Robert Kodra, ish-drejtori i burgut të Korçës u shkarkua dje nga detyra, lajm që mesa duket e kishte mësuar nga mediet.
Një ditë pas shkarkimit, Kodra i shkruan kryeministrit, duke i komentuar në një nga postimet e publikuara nga Rama.
Ish-drejtori e nis shkrimin duke folur për karrierën e tij, ndërsa shkruan edhe vështirësitë që ka pasur në detyrën e marrë që në 2015-ën.
Më tej, Kodra e quan denigruese publikimin e emrit të tij në media, ndërsa shton se shqetësimi i tij i vetëm janë fëmijët, të cilëve nuk di çfarë t’u thotë.
“Kur nuk tregohet aspak respekt për një njeri që ka investuar mbi 34 vjet për këtë vend, me çfarë besimi mund ta fillojë jetën një i ri?”, shkruan ndër të tjera ish-drejtori i burgut të Korçës.
KOMENTI I PLOTË:
I nderuar Zoti Kryeministër,
Jam Robert Kodra, ish drejtor i burgut të Korçës. Dje njoftohem nëpërmjet medias, se jam shkarkuar nga detyra, me motivacionin se kam shkelur ligjet dhe rregulloren dhe kam keqmenaxhuar IEVP-në.
Kam mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme në Korçë, me notë mesatare mbi 9, në vitin ’83. Ashtu si ishte koha atëherë, kërkova të studioj ku të ketë nevojë Atdheu dhe kështu më çuan në shkollë ushtarake, të cilën e mbarova po me notë mesatare mbi 9. Kam kryer detyra të vështira dhe nuk kam marrë asnjëherë, asnjë vërejtje, për 30 vjet shërbim. Flas 4 gjuhë të huaja, 2 nga të cilat të mbrojtura. Kam arsimimin më të lartë ushtarak që mund të ketë një ushtarak i vendeve të NATO-s. Kam patur rastin të përfaqësoj vendin tim para personaliteteve dhe institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, detyrë të cilën e kam përmbushur me perkushtim dhe dinjitet. Megjithë problematikat brenda Forcave të Armatosura, atë kapitull e mbylla me nder.
Më datë 1 dhjetor 2015, një ish eprori dhe miku im më merr në telefon dhe më thotë se më ka gjetur një punë. Duke e falenderuar, e pyes për t’i dërguar CV-në. – Nuk është çështje CV-je, ma kthen. – Është çështje besimi.
Më datë 2 më komunikohet urdhri nga Ministri dhe më datë 3 filloj punë.
Burgun e gjeta në një situatë jo të mirë, pas disa ngjarjeve korruptive që kishin ndodhur më parë. Nuk kisha mundësinë të ndryshoja dikë nga stafi. M’u desh të punoja bashkë me ata për përmbushjen e misionit, megjithëse kuptoja se paraardhësi im nuk ishte djall dhe stafi nuk përbëhej nga engjëj.
Misioni ynë, me pak fjalë, ishte siguria dhe të drejtat njerëzore.
Për sa i përket sigurisë, për rreth 20 muaj, nuk ndodhi asnjë ngjarje e jashtëzakonshme.
Përsa u përket të drejtave të njeriut, me krenari mund të them se nuk ka pasur asnjë ankesë, nga asnjë i dënuar në drejtim të drejtorit apo stafit. Burgu është vizituar nga personalitete të ndryshme, përfaqësues të institucioneve të rëndësishme të vendit dhe të huaja, si përfaqësues të Bashkimit Europian, të Ambasadës Amerikane, Avokatit të Popullit, Komitetit Kundër Torturës, nga delegacione apo ekipe britanike, irlandeze, gjermane etj dhe të gjithë janë larguar me përshtypjet më të mira.
Motoja në atë burg ishte: “Kush punon këtu, nuk duhet të vjedhë, nuk duhet të gënjejë, nuk duhet të tolerojë shkelje të tilla”.
Korrupsioni dhe abuzimet kanë qenë zero. Mund të përmend dy shembuj. Në dimër temperatura shkonte deri në minus 20 gradë e megjithatë ngrohja e nevojshme nuk ka munguar. Megjithë vështirësitë e amortizimit të sistemit elektrik, apo të sistemit të ngrohjes me avull (kaldajë), ngrohja jo vetëm ka qenë e siguruar, por janë kursyer edhe 2800 litra naftë.
Në burg duhet të paguash lekë që dikush të t’i largojë mbeturinat. Realisht kishim lidhur marrëveshje me një subjekt, i cili na jepte 15 mijë lekë të reja në muaj, për të na marrë mbeturinat ushqimore. Këto lekë derdheshin në arkën e institucionit dhe menaxhoheshin brenda rregullave.
Hyja çdo ditë në Rregjim, ku mbipopullimi është rreth 40% dhe takoja mesatarisht 10 deri 15 të dënuar. Përjetoja çdo moment hallet dhe problemet e tyre. Kam takuar pa orar familjarët e të dënuarve, duke mos kthyer asnjë, asnjëherë.
Burgu është hallka e fundit e sistemit të drejtësisë dhe atje precipitojnë gjithë problematikat e shoqërisë, probleme familjare, të edukimit, sociale, ligjore, shëndetësore etj.
Jam përpjekur të ndikoj sa të mundem në rehabilitimin e tyre. Vetëm gjatë vitit 2016, 102 vetë kanë kryer kurse profesionale në atë burg. 47 vetë janë në proces këtë vit.
Në lidhje me lejet shpërblyse, për të cilat akuzohem se nuk i kam menaxhuar në rregull, mund të them se gjatë vitit 2016 janë dhënë 117 leje shpërblyese, të gjitha brenda rregullave dhe të gjithë të dënuarit janë kthyer në kohë.
Javën që shkoi ka pasur dy raste të thyerrjes së lejes. I dënuari DR kthehet nga leja me 5 orë vonesë. Dy ditë më pas, i dënuari DL, i cili kishte dalë edhe herë tjetër me leje, i dënuar me 4 vite dhe që i mbetej për të vuajtur edhe 1 vit, nuk kthehet nga leja. Megjithëse nuk kam fakte, dyshoj se këto dy raste nuk mund të jenë rastësi. Për të dy këto raste nuk është shkelur asnjë ligj, apo rregullore.
Zoti Kryeministër,
Të drejtën time do ta kërkoj ligjërisht, por Ju lutem, kini mirësinë të dërgoni një ekip kontrolli, me njerëz të shkolluar dhe objektivë, për të parë gjendjen e IEVP Korçë, për të kontrolluar dokumentacionin, për të takuar stafin, të dënuarit dhe familjarët e tyre. Është poshtëruese të kontrollohesh nga njerëz, të cilët ndonëse nuk kanë lexuar një libër në jeten e tyre, meren edhe me presjet nëpër dokumenta.
Është denigruese të lexosh emrin në media, nëpër kanalet televizive, kur mendon se ke punuar drejt e drejt, me idealizëm e ndjenjë empatie dhe nuk di më ç’tu thuash fëmijëve, familjes miqve e shokëve.
Unë e kullota luadhin. Shqetësimi im janë fëmijët e mij, fëmijët tanë, e ardhmja e tyre. Kur nuk tregohet aspak respekt për një njeri që ka investuar mbi 34 vjet për këtë vend, me çfarë besimi mund ta fillojë jetën një i ri?
Po Ju bëj me dije se: Jam apolitik. Nuk kam shkelur asnjë ligj apo rregullore. Kam qëndruar në Institucion mbi 12 orë në 24. Nuk është bërë asnjë ankesë kundër meje, nga asnjë person. Nuk kam vjedhur, nuk kam abuzuar, përkundrazi i kam kursyer shtetit. Kam përmbushur misionin, duke lënë një burg të sigurt, të qetë dhe në respekt të të drejtave humane.