Nga: Talha Köse “Daily Sabah”
Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavushoglu zhvilloi javën e kaluar një vizitë zyrtare në Greqi. Vizita ishte pjesë e përpjekjeve për të ulur tensionet midis dy vendeve fqinje. Turqia dhe Greqia patën një verë të tensionuar në vitin 2020, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve mbi Mesdheun Lindor.
Kjo vizitë u shoqërua me një vëmendje të madhe për shkak të një takimi të tensionuar midis dy ministrave të jashtëm në Ankara në muajin prill. Si Bashkimi Evropian ashtu dhe NATO deklaruan mbështetjen e tyre për përpjekjet diplomatike që synojnë uljen e tensioneve midis Turqisë dhe Greqisë.
Çavushoglu e filloi udhëtimin e tij duke vizituar pakicën turke në Trakinë Lindore. Vizita e tij solli gëzim dhe ngazëllim tek komuniteti turk në Trakinë Perëndimore. Megjithatë media dhe publiku grek, e kritikuan vizitën e shefit të diplomacisë turke në pjesën e Trakës Lindore.
Gjithsesi në tërësi kontaktet diplomatike dhe takimet në Athinë ishin të frytshme. Sipas burimeve diplomatike, Çavushoglu dhe homologu i tij grek Nikos Dendias komunikuan me sinqeritet dhe diskutuan hapur të gjitha mosmarrëveshjet midis dy vendeve.
Diplomatët turq dhe ata grekë, ranë dakord mbi 25 çështje, dhe u pajtuan për zhvillimin e një takimi midis presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe kryeministrit grek Kiriakos Micotaqis në Bruksel pas samitit të NATO-s.
Gjestet pajtuese nga të dy palët janë premtuese, dhe përpjekje të tilla kanë ndihmuar jo pak në zbutjen e tensioneve midis dy fqinjëve. Atmosfera e përgjithshme gjatë takimeve diplomatike në Athinë ishte shumë më konstruktive, sesa ishte gjatë takimit të muajit prill në Ankara.
Ndërkohë u nënshkruan disa marrëveshje që do të lehtësojnë turizmin dhe zgjerojnë shkëmbimin ekonomik mes të dyja vendeve. Pandemia e goditi fort industrinë e turizmit në Turqi dhe Greqi, dhe marrëveshjet në këtë fushë do t’i ndihmojnë të dyja palët.
Deri më tani, duket se do të ketë më pak tension midis Turqisë dhe Greqisë në verën e këtij viti. Gjithsesi, mosmarrëveshjet e rëndësishme midis dy vendeve janë ende atje, dhe mbi to nuk është shënuar ndonjë përparim i rëndësishëm.
U shty diskutimi i çështjeve më të nxehta
Debatet mbi çështjet më të nxehta do të vazhdojnë të jenë burim i tensioneve të mundshme midis dy fqinjëve. Për shembull, pala greke nuk u tërhoq nga pretendimet e saj në lidhje me zgjerimin me 12 milje detare të ujërave të saj territoriale.
Vendimi për të zgjeruar ujërat territoriale të Greqisë në 12 milje detare në Detin Egje, konsiderohet ende nga pala turke si një “casus belli” (një shkas për luftë). Greqia nuk po tregon asnjë shenjë se do të ndalë militarizimin e ishujve grekë në Detin Egje, në shkelje të hapur të Traktatit të Lozanës së vitit 1923.
Athina ka ende pretendime maksimaliste në Mesdheun Lindor. Ndërsa duke iu referuar “Hartës së Seviljes”, që pretendon se përcakton kufijtë detarë në Mesdheun Lindor dhe që nuk ka më mbështetjen as të aleatëve më të fortë të Greqisë, pala greke po përpiqet që të formulojë një pozicion të ri në bashkëpunim me grekët qipriotë.
Pas vite negociata të pafrytshme, zgjidhjet e bazuara tek një Qipro federale janë jashtë tryezës. Qipriotët grekë dhe Athina këmbëngulin tek kjo formulë, por në kushtet aktuale ajo nuk është më realiste. Qipriotët grekë dhe Greqia vazhdojnë që t’i luten BE-së të ndihmojë zgjidhjen e çështjes së Qipros në favor të tyre, por një përpjekje e tillë do të ishte jofunksionale.
Roli i aktorëve të jashtëm
Elementi më problematik në marrëdhëniet turko-greke, është fakti se janë aktorët e jashtëm ata që diktojnë marrëdhënien midis dy fqinjëve. Në këtë kontekst, janë shumë të rëndësishme sinjalet që vijnë nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropan.
Uashingtoni po përpiqet të ekuilibrojë disi peshën e Turqisë dhe Egjiptit në rajon, dy vende që kanë vijën më të gjatë bregdetare në Mesdheun Lindor. Mbështetja e një aleance midis Greqisë, Izraelit dhe Qipros greke, duke përfshirë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite në boshtin Greqi-Izrael, është një formulë e hartuar nga Uashingtoni.
Uashingtoni e fuqizon dhe inkurajon Athinën, duke forcuar infrastrukturën e saj ushtarake dhe duke i siguruar armë të reja. Gjithashtu Uashingtoni po nxit aktorë të tjerë, duke përfshirë Egjiptin, Jordaninë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që të afrohen akoma më shumë me Greqinë.
Edhe këta të fundit janë të shqetësuar nga kërkesat maksimaliste të Greqisë. Po ashtu Uashingtoni po i jep mbështetje politike dhe ushtarake boshtit greko-izraelit, sërish për të balancuar Turqinë dhe Egjiptin. E megjithatë, një afrim i mundshëm dhe madje një bashkëpunim strategjik midis Turqisë dhe Egjiptit, është një skenar makthi për organizatorët aktualë të strategjisë së Mesdheut Lindor në Uashington.
Këto përpjekje, të nxitura nga vendet anëtare të BE-së dhe SHBA-ja, e dekurajojnë Greqinë nga përfshirja në shkëmbime të mirëfillta diplomatike mbi çëshjet më strategjike që ka me Turqinë. Rifitimi i besimit të Turqisë, dhe mbështetja e idesë së afrimit turko-grek dhe turko-izraelit, do të kishte qenë një strategji shumë më efikase, sesa formulimi i aleancave dhe kushteve të paqëndrueshme në Mesdheun Lindor.
Disa vende të BE-së, sidomos Franca dhe Austria, po përpiqen gjithashtu të mbështesin Greqinë dhe Qipron greke, si pjesë e politikës së tyre për të kufizuar ndikimin e Turqisë në Mesdheun Lindor, Afrikën e Veriut dhe Ballkan.
Greqia dhe qipriotët grekë po përdoren si vegla në dobi të prioriteteve strategjike të vendeve të tjera anëtare të BE-së. Edhe Italia dhe Franca po tentojnë të kufizojnë ndikimin e Turqisë në Mesdheun Lindor, veçanërisht në Libi.
Greqia duket se i përshtatet të gjitha projekteve strategjike, të cilat synojnë të ekuilibrojnë dhe kufizojnë ndikimin turk në rajon. Mjerisht, të gjitha përpjekjet e sipërpërmendura nuk i shërbejnë as interesave të Turqisë dhe as atyre të Greqisë. Palët e treta, po luajnë një rol negativ në formësimin e marrëdhënieve midis dy fqinjëve.
Vetëm forcimi i lidhjeve dypalëshe, rindërtimi i besimit dhe zgjerimi i bashkëpunimit me NATO-n dhe BE-në, do t’i shërbenin interesave afatgjata të të dyja vendeve. Greqia mund të rishikojë përfshirjen e saj në planet që synojnë të sjellin përfitime vetëm për palët e treta.
Askush nuk pret një përparim diplomatik që do të zgjidhte të gjitha problemet midis Turqisë dhe Greqisë në një periudhë afatshkurtër. Megjithatë, një proces i dialogut të qëndrueshëm dhe ndërtimit të besimit, mund të ndihmojë në krijimin e një atmosfere të re për të ndërmarrë më pas përpjekje më të mirëfillta diplomatike.
Bërja e llogaritjeve strategjike si një diplomat i shekullit XIX-të për një fuqi të madhe, nuk do të jetë e dobishme as për Greqinë, dhe as për Turqinë. Mundësi të reja do të shfaqen për të dyja vendet në rast se ato do të munden të zgjidhin në mënyrë diplomatike problemet e tyre. Sidoqoftë, të dyja palët, veçanërisht grekët dhe grekët qipriotë, janë kushtëzues dhe më konfrontues në ligjërimin e tyre ndaj Turqisë. Po ashtu ka shumë për të bërë edhe në nivelin midis 2 popujve.
Burimi i lajmit: https://www.dailysabah.com/opinion/columns/whats-the-greatest-obstacle-in-turkey-greece-ties
Përshtatur nga TIRANA TODAY