Tremujori i parë i këtij viti ka shënuar një dyfishim të numrit të shtetasve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë.
Kështu, 115 mijë shtetas të huaj kanë hyrë në vendin tonë gjatë kësaj periudhe, sipas Institutit të Statistikave.
Turistët e huaj po shfaqin gjithnjë e më shumë interes, duke qenë se Shqipëria favorizohet nga çmimet relativisht të ulëta.
Mendohet se ky faktor ka një ndikim të konsiderueshëm, në kushtet e një krize të zgjatur ekonomike në Evropë.
Gjithashtu, vendi ynë po fiton më shumë interes nga të huajt, për faktin se operatorët ndërkombëtarë e kanë promovuar si një destinacion të ri dhe pak të eksploruar.
Në deklarimet e bëra në sportelet e policisë kufitare, në pjesën më të madhe, qëllimi i vizitës është i papërcaktuar qartë, shkruan Scan-tv.
Ndërkohë, daljet e shtetaseve shqiptarë jashtë vendit, për tre muajt e parë të vitit, janë rritur lehtë, me 1.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.