Në ditën e parë të punës si kryeministër i Kosovës, Bashkimi Evropian i rikujton kryeministrit Ramush Haradinaj, punët që duhen kryer nga qeveria e Kosovës e të cilat nuk guxojnë të presin. Në një deklaratë për medie, Bashkimi Evropian, ka thënë se ndër prioritetet e qeverisë së Kosovës duhet të jenë reformat e domosdoshme në fushën e sundimit të ligjit dhe të vazhdohet dialogu me Serbinë.
Formimi i institucioneve në Kosovë, pas disa javësh paqartësie politike është një hap shumë i rëndësishëm. “Kosova përballet me sfida të vështira, duke përfshirë korrupsionin dhe sundimin e dobët të ligjit, papunësi të lartë dhe performancë të dobët në sistemin arsimor.
Këto janë pengesa serioze për zhvillimin e ekonomisë, për të tërhequr investime të qëndrueshme dhe për të krijuar mundësi punësimi. BE-ja dëshiron që Kosova të ketë sukses, dhe u bën thirrje politikanëve të fokusohen në këto çështje të përditshme me rëndësi për njerëzit”.
BE thekson se e “nxit qeverinë e sapoformuar të fillojë menjëherë të punojë për forcimin e institucioneve dhe zbatimin e reformave të nevojshme, veçanërisht në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e ekonomisë, në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Axhendën e Reformave Evropiane, dhe marrëveshjeve të tjera përkatëse mes BE-së e Kosovës.
Është shumë e rëndësishme që udhëheqësit politikë t’i marrin seriozisht këto sfida dhe të veprojnë në mënyrë efektive në interesin më të mirë të popullit të Kosovës. Ata që janë në pushtet kanë përgjegjësinë parësore për forcimin e sundimit të ligjit, përmes një reforme të sistemit gjyqësor në përputhje me standardet më të mira evropiane”, thuhet ne deklaratën e BE-së.
BE-ja i rikujton qeverisë së Kosovës kushtet e papërmbushura në procesin e liberalizimit të vizave dhe dialogun me Serbinë. “Është thelbësore që Kosova të punojë për kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave duke ecur përpara në marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe duke ndërmarrë veprime kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. BE-ja pret që qeveria e re të luajë një rol aktiv dhe konstruktiv në rajon dhe të punojë së bashku me Beogradin për të siguruar që një hap para është bërë në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të lehtësuar nga BE-ja. Marrëveshjet e arritura në këtë kontekst duhet të zbatohen plotësisht”.
Lunaçek: Forcim i institucioneve dhe ligjit
Në të njetën linjë është shprehur edhe nënkryetarja e Parlamentit Evropian, raportuese për Kosovën Ulrike Lunaçek, e cila kërkon nga qeveria e re “rrugëdalje nga kriza ekonomike, iniciativa për tërheqjen e investimeve, krijimin e vendeve të reja të punës, veçanërisht në fushën e burimeve të ripërtërishme dhe efikasitetin e energjisë dhe përmirësimin e shërbimeve në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit për qytetarët”. “Institucionet dhe sundimi i ligjit duhet të forcohen, duhet të intensifikohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky aspekt i fundit është gjithashtu një nga dy kushtet që nevojiten për të bërë të mundur që ne në BE të vazhdojmë me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Po ashtu, siç dihet mirë është ratifikimi i shpejtë i marrëveshjes së demarkacionit kufitar me Malin e Zi nga ana e Kuvendit të Kosovës, shkruan Ulrike Lunaçek.
Lunaçek e ka cilësuar si një veprim pozitiv faktin që lista Srpska e ka votuar Ramush Haradinajn për kryeministër. “Sa i përket marrëdhënieve me Serbinë fqinjë, faktin se Lista Srpska ka votuar për ish-Udhëheqësin e UÇK-së Ramush Haradinaj si Kryeministër, e shoh si një sinjal pozitiv për vazhdimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lunaçek.
SHBA: Presim progres
Edhe ambasada e SHBA-ve mirëpret konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, dhe uron Kryetarin e Kuvendit Veseli, Kryeministrin Haradinaj, dhe ministrat dhe zyrtarët shtetërorë të sapoemëruar. Ne presim që të punojmë me qeverinë e re për të avancuar progresin e Kosovës për të mirën e gjithë qytetarëve të saj.
Formimin e qeverisë së Kosovës e kanë përshëndetur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat si thuhet në njoftimin e ambasadës, “vazhdojnë të përkrahin Kosovën në shtegun e saj drejt integrimeve Euro-Atlantike, forcimit të sundimit të ligjit, përmirësimit të zhvillimit ekonomik, dhe normalizimit të marrëdhënieve rajonale”.
“Qytetarët dëshirojnë institucione shtetërore që punojnë për ta, një qeveri me duar të pastra, dhe një udhëheqësi që ndërmerr veprime vendimtare për të shtyrë përpara interesat dhe mirëqenien e Republikës së Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj. Apelojmë te të gjithë udhëheqësit e Kosovës – në Qeveri dhe në Kuvend, përfshirë partitë opozitare – që të respektojnë votuesit që i zgjodhën duke i marrë këto parime si udhërrëfyes”, thuhet në deklaratën e SHBA-së.
Ramush Haradinaj, mori sot zyrtarisht detyrën si kryeministër i Kosovës, nga paraardhësi i tij, Isa Mustafa, i cili nuk e përfundoi mandatin e plotë katër vjeçar si kryeministër i Kosovës. Pranim dorëzimi i detyrës u bë me një ceremoni zyrtare me rreshtimin e gardës ceremoniale të FSK. Me 61 vota për, një abstenim dhe pa praninë e opozitës, Kuvendi i Kosovës të shtunën zgjodhi Qeverinë e re të Kosovës, me kryeministër Ramush Haradinajn.