Një studim i ri tregon se Covid-19 dhe gripi sezonal mund të “zgjojnë” qelizat e fjetura të kancerit, veçanërisht në mushkëri, edhe vite pas trajtimit. Autorët e studimit shtojnë se këto gjetje nuk duhet të shkaktojnë panik, por të nxisin kujdes tek personat që kanë kaluar kancer gjiri.
Covid-19 dhe gripi sezonal mund të “zgjojnë” qelizat e fjetura kancerogjene, që mbeten të padukshme në trup, veçanërisht në mushkëri, edhe vite pas trajtimit. Këtë e tregon një studim i një ekipi shkencëtarësh nga disa universitete evropiane dhe amerikane.
Rezultatet tregojnë se infeksionet respiratore nxisin reagime të forta inflamatore në mushkëri, duke prishur ekuilibrin mikromjedisor ku gjenden qelizat e fjetura të kancerit.
Këto qeliza, të mbetura pas kimioterapisë ose operacioneve kirurgjikale, janë gati për t’u aktivizuar, por qëndrojnë të qeta derisa të marrin një “sinjal biologjik”.
Infeksione si Covid-19 apo gripi mund të shërbejnë pikërisht si nxitës, sipas studimit
Për ta testuar këtë hipotezë, studiuesit analizuan modele laboratorike dhe shtazore me qeliza të kancerit të gjirit të përhapura në mushkëri, por joaktive.
Pas ekspozimit ndaj infeksioneve respiratore, një pjesë e tyre filluan të shumoheshin, duke krijuar mikrometastaza – shenjat e para të rikthimit të sëmundjes.
Rezultatet lidhen edhe me vëzhgime klinike: disa gra që kishin kaluar kancerin e gjirit përjetuan rikthim pas një infeksioni të rëndë respirator.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se ende nuk ka prova përfundimtare që viruset të jenë shkaku i drejtpërdrejtë. Sipas tyre, bëhet fjalë për një ndërveprim kompleks mes sistemit imunitar dhe qelizave të kancerit.
Autorët e studimit shtojnë se këto gjetje nuk duhet të shkaktojnë panik, por të nxisin kujdes tek personat që kanë kaluar kancer gjiri. “Nëse arrijmë të kuptojmë saktësisht këtë proces, mund të parandalojmë shumë rikthime të rënda në të ardhmen,” tha një prej tyre raporton The Times.
Studiuesit po punojnë gjithashtu për mënyra që të bllokojnë “zgjimin” e qelizave, përmes ilaçeve që pengojnë sinjalet inflamatore – një drejtim i ri që mund të hapë rrugë për trajtime parandaluese.
Ky studim, sipas shkencëtarëve, tregon se mbrojtja e mushkërive dhe forcimi i imunitetit nuk janë të rëndësishme vetëm kundër viruseve, por edhe për të ruajtur ekuilibrin që parandalon rikthimin e sëmundjeve të rënda si kanceri i gjirit.















