Nga Uri Friedman “The Atlantic”/ Kreu i Kombeve të Bashkuara, bëri një paralajmërim të zymtë, dhe siç po rezulton profetik, disa javë më parë. Ndërsa po zbehet roli i Shtetet e Bashkuara në skenën botërore, bota po zhytet në kaos. “Pandëshkueshmëria dhe paparashikueshmëria janë duke u bërë emri i ri i lojës”- më tha në një bisedë Antonio Guterres.
Në atë kohë, shefi i OKB-së kishte globin kaleidoskopik dhe katastrofik të luftës siriane. Tani kemi një tjetër rast të mprehtë:vdekjen e Xhamal Kashoxhit, të cilin qeveria e Arabisë Saudite e ka pranuar më në fund se e ka vrarë. Vrasja brutale e Kashoxhit, nga agjentët e shtetit saudit, dhe siç thuhet sipas urdhrave të zyrtarëve të lartë sauditë, është një provë se sa larg kemi shkuar në këtë epokë të pandëshkueshmërisë.
Në një botë ku shtetet më nacionaliste dhe narcisiste janë të mbyllura ndaj konkurrencës, dhe të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë të mallkuara, ka shumë gjasa që ata që janë përgjegjës për vdekjen e gazetarit t’i shpëtojnë pasojave të rënda – se Kashoxhi mund të jetë viktimë jo vetëm e ekzekutorit të tij, por edhe e një bote më të egër dhe gjakftohtë.
Ditët e fundit, ka pasur shumë diskutime nga zyrtarë amerikanë, evropianë, turq dhe sauditë për “llogaridhënien”, por deri më tani, ka relativisht pak llogaridhënie të atyre që e orkestruan vrasjen në konsullatën saudite në Stamboll në fillim të këtij muaji.
Në Shtetet e Bashkuara, administrata Trump ka njoftuar se do të heqë vizat për autorët, me ligjvënësit republikanë dhe demokratë, që po kërkojnë përveç kësaj sanksione të tjera më të ashpra. Është një përgjigje paraprake, që është më e ashpër sesa ndaj fuqive të tjera botërore si Kina dhe Rusia, dhe përafërsisht në një hap me veprimet aktuale të aleatëve evropianë të Uashingtonit.
Por presidenti, i cili kohët e fundit shpalli veten një “nacionalist” dhe jo një “globalist … që dëshiron që bota të ecë mirë”, ia ka kushtuar shumë nga komentet e tij publike këtij incidenti në kufijtë e ashpër të hakmarrjes amerikane. I pyetur se çfarë kostoje duhet të paguajnë sauditët, Donald Trump ka vënë në dukje se Kashoxhi, si një kontributor për gazetën “The Ëashington Post”, ishte me shumë një banor rezident në SHBA, se sa një qytetar amerikan, dhe se ai u zhduk në Turqi dhe jo në SHBA.
Trump gjithashtu ka folur me pasion kundër ndalimit të shitjes së miliarda dollarëve në armë ndaj Arabinë Saudite, pasi kështu rivalët si Kina, Rusia dhe Franca, rrezikojnë marrëveshjen dypalëshe, dhe pasurojnë ekonominë e tyre në kurriz të popullit amerikan.
“Është një treg tejet konkurrues”- shpjegoi presidenti këtë javë, disa ditë pasi njoftoi synimin
e tij për t’u tërhequr nga një traktat i kontrollit të armëve të Luftës së Ftohtë, pjesërisht për të parandaluar Kinën dhe Rusinë që të mos i bashkohen Shteteve të Bashkuara për armët bërthamore.
“E di që nga një këndvështrim i caktuar mund të thuash:”Epo, kjo ka rëndësi, pasi ajo që i ndodhi Kashoxhit është diçka e tmerrshme. Por ne do të dëmtonim realisht kompanitë dhe vendet tona të punës”. Dhe Trump ka sinjalizuar se aleanca SHBA-Arabia Saudite, duhet t’i mbijetojë kësaj ngjarje, edhe pse Kashoxhi nuk ia doli, pjesërisht për shkak se sauditët janë partnerë thelbësorë në sabotimin e programit bërthamor të Iranit, dhe të mbështetjes për grupet militante dhe zgjerimin e ndikimit në Lindjen e Mesme.
“Ju po e shihni se iranianët u kanë bërë njerëzve gjëra të tmerrshme. Dhe ky nuk është justifikim për atë që ka ndodhur me Arabinë Saudite”- theksoi ai, duke e përshkruar në mënyrë klinike vrasjen jashtëgjyqësore të një qenie njerëzore si “një koncept origjinal shumë të keq” që “ishte zbatuar”, dhe që u mbulua edhe më keq. “Është një pjesë e ndyrë e kësaj bote”- vuri në dukje presidenti.
Qeveria ruse, që dyshohet se ka helmuar një ish-spiun rus me një agjent nervor në Mbretërinë e Bashkuar më herët gjatë këtij viti, dhe qeveria kineze, e cila vetëm muajin e kaluar zhduku një drejtues kinez të organizatës ndërkombëtare të policisë, Interpol, e pa veten në një “terren”familjar me rastin Kashoxhi.
Moska dhe Pekini, kanë qëndruar kryesisht të heshtur në lidhje me incidentin, në një përpjekje të dukshme për të shmangur ndërprerjen e marrëdhënieve në lulëzim, me një aleat strategjik të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme. Mbreti Salman, u bë vitin e kaluar i pari monark saudit që vizitoi Rusinë, duke arritur disa marrëveshje me vlerë dhjetëra miliarda dollarë.
Këtë javë, Vladimir Putini dërgoi një delegacion në një konferencë investimi në Riad, që u bojkotua nga disa zyrtarë perëndimorë dhe drejtues korporatash, për shkak të vdekjes së Kashoxhit. (Sekretari amerikan i Thesarit, Stiven Mnukin u tërhoq nga konferenca, por sërish u takua me zyrtarë të lartë sauditë, për të diskutuar punën e tyre të përbashkët në kundërshtimin e Iranit dhe grupeve terroriste).
“Ne duhet të ndajmë tragjedinë e tmerrshme që përfshiu gazetarin nga reformat ekonomike premtuese të liderëve sauditë”- tha Kiril Dimitriev, kreu i Fondit Sovran në Rusi, teksa njoftoi se Arabia Saudite mund të investojë së shpejti 5 miliardë dollarë, në një projekt rus për nxjerrjen e gazit natyror në Arktik.
“Është e pamundur të injorohet ekonomia saudite”- shtoi Dimitriev. Kina, që gjithashtu dërgoi një delegacion në konferencë, dhe është partnerja më e madhe tregtare e Arabisë Saudite, deklaroi përmes një zëdhënësi të Ministrisë së Jashtme më shumë se një javë më parë, se ishte në dijeni të hetimeve për zhdukjen e Kashoxhit.
Pekini nuk duket se ka lëshuar që nga ajo kohë ndonjë deklaratë tjetër. Udhëheqësit në Turqi dhe në Evropë, kanë qenë shumë më të zëshëm në kërkimin e llogaridhënies ndaj Arabisë Saudite për rastin në fjalë. Por edhe këtu, gjeopolitika ka diktuar sjelljen, dhe deri më tani e ka zbehur reagimin.
Për shembull, qeveria turke ka zbuluar në mënyrë graduale dhe selektive zbulimet e shërbimeve të saj sekrete, mbi mënyrën sesi vdiq saktësisht Kashoxhi. Qasja duket e projektuar të minojë sundimin de facto të Arabisë Saudite nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, i cili është armiqësor ndaj aleatëve rajonalë të Turqisë, Katarit dhe Vëllazërisë Myslimane, të mbështetur nga Ankaraja, ndër elementët e tjerë kryesorë të politikës së jashtme turke.
Njëherazi, ajo duket e kalibruar të mos shkatërrojë marrëdhëniet më të gjera me Arabinë Saudite, të cilat Turqia nuk ka luksin t’i prishë. Nga ana e tyre, Britania, Franca dhe Gjermania kanë kërkuar që qeveria saudite të zbardhë atë që ka ndodhur. Por ndërsa Berlini ka pezulluar shitjet e ardhshme të armëve ndaj mbretërisë, Parisi dhe Londra – të cilat dërgojnë më shumë pajisje ushtarake ndaj sauditëve sesa Gjermania – nuk kanë shkuar ende aq larg.
(Parlamenti Evropian miratoi të enjten një rezolutë që mbronte sanksionet, dhe një embargo armësh të Bashkimit Evropian ndaj Riadit, por votimi nuk është i detyrueshëm për anëtarët e bllokut.) Dhe kështu princi i kurorës së Arabisë Saudite, i dyshuar se është njeriu që qëndron pas fundit tragjik të Kashoxhit, vazhdon të ecë përpara.
Ai e sheh drejt e në sy djalin e Kashoxhit, ndërsa ia shtrëngon dorën me simpati. Ai bën shaka para kamerave në konferencën e tij të investimeve për vitin e kaluar, kur ai rrëmbeu kryeministrin libanez – të njëjtin kryeministër libanez që qëndronte ulur pranë tij. Pandëshkueshmëria, është emri i lojës.
Përashtati për Tirana Today, Alket Goce