Nga Natalie Nougayrede “The Guardian”/ Rreziku më i madh, me të cilin përballet Evropa, nuk është aq shumë Brexit. Dhe as “vala populiste” që ka përfshirë të gjithë kontinentin. Evropianët duket se po e humbin “oreksin”, për t’u përpjekur të kuptojnë njëri-tjetrin përtej kufijve kombëtarë dhe kulturorë.
Shpërfillja apo madje edhe ngacmimi i fqinjit, është shndërruar në një normë. Ndërsa vendet po mbyllen gjithnjë e më shumë në vetvete. Javët e fundit, kam udhëtuar në një numër kryeqytetesh evropiane. Ajo që kam parë, është një fragmentim i mendjeve. Ndonëse shumë tema bashkëkohore, nga globalizimi tek emigracioni, janë një shqetësimi i përbashkët i të gjithë evropianëve.
Ka një patos të veçantë ndaj kësaj, në kuadër të 100 vjetorit të armëpushimit të vitit 1918. Me zgjedhjet e rëndësishme të Parlamentit Evropian, që janë vetëm 7 muaj larg, ndarjet psikologjike në të gjithë kontinentin, duket të jenë duke u thelluar dhe jo duke u zvogëluar. Dhe kjo nuk ka lidhje vetëm me tensionet mes qeverive populiste dhe jo-populiste.
Ne e dimë, se ka dy kampe të vendosura kundër njëri-tjetrit. Në njërën anë, “demokratët jo-liberalë” të Hungarisë së Viktor Orbanit, lidershipit nacionalist polak, i forti i të djathtës ekstreme në Italisë, Mateo Salvini. Nga ana tjetër, Emanuel Makron i Francës, Angela Merkel
e Gjermanisë dhe kryeministri i Holandës Mark Rute.
Kjo do të përcaktojë përplasjen elektorale të 2019-ës. Më pak e eksploruar, është se mënyra se si në nivelin bazë, perceptimet e njerëzve janë larguar nga “demosi” evropian, apo sfera e ëndërruar nga themeluesit e BE-së. Natyrisht, të gjitha politikat janë pashmangshmisht lokale.
Dhe paqëndrueshmëria e politikës kombëtare anembanë kontinentit, do të thotë se është mjaft e vështirë të ruash fillin e asaj që po ndodh në vendin tënd. Lëre më pastaj të përpiqesh të rrokësh kompleksitetin e asaj, që po ndodh diku tjetër. Ka kaq shumë lajme që mund të konsumojnë njerëzit, dhe ajo që ofrohet shpesh do t’i përshkruajë ngjarjet përmes një prizmi kombëtar. Mediat sociale, kanë potencialin të lidhin njerëzit nga shumë larg. Por deri tani, kemi parë dëshmi të mjaftueshme, se algoritmet favorizojnë me tepër konfirmimin e paragjykimeve, sesa hapjen e mendjeve ndaj nismave të ndryshme.
Në lëmshin evropian të kulturave politike të ndara, dhe kujtimeve të veçanta kombëtare, ky sfond teknologjik ka një efekt edhe më polarizues, sesa për shembull në SHBA. Është e vërtetë, siç mund ta dinë ata që udhëtojnë nga Talini në Berlin, se pengesat gjuhësore nuk janë ajo që kanë qenë.
Përhapja e gjuhës angleze i ka dhënë Evropës një gjuhë ndërkombëtare, veçanërisht midis gjeneratave më të reja. Tregu i përbashkët, lëvizja e lirë dhe programi i studentëve Erasmus, kanë ndihmuar miliona njerëz të bëhen më të vetëdijshëm për të tjerët në të gjithë kufijtë kulturorë. Por këto prirje, rrezikojnë të tejkalohen nga narrativat politike, që synojnë t’i ndajnë qytetarët
në mentalitete gjithnjë e më të ndara kombëtare.
Disa javë më parë, gjatë një debati mbi Evropën në Teartrin Kombëtar në Vjenë, unë thashë se lidhja e Ministres së Jashtme austriak, Karin Kneisel, me Partinë e Lirisë të ekstremit të djathtë mishëron saktësisht rrezikun me të cilin përballet Evropa:Mesazhet e veçanta dhe rreziku i rrëshqitjes së demokratike, që ndodh kur partitë nacionaliste ksenofobe ngjitën në pushtet.
E gjendur në panel, Kneisel u përgjigj duke kritikuar Francën për dështimin e saj, për të marrë përsipër barrën e saj në samitet BE-së. Me fjalë të tjera, duke sulmuar vendin nga i cili vij, sesa duke iu përgjigjur çështjes në fjalë.
Natyrisht, politikanët që kanë lidhje me partitë nacionaliste, mund të përshkruajnë me lehtësi mendimin e një personi sipas origjinës apo pasaportës së tyre. Por, ishte e habitshme që një ministre e qeverisë, vendi i të cilës mban aktualisht presidencën e Këshillit Evropian, të synojë të zhvlerësojë pikëpamjen e dikujt, duke iu referuar identitetit ose vendit të lindjes së atij
personi.
