pranohet kërkesa për azil. Kjo përqindje është e lartë edhe për emigrantët nga vende si: Iraku (62,6%), Arabia Saudite (69,6%), Libia (50,2%), Irani (52,7%) dhe vende kryesisht në konflikte të armatosura apo në kriza politike.
Për azilkërkuesit nga vendet e Ballkani Perëndimor, përqindja e pranimit është shumë më e ulët. Kështu, për vitin 2016 vetëm 3,2% e kërkesa të emigrantëve shqiptarë për azil janë pranuar. Kosova ka mesataren më të lartë të rajonit me 5,5%, ndërsa, e ndjekin Bosnja Hercegovina me 4,3% dhe Serbia me 2%.
Në total janë 1375 kërkesa të pranuara për azilkërkuesit shqiptarë nga 43,265 kërkesa gjithsej. Kurse për azilkërkuesit nga Kosova janë 1300 kërkesa të pranuara për 23,595 aplikime.
Vende si Gjermania që ka shpallur BP si vende të sigurta origjine, janë dhe ato ku pranohen më pak kërkesa për azil, 0,5% për azilkërkuesit nga Shqipëria dhe nën 0,9 për qind për pjesën tjetër të BP.
Vendet më të rëndësishme, me përqindjen më të lartë të pranimit të kërkesave të azilkërkuesve shqiptarë, janë si më poshtë:
Italia | 44,4% | 100 nga 225 kërkesa |
Britania e Madhe | 21,6% | 235 nga 1090 kërkesa |
Franca | 14,1% | 750 nga 5330 kërkesa |
Belgjika | 8,6% | 65 nga 760 kërkesa |
Ndërkohë, vendet me një standard më të lartë jetese, si: Finlanda, Danimarka, Suedia, Holanda, Lihtenshtejni dhe Luksemburgu kanë përqindjen më të ulët të pranimit të kërkesave. Në këto vende shumë pak ose aspak kërkesa janë pranuar për shtetasit shqiptarë.