Dhoma e ulët e parlamentit të Argjentinës ka mbështetur një legjislacion që kthen abortin në veprim ligjor në 14 javët e para të shtatzënisë.
Pas një debati të nxehtë që ka zgjatur më shumë se 22 orë, 129 deputetë kanë votuar në të mirë të legjislacionit në krahasim me 125 kundër dhe një abstenimi.
Legjislacioni tani pret miratimin e Senatit.
Presidenti, Mauricio Macri ka kundërshtuar ashpër legjislacionin mirëpo ka thënë se nuk do t’i vendosë veto të njëjtit nëse miratohet nga të dy Dhomat.
Aktualisht kryerja e abortit është veprim i paligjshëm në Argjentinë, përveç rasteve të dhunimit apo kur shëndeti i gruas është në rrezik.
Gratë që kërkojnë të kryejnë abort duhet të aplikojnë te një gjyqtar për leje, i cili sipas kritikëve mund të vonojë pa ndonjë arsye këtë proces.