Diçka që edhe më shqetësuese, po ndodh aktualisht në Itali. Udhëheqja atje, po e çon vendin në diçka të ngjashme me neofashizmin (zv/kryeministri i tij, Salvini, pëlqen të citojë Musolinin). Zhvillimet në Itali, shkaktojnë jo vetëm dhimbje koke për BE-në si një organizatë. Ato gjithashtu krijojnë terren, për rritjen e pakënaqësisë popullore ndaj evropianëve të tjerë.
Pasi erdhi në pushtet duke stigmatizuar emigrantët afrikanë dhe myslimanë, Lidhja e Salvinit u zhvendos në një objektiv tjetër:kundërshtimit francez dhe gjerman ndaj planeve buxhetore italiane. Urrejtjet historike, që mendohet të ishin harruar prej kohësh, janë duke ridalë në sipërfaqe.
Narrativa e Brexit, vështirë se është një shqetësim i përditshëm i evropianëve kontinentalë. Por ajo që vërehet, është se si një pjesë e diskutimeve në Britani, kanë filluar ta përshkruajnë frëngjishten si një gjuhë rivale të vjetër, që synon të shkaktojë sa më shumë dhimbje që të
jetë e mundur për britanikët, në negociatat e tyre me BE.
Ndërkohë në Poloni, retorika anti-gjermane, është një tipar i rregullt i narrativës së partisë nacionaliste në pushtet. Së bashku me thirrjet e vazhdueshme për reparacionet gjermane të Luftës së Dytë Botërore. Të mendosh se asnjëra nga grindjet ndërqeveritare të Evropës, nuk ka rrënjë të thella në histori, është ndoshta naive.
Zemërata e popullarizuar, që ushqejnë tanimë populistët, duket se është duke u kanalizuar qëllimisht drejt një liste në rritje objektivash. Këto të fundit, zbusin rrugën për atë që mund
të përbëjë një “luftë civile” psikologjike evropiane. Shihni kronologjinë e viteve të fundit: populistët e parë goditën euron dhe politikat e lidhura me të; pastaj erdhi goditja e emigrantëve (kriza e refugjatëve e vitit 2015, qe një ndihmë e madhe për ekstremistët).
Tani duket se kemi hyrë në një faze, ku evropianët inkurajohen të kthehen kundër njëri-tjetrit, në varësi të kombësisë së tyre. Partitë qeverisëse të së djathtës ekstreme në Italisë dhe Austri, mund të jenë në të njëjtën linjë për shumë çështje evropiane. Por kjo nuk i ka penguar të dyja vendet, që kohët e fundit të rindeznin një mosmarrëveshje të vjetër mbi rajonin e Tirolit të Jugut. Paradoksi, është se që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, evropianët janë përballur me një grup të tillë sfidash të përbashkëta:agresiviteti i Rusisë, silurimi i aleancave nga Trump, ndryshimet klimatike, emigracioni, globalizimi kaotik, ndikimi i revolucionit teknologjik.
Pesëqind milionë njerëz, që jetojnë brenda një blloku që shpalli në vitin 1991 “shtetësinë e BE-së”, nuk kanë ndarë kurrë një fat të tillë të përbashkët. Problemet shqyrtohen brenda kufijve kombëtarë, shumë më tepër sesa sipas mënyrave ndër-kulturore ose ndër-rajonale.
Shpresohet që zgjedhjet e vitit të ardhshëm të Parlamentit Evropian, të hapin një debat kontinental, por kjo mund të kërkojë shumë kohë. Një analizë e kohëve të fundit, e botuar nga think-tanku grupi me seli në Bruksel, Carnegie Europe, paralajmëron se përmes krijimit të një klimë frike, partitë populiste ushqejnë “ksenofobinë ndaj evropianëve të tjerë”, dhe jo vetëm ndaj njerëzve që vijnë nga larg.
Dhe nuk ekziston një gjë e tillë, si një organizatë e mediave publike e shërbimeve publike, e cila mund të ndihmojë në perceptimet një ure të përbashkët. Projekti evropian, u krijua jo vetëm për të siguruar paqen midis shteteve kombëtare. Por edhe për të vepruar si një kundërhelm ndaj armiqësisë midis popujve të saj, keqkuptimeve midis tyre, dhe padijes së plotë të asaj për të cilën fqinjët duhet të kujdesen dhe përse duhet ta bëjnë këtë.
Në librin e tij “Evropa:Një histori”, Norman Dejvis vuri në dukje se me transformimet e vitit 1989 (vitin tjetër do të jetë 30 vjetori), “kufijtë u hapën, dhe bashkë me to dhe mendjet”. Tani është koha të përpiqemi dhe garantojmë që mendjet të mos mbyllen sërish.
Përashtati për Tirana Today, Alket Goce