Në 13 shkurt të vitit 1929, u vu për herë të parë në skenë në Moskë pjesa teatrale satirike e Majakovskit “Kimikja”.
“Shfaqja, e gjitha një fantashkencë, është një kritikë e sistemit ekzistues, dhe ofron një përshkrim vërtetë realist të shoqërisë socialiste në të ardhmen. Një punëtor i ngrirë në një bllok akulli, zgjohet pas 50 vitesh në një të ardhme ku do të jenë eliminuar veset njerëzore si alkoolizmi, shpifja dhe mendimet borgjeze, por gjithashtu do të jetë e ndaluar të dashurohet”- shkruan Sreçko Horvat në librin e tij “Radikaliteti i dashurisë. Dëshirë dhe revolucion”.
Dhe ja se çfarë shkruan Majakovski, mbi një vajzë që kishte filluar të shfaqte simptoma të çuditshme: “Profesorët thonë se bëhet fjalë për sulmet akute të rënies në dashuri; kështu quhej emri i një sëmundjeje të lashtë, kur energjia seksuale të njeriut, e shpërndara tek ne në një mënyrë të arsyeshme gjatë gjithë jetës, kondensohet befas në rrjedhën e një javë të vetme, në një proces të përndezur ndjenjash, që çon në gjeste të çmendura dhe të paparashikueshme”.
Mundet të thuhet që “mikrobet e tmerrshme të rënies në dashuri” të Majakovskit, mishërojnë në një farë mënyre temën e librit të Horvat, i cili analizon idenë e dashurisë si një parim revolucionar, që njëherazi të josh e të tmerron. Horvat është filozof kroat tek të tridhjetat e hershme, që aktualisht punon me Janis Varufakis; bashkëautor i një eseje të gjatë me filozofin slloven Sllavoj Zhizhek dhe editorialist në “New York Times”, “El Pais”, “The Guardian”.
Horvat citon Engelsin: “Një fakt inkurioz, është se në çdo lëvizje revolucionare me njëfarë rëndësie, problemi i “dashurisë së lirë” vihet në plan të parë. Ndoshta e dëshiruar, por më shpesh e pasur frikë. Për shembull, ishte kështu gjatë Revolucionit të Tetorit.”
Siç rrëfen Horvat, për Leninin qendërsia e temës së dashurisë së lirë në shkrimet e një kampioneve të të drejtave të grave si Aleksandra Kollontaj dhe Inesa Armand (që ndoshta nga Lenini ka qenë shumë e dashur), rrezikonte t’i shpërqendronte nga angazhimet revolucionare, dhe përfaqësonte një “rivendikim borgjez dhe jo proletar”.
Por Horvat shton: “Thellë në zemrën e tij, Lenini qe një romantik. Ajo që nuk kuptonte, është se Kollontaj dhe Inesa Armand nuk aspironin për tradhti bashkëshortore apo imoralitet, por për modelet relacionale për të cilat seksi nuk mund të ekzistojë pa dashuri, dhe as dashuria pa seks”.
Disa dekada më vonë, Che Gevara, u gjend në dilemën e zgjedhjes midis dashurisë romantike për gruan e tij Aleida, dhe revolucionit. Ai zgjodhi këtë të fundit, duke ia lënë fëmijët Aleidas për t’i rritur: “Më ndihmo tani Aleida, ji e fortë, mos më krijo probleme që s’mund të zgjidhen” – i shkroi ai në një letër. “Kur u martuam, ti e dije se kush isha. Më duaj, me pasion, por më kupto. Fati im është i përcaktuar, asgjë nuk do të më ndalë deri në vdekje”.
Che Guevara u vra në Bolivi në vitin 1967. Shpejt mbërritën ngjarjet e 1968-ës, dhe pastaj vitet 1970, me divorcin, abortin, privatin si politikan, dhe sloganet e tipit “familja është e ajrosur sa një dhomë gazi”. Por një gjë janë të drejtat, dhe tjetër është dilema mes monogamisë dhe poligamisë, më e lehtë të zgjidhet në teori sesa në praktikë.
Sikurse shkroi filozofi Daniel Bensaid në kujtimet e tij të atyre viteve: “Pavarësisht deklaratave solemne të lirisë së përbashkët, qeniet njerëzore nuk janë gjithmonë të barabarta para xhelozisë dhe mjerimeve të zemrës”.
Horvat merr si shembull marrëdhënien “e hapur” mes Zhan Pol Sartër dhe Simon Dë Bovua. Duke rilexuar letrën që Dë Bovua i shkruante Sartrit në fund të 1930, është e qartë se si ajo, edhe pse pa e pranuar hapur, vuante: “Kur jeni këtu, mendoj se e di shumë mirë se dashuria jonë është e vërtetë. Por nga larg, është e vështirë të shoh tek sillesh rreth zemrave të tjera”.
Nga ana tjetër, vë në dukje Horvat, nuk mund të ketë revolucione, dhe as dashuri, pa rrezikun e lëndimit: “Një moment i vërtetë revolucionar”- shkruan ai “është si dashuria, është një shkëputje nga bota dhe rrjedhja e rregullt e ngjarjeve”. Ai shton më tej: “Çdo përpjekje për të folur dhe shkruar mbi dashurisë, është e lidhur në mënyrë të pashmangshme me një vështirësi të madhe, një lloj shqetësimi, ku fjalët nuk janë asnjëherë të mjaftueshme”.
Është e vërtetë, “mikrobet e tmerrshme të dashurisë” nuk mashtrohen lehtë nga fjalët. Siç u shpreh dikur Shekspiri, duke folur për Romeon: “Varni në një gozhdë filozofinë tuaj! Nëse filozofia nuk mund të krijojë një Xhulietë, transferojë një qytet, përmbysë vendimin e një princi, ajo nuk të ndihmon, nuk vlen asnjë; për të mos thënë më shumë”.
Por në qoftë se fjalët duhet të përdoren, le të jenë më të thjeshta: “Në udhëtimin tonë në kërkim të një kuptimi të mundshëm të dashurisë, ne duhet të eksperimentojmë me pyetjet radikale, në dukje naive” thotë Horvat.
“Si ato që Pazolini formuloi në vitin 1963, kur me një aparat fotografik dhe mikrofon në dorë udhëtoi anembanë Italisë, për të xhiruar filmin “Komedi dashurie”, duke i pyetur fëmijët se si kanë ardhur ata në këtë botë, ushtarëve nëse preferojnë të jenë një “Don Zhuan apo një baba i mirë”, futbollistëve se çfarë mendojnë mbi shtypjen seksuale, punëtorëve se çfarë mendojnë për prostitucionin, virgjërinë, homoseksualitetin dhe divorcin”.
Diçka tjetër që duhet bërë sipas Horvat, është të harrohet koncepti i “dashurisë me zero rrezik”. Horvat përdor një krahasim të guximshëm: “Ajo me të cilën jemi duke u përballur, është lëvizja globale e të vetëmbrojturit veten nga rreziku, nga shoqëritë tona perëndimore dekadente dhe kërcënimit të fondamentalizmit islamik, të bashkuar në një front lufte kundër dëshirës”, por fjalët e tij trondisin diçka.
Sulmet e dashurisë akute, duket edhe se shihen edhe sot me dyshim, ashtu si tek “Kimikja” e Majakovskit. Për të mos folur pastaj për mundësinë që ato mund të revolucionarizojnë, në mos shoqërinë, të paktën jetën personale. Që tani është diçka. Por duhet të angazhohesh. E thotë shumë mirë edhe filozofi francez Alen Badu në librin e tij “Elozhe ndaj dashurisë”: “Është rastësia e një takimi që mundëson nga dita në ditë shpikjen e diçkaje që do të zgjasë”.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce