Mesfushori i Kombëtares shqiptare të futbollit, Ermir Lenjani do të jetë sërish pjesë e futbollit zviceran, konkretisht me skuadrën e Sionit. Mësohet se gjithcka është zyrtarizuar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Lenjani do të jetë lojtari më i ri që do t’i shtohet Tramexanit në stërvitje.
Bëhet e ditur se Lenjani ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare, me të drejtë rinovimi edhe për një sezon tjetër. Paga e shqiptarit do të jetë afro 350 mijë euro në sezon. Ermir Lenjani ka bindur Tramexanin që në ditët e para kur ka marrë drejtimin e Sionit.
Ish-zëvendëstrajneri i Kombëtares shqiptare e ka zbuluar mesfushorin për ta marrë në radhët e Shqipërisë disa vite më parë dhe tashmë, që do të jetë në krye të ekipit zviceran, e do shqiptarin si element të shtuar për të arritur objektivat. Lenjani ka mbyllur kontratën e tij me Renen në fund të sezonit që lamë pas, ku drejtuesit e skuadrës e kanë bllokuar atë për një vit, duke mos e lejuar të luante, por as të transferohej në një tjetër skuadër. Futbollisti kuqezi do të jetë një përforcim i shtuar për Tramexanin, duke qenë se është lojtar anësor që mund të bëjë edhe rolin e mbrojtësit të majtë, por edhe të mesfushorit.
Gjatë këtyre ditëve, pritet që klubi zviceran të bëjë edhe zyrtarizimin dhe prezantimin e tij si lojtarin më të ri. Sioni do të jetë skuadër që do të marrë pjesë edhe në Europa Ligë, ndaj edhe për vetë mesfushorin e Kombëtares do të jetë një mundësi e mirë për të treguar vlerat e tij si futbollist.
Duke qenë se Tramexani e njeh mirë futbollistin shqiptar dhe mënyrën e tij të lojës, pritet që Lenjani të ambientohet shpejt me skemat e trajnerit italian.