Në takimin me Këshillin Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria do të fillojë në muajin shtator zbatimin e planit pesë vjeçar të rimëkëmbjes ekonomike. Hoti është shprehur se pandemia ka shkaktuar dëme afatgjate në çdo sektor. Kjo nënkupton një strategji zhvillimore pesë vjeçare, që shkon deri në 6 miliardë euro.
“Përmes këtij Këshilli do të vazhdojmë punën e mirë, do të harmonizojmë proceset shtetërore me ato private që do të ndihmojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Kjo është e rëndësishme tani kur po përballemi me kohën e pandemisë COVID-19. Ne edhe ashtu kemi pasur në plan që në shtator të fillojmë planin afatgjatë të rimëkëmbjes ekonomike, sepse do të përballemi me krizë ekonomike. Sepse pandemia ka shkaktuar dëme afatgjate në çdo sektor. Kjo nënkupton një strategji zhvillimore pesë vjeçare, që do të shkon deri në 6 miliardë euro”, ka thënë Hoti.
“Kjo është e rëndësishme kur po përballemi me pasojat sociale. Si pjesë të programit, kemi paraparë një pako, me rishikimin e buxhetit prej 365 milionë euro dhe kemi shpërndarë këtë fond”, përfundoi ai.