Paolo Tramexani nuk do të kthehet te Kombëtarja e Shqipërisë. Edhe pse pas largimit të De Biazit u përfol se ish-ndihmësi i tij mund të merrte drejtimin e kombëtares kuqezi, sot kjo pistë ra përfundimisht.
Klubi zviceran i Sionit konfirmoi me anë të një njoftimi faqen zyrtare në internet se Tramexani do të jetë trajneri i ri i ekipit për 2 sezonet e ardhshme. Italiani ishte prej ditësh në negociata me zviceranët, por kishte kërkuar kohë për të dhënë përgjigjen e tij përfundimtare, çka krijoi bindjen se ai po priste një ofertë nga FSHF-ja.
Tramexani pas largimit nga kombëtarja shqiptare mori drejtimin e Luganos, skuadër të cilën e gjeti në fund të tabelës në kampionatin zviceran dhe vetëm në gjysmë sezoni arriti ta ngrinte deri në vendin e 3-të duke e kualifikuar në grupet e Ligës së Europës. Ndërkohë Sioni e mbylli sezonin që lamë pas në vendin e 4-t dhe do ta fillojë aventurën në Ligën e Europës në turin e tretë kualifikues./bota sot/