18 Nëntor 1978 – Në Jonestown ndodh vetëvrasja më masive e kohëve moderne
Themeluesi i Tempullit të Popujve, Jim Jones, drejtoi qindra ithtarët e sektit të tij në një vrasje-vetëvrasje masive, në fermën e e tyre bujqësore në një zonë të largët në Guajana të Amerikës së Jugut. Shumë nga ndjekësit e Jones, ishin vullnetarë në aktin e vetëhelmimit, ndërsa të tjerët u detyruan ta bënin këtë nën kërcënimin e armëve.
Numri përfundimtar i të vdekurve në Jonestown atë ditë ishte 909; një e treta e të cilëve ishin fëmijë. Jim Jones, ishte një klerik karizmatik që themeloi Tempullin e Popujve, një sekt i krishterë, në Indianapolis në vitet 1950. Ai predikoi kundër racizmit, dhe kongregacioni i tij tërhoqi shumë afro-amerikanë. Në vitin 1965, ai shkoi bashkë me anëtarët e kishës së tij në Kaliforninë Veriore, dhe pas vitit 1971 u vendosën në San Francisko.
Në vitet 1970, kisha e tij u akuzua nga mediat për mashtrime financiare dhe abuzime fizike ndaj anëtarëve të saj, si dhe keqtrajtimin e fëmijëve. Në përgjigje të kritikave në rritje, Jones gjithnjë e më paranojak i ftoi ndjekësit e tij të shkonin me të në Guajana, ku ai premtoi se do të ndërtonte një utopi socialiste.
Tre vjet më parë, një grup i vogël i ndjekësve të tij kishte shkuar në mesin e xhunglës, për të nisur ndërtimin e asaj që do të bëhej Jonestown. Por Jonestown nuk u bë parajsa që kishte premtuar kleriku Jones. Anëtarët e tempullit, punonin me orë të gjata nëpër fusha, dhe i nënshtroheshin ndëshkimeve të ashpra në qoftë se vinin në dyshim autoritetin e Jones.
Pasaportat e tyre u konfiskuan, letrat censuroheshin dhe anëtarët inkurajoheshin të spiunonin njëri-tjetrin, në një kohë që detyroheshin të merrnin pjesë në mbledhje të gjata, që zgjasnin deri në orët e vona të natës.
Jones, që asokohe po degradonte mendërisht dhe ishte tërësisht i ndërvarur nga droga, qe i bindur se qeveria e SHBA-së dhe të tjerët, ishin atje rrotull të gatshëm për ta shkatërruar atë. Në vitin 1978, një grup ish-anëtarësh të tempullit dhe të afërmit e tyre, e bindën kongresmenin demokrat amerikan të Kalifornisë Leo Ryan, të udhëtojë për në Jonestown dhe të hetojë vendbanimin.
Më 17 nëntor 1978, Ryan mbërriti në Jonestoën me një grup gazetarësh dhe vëzhguesish të tjerë. Fillimisht vizita shkoi mirë, por të nesërmen, teksa delegacioni i Ryan po bëhej gati të largohej, disa banorë të Jonestown iu afruan grupit dhe i kërkoi t’i merrnin me vete.
Jones u shqetësua nga mundësia e largimit t pasuesve të tij, dhe një nga truprojat e tij e sulmoi kongresmenin me thikë. Ryan arriti të largohet i palënduar, por pak çaste më vonë Jones urdhëroi që Ryan dhe shoqëruesit e tij të kapeshin dhe vriteshin. Kongresmeni dhe 4 shoqëruesit e tij u vranë teksa po hinin në avion për t’u larguar. Pasi u kthye në Jonestown, Jones i urdhëroi të gjithë të mblidheshin në sheshin kreysor, dhe të kryenin atë që ai e quajti “një akt revolucionar”.
Anëtarët më të rinj të Tempullit të Popullit, qenë të parët që do të vdisnin, pasi prindërit dhe infermieret përdorën shiringa për t’i injektuar një përzierje të fuqishme të cianidit, qetësuesve dhe lëngut të frutash. Të rriturit pastaj rreshtoheshin për të pirë me rradhë përzierjen helmuese, nën kërcënimin e rojeve të armatosura.
Kur zyrtarët guajanezë mbërritën në kompleksin Jonestown të nesërmen, e gjetën atë të mbuluar me qindra trupa njerëzish të pajetë. Shumë njerëz kishin vdekur të përqafuar me njëri-tjetrin. Disa banorë, arritën të shpëtojnë duke u arratisur në xhungël pasi ndodhën vetëvrasjet, ndërsa dhjetëra anëtarë të Tempullit të Popullit, duke përfshirë disa prej djemve të Jones, mbijetuan sepse në atë kohë ndodheshin në një pjesë tjetër të Guajanës.
18 Nëntor 1916 – Përfundon beteja e Somme në Francë
Komandanti britanik, Douglas Haig, bën thirrje për ndalimin e ofensivës së ushtrisë së tij pranë lumit Somme në Francën veriperëndimore, duke i dhënë fund betejës betejës së përgjakshme 4-mujore. Dita e parë e asaj ofensive rezultoi në një katastrofë të vërtetë, ku vetëm nga britanikët pati 60.000 ushtarë të vrarë apo plagosur. Gjatë 4 muajve dhe 90 sulmeve, aleatët ishin në gjendje të përparonin vetëm 10 km në rajonin e Somme, me koston e 146.000 ushtarëve të vrarë, dhe mbi 200.000 të tjerëve të plagosur.
18 Nëntor 1940 – Hitleri revoltohet ndaj pushtimit italian të Greqisë
Udhëheqësi nazist takohet me ministrin e jashtëm italian, Galeazzo Ciano, për të biseduar mbi pushtimin katastrofik të Mussolinit në Greqi. Në takimin e tyre në Obersalzberg, Hitleri foli për mundësinë që britanikët mund të zbarkonin në Greqi, dhe ngrinin një bazë ajrore në Athinë. Pavarësisht protestës ndaj lëvizjes së Mussolinit, ai mendoi t’i linte italianët të bënin luftën e tyre, ndoshta duke arritur edhe një paqe me grekët, si një mënyrë për të parandaluar një ndërhyrje nga ana e aleatëve. Por Gjermania do ta pushtonte Greqinë në