Kur e gjithë vëmendja është përqendruar në raportimin e kryeprokurores Arta Marku përpara Komisionit të Ligjeve për ecurinë e prokurorisë për vitin 2017, ish-gjyqtari Artan Lazaj ka shprehur hapur lidhjet e tij me deputeten e PS-së dhe njëherësh ish-kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi.
Artan Lazaj, i cili u shkarkua sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nga posti i tij si gjyqtar, duke ndërhyrë në diskutimin e rrjetit social Facebook lidhur me raportimin e kryeprokurores Arta Marku, i ka shkruar znj. Hysi krejt i zhgënjyer.
Lazaj i shkruan Hysit se atij nuk ishte kthyer ndihma që ky i fundit kishte dhënë për Reformën në Drejtësi dhe për këtë sipas tij, nuk ishte informuar KPK-ja, e cila e shkarkoi sot nga detyra.
“Vasilika Hysi sa më ke zhgënjyer. Më kërkuat ndihmën për hartimin e ligjeve të Reformës, më premtuat që për këtë ndihmë të vyer do informohej KPK dhe asnjë gjë nuk ishte bërë nga të gjithë ju”, i shkruan Lazaj, Vasilika Hysit e cila nuk i kthen asnjë përgjigje mbrapsht.
Çfarë ndihme i ka kërkuar ish-kryetares së Komisionit të Ligjeve, një gjyqtar që është shkarkuar nga KPK-ja si pasojë e procesit të Vettingut?!Dhe për çfarë duhej të ndërhynte “mik” Vasilika Hysi në vendimin që do të jepte Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për rastin e gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, ndërkohë që ky komision pretendohet të jetë i pavarur nga politika?
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore më datë 28.06.2018 për subjektin e rivlerësimit, z. Artan Laze , bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, më datë 11.07.2018, vendosi: Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Artan Laze, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupa gjykuese e kryesuar nga znj.Brunilda Bekteshi, z. Lulzim Hamitaj relator, z. Olsi Komici anëtar, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve”, thuhet në njoftimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Vettingu ndaj Lazajt: Lazaj ishte i pranishëm gjatë seancës së shkurtër të shpalljes së vendimit, që preu në mes karrierën e tij në gjyqësor dhe planet për t’u bërë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Procesi i rivlerësimit për gjyqtarin Lazaj u zgjat në dy seanca dëgjimore, pas kërkesave të përsëritura të avokatit të tij për përjashtimin fillimisht të trupës gjykuese dhe të kryetares së saj, Brunilda Bekteshi, por pa sukses.
Hetimi i thelluar administrativ arriti në përfundimin se gjyqtari Artan Lazaj kishte burime të pamjaftueshme financiare për blerjen e një apartamenti 120 metra katrorë në Tiranë në vitin 2004; deklarata kontradiktore dhe transaksione jashtë sistemit bankar për blerjen e një apartamenti 128 metra katrorë në Tiranë në vitin 2011, parregullsi në blerjen e një toke prej 1 mijë metrash katrorë në Porto Palermo si dhe mosdeklarim të pjesës takuese të bashkëshortes së gjyqtarit në një apartament në Bulqizë.
Relatori i çështjes tha gjithashtu se subjekti e kishte deklaruar apartamentin që zotëron aktualisht për 120 mijë euro në deklaratën e vitit 2011 dhe 129 mijë euro në deklaratën “Vetting”.
Gjyqtari Lazaj i hodhi poshtë gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe u ankua se nuk ishin marrë parasysh provat e dorëzuara prej tij.
“Kam dhënë dënime të përjetshme dhe disa prej tyre nuk janë arrestuar ende nga Policia e Shtetit. Më kanë kërcënuar me jetë, shikoni shkrimet,” tha Lazaj në seancën e 2 korrikut përballë KPK-së.
Në listën e zezë të SHBA-ve: Lazaj ka rezultuar një gjyqtar me probleme dhe ndodhet edhe në “listën e zezë” të SHBA-së, pasi i është refuzuar viza amerikane.
Artan Lazaj ka ushtruar detyrën e gjyqtarit si dhe të kryetarit të Gjykatës së Gjirokastrës në vitet 2003-2009. Në vitin 2009, ai është zgjedhur anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, detyrë të cilën e ka mbajtur deri në vitin 2012.
Në dhjetor 2012, Lazaj është rikthyer sërish në gjyqësor përmes një dekreti të Presidentit të Republikës, i cili e emëroi atë në Gjykatën e Tiranës.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Artan Lazaj zotëronte vetëm një apartament të përfituar nga ligji për privatizimet në vitin 2003, kur deklaroi për herë të parë pasurinë.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e tij kap vlerën e rreth 24.3 milionë lekëve, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 1.7 milionë lekësh për periudhën deklaruese.
Pasuria e gjyqtarit Lazaj përbëhet nga pasuri të paluajtshme në vlerën e 16.8 milionë lekëve, kursime në cash rreth 5.5 milionë lekë si dhe likuiditete në bankë në vlerën e 1.9 milionë lekëve.
Të ardhurat familjare të gjyqtarit Lazaj për vitet 2003-2017 kapin shifrën e 31.6 milionë lekëve. Rreth 88 për qind e të ardhurave rrjedhin nga paga dhe shpërblimet e gjyqtarit dhe bashkëshortes së tij, ndërkohë që 12 për qind kanë si burim të deklaruar fitimin nga shitja e pronave dhe automjeteve.
Sipas deklaratave të pasurisë, gjyqtari Lazaj bleu një apartament në Tiranë në vitin 2004 për 55 mijë euro dhe e shiti katër vite më vonë për 90 mijë euro. Në vitin 2011, gjyqtari blen një apartament tjetër në Tiranë për 120 mijë euro me burim paratë e kursyera nga shitja e apartamentit të parë [60 mijë euro] si dhe një kredi bankare prej 4 milionë lekësh.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit.
BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik mbi 14 deklarata pasurie të gjyqtarit Artan Lazaj, nga të cilat njëra rezultoi me shtesë pasurie të pambuluar me burime të deklaruara në vlerën e 2.1 milionë lekëve.
Deklarata në fjalë i përket vitit 2004, kur gjyqtari Lazaj bleu një apartament për 55 mijë euro me burim një kredi bankare prej 3.5 milionë lekësh dhe pa burime të tjera të deklaruara. Në këtë analizë, BIRN ka identifikuar gjithashtu si “flamur të kuq” vlerat e konsiderueshme të kursimeve cash të gjyqtarit Lazaj, të cilat në vitet 2008-2015 kapnin vlerën akumulative të 22.4 milionë lekëve.
Një pjesë e këtyre kursimeve u shpenzuan në vitin 2011 për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 177 m2 në Tiranë dhe në fund të vitit 2017, kursimet cash kapnin vlerën e 5.5 milionë lekëve.
TIRANA TODAY