Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka njoftuar sot se ka përfunduar vlerësimin për veprimet e policisë lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë, Lulzim Fejzullahu, pas ngritjes së disa çështjeve të cilat janë paraqitur si shqetësim në opinion (sidomos rreth raportimeve fillestare nga Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh për këtë incident).
Sipas IPK-së, nga shqyrtimi i dosjes së rastit, video incizimet e kamerave të sigurisë si dhe shkresat tjera të lëndës nga Stacioni Policor Podujevë, pasqyrohet se koha e reagimit të njësive policore dhe emergjencës së qytetit nga momenti i thirrjes deri në vendin e ngjarjes ka qenë i shpejtë.
“Rreth 3 deri 4 minuta, nga pranimi i informatës deri në arritjen në vend të ngjarjes të njësisë policore, si dhe rreth 9 minuta i arritjes së ekipit të emergjencës mjekësore të qytetit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, bëhet e ditur se veprimet hetimore në teren, ruajtja e vendit të ngjarjes, trajtimi i viktimës, sigurimi i video incizimeve dhe njoftimi i njësive relevante dhe prokurorisë, është bërë në kohë dhe sipas Kodit të Procedurës Penale dhe procedurave parapara policore.
“Arrestimi, intervistimi, dërgimi në qendrën e mbajtjes, sigurimi i zyrtarit Qendrës për punë sociale, janë administruar sipas procedurës të paraparë me Kodin e Procedurës Penale dhe procedurat policore. Përpilimi i dosjes së rastit nga zyrtarët e Stacionit Policor të Podujevës është i kompletuar dhe pa mangësi”, thuhet në komunikatën për media.
IPK-ja tutje ka bërë të ditur se nga analizimi dhe shqyrtimi i shkresave të lëndës që lidhen me aktivitetin hetimor të Sektorit Rajonal të Hetimeve (video incizimeve, raporteve për veprimet hetimore, raporteve forenzike, komunikimi me prokurorinë dhe shkresave tjera), ka vlerësuar se të gjitha veprimet e lartcekura janë ndërmarrë sipas afateve procedurale dhe përmbajnë të gjitha elementet e kërkuara sipas Kodit të Procedurës Penale.