“Doktori” ka sfiduar moshën, në një nga sportet më të rrezikshme. Valentino Rossi ka rinovuar kontratën me dy vite të tjera me skuadrën e Yamahës dhe do te jetë protagonist në garat spektakolare të motorëve, aty ku shkruan historinë prej më shumë se dy dekadash.
Rossi ka fituar 9 tituj kampion bote dhe koleksionon në total 115 fitore në Çmimet e Mëdha, bëri debutimin e tij në sezonin 1996. Aventura e tij me skuadrën e Yamahas vazhdon që prej vitit 2004 e deri më sot, me përjashtim të dy sezoneve me Ducatin në vitet 2011 dhe 2012.
“Kur firmosa kontratën në vitin 2016 pyeta veten nëse ajo do të ishte vërtet e fundit. Por, këto kohë kam kuptuar se të garoj më bën shumë mirë dhe puna me mekanikët e inxhinierët është një kënaqësi. Falënderoj të gjithëve tek Yamaha, pasi është sfidë vërtet e madhe të mbetesh konkurrues në moshën 40 vjeç”, tha Valentino Rossi. Ai zyrtarizoi firmën në pistën e Lozailit, aty ku të dielën do të synojë të marrë pikët e para për titullin e 10 kampion, që aleancat e dyshimta spanjolle apo fati i keq ia mohuan para pak vitesh.