Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka reaguar ndaj pakënaqësive të qytetarëve të cilët zgjedhin bregdetin në jug të vendit për të kaluar pushimet, por pretendojnë se çmimet janë tepër të kripura dhe aspak reale.
Klosi deklaroi se e rëndësishme është që të kishte faturë, shenjë kjo që respektohej ligji. Ndërsa kostoja për të ishte diçka që duhej të zgjidhej me kujdes nga klientët. Deklarata e Klosit, u bë mbrëmjen e sotme në emisionin ”Kjo Javë”.
Blendi Klosi: ”E rëndësishme është të ketë faturë. Mua më vjen mirë që ato e fotografohen edhe e nxjerrin faturën, sado e madhe që ajo është sepse nga ajo faturë TVSH apo taksa i shkon buxhetit të shtetit. Pra nuk është shqetësim një lokal i shtrenjtë. A ka ofertë? Unë mendoj që në Shqipëri ka ofertë. Destinacioni jonë është që t’i ofron të gjitha dhe gjithsecili zgjedh ofertën që kërkon. Sado të them unë ‘kjo ndodh edhe në botë’ I kemi kjo është pjesë edhe e PR që bëjnë vetë lokalet, se në fakt kjo është edhe pak pjesë e PR të tyre, pra akoma ka një grup shoqëror që zgjedh atë më të shtrenjtën. Pra, kërkesa ime për pushuesit është që mos gënjehen nga ato që shohin nëpër portale të zgjedhin me kujdes lokalin, hotelin. Ne nuk kemi një bregdet që është i uzurpuar nga çmimet e shtrenjta. Ne nuk duhet të luftojmë që të jemi një treg i lirë, ne nuk mund të ngrehemi nëse jemi një treg i lirë. Pra duhet të ketë ofertë dhe të jetë transparente”.
Në Himarë, sufllaqja kushton 6 mijë lekë të vjetra
Disa pushues kanë publikuar në rrjetet sociale, një faturë nga Himara, ku vetëm 1 sufllaqe kushton 6 mijë lekë të vjetra. Personat që e kanë publikuar faturën kanë konsumuar 2 sufllaqe, 1 pjatë patate të skuqura dhe 2 ujë, por kanë paguar 15.900 lekë të vjetra.