Edgar Çani mund të jetë “bomba” e Partizanit në merkaton e verës. Mësohet se Luçiano Moxhi po bën gjithçka për të bindur lojtarin përmes agjentit të tij. Dilema e sulmuesit për të zgjedhur “demat” mësohet se është niveli i kampionatit dhe pyetja nëse do ai do të jetë ose jo në planet e trajnerit të ri të Kombëtares, Kristian Panuçi.
Mirëpo, duket se Çani po joshet nga modeli i sulmuesit ganez, Kaleb Ekuban, që përdori aktivizimin te Partizani si një trampolinë për të shkuar në një klub të madh në Europë. Agjenti i sulmuesit po mundohet të bindë 28-vjeçarin, i cili kërkohet edhe nga disa klube të Serisë B.
Sulmuesi la pas një sezon harrese te Piza në Serinë B, teksa krahas problemeve financiare të klubit, Çani vuajti dëmtimet e shpeshta. Ai ka luajtur 16 ndeshje me fanellën kuqezi të Shqipërisë, por duket se tashmë është bindur për të ndryshuar ambient. E vetmja dilemë e tij është nëse do të pranojë ofertën e Partizanit apo të një klubi tjetër në Europë.
Çani ka hedhur poshtë oferta të rëndësishme nga klube si Anzhi në Rusi dhe Sherif Tiraspol në Moldavi. Rusët jepnin 300 mijë dollarë në sezon, ndërsa moldavët 200 mijë euro, por Çani nuk pranoi, pasi kërkon një tjetër kampionat. Bëhet e ditur se bisedimet mes drejtuesve të kuq dhe agjentit të lojtarit janë në një fazë të avancuar, në një kohë që edhe oferta mësohet se është shumë e majme për nivelin e kampionatit shqiptar.
Nëse Çani thotë zyrtarisht “po”, atëherë do të bëhej pa diskutim lojtari më i paguar në Shqipëri. Moxhi ka disa javë që po mundohet të “godasë” me afrimin e një qendërsulmuesi, por mesa duket nuk e kanë bindur alternativat në Serinë B dhe Lega Pro. Partizani ka aktualisht tre sulmues: Xhevahir Sukaj, Mustafa Enok Xhixhiua dhe Milan Basrak. Mirëpo, trajneri Mark Iuliano kërkon të ketë në dispozicion 5 lojtarë në repartin e avancuar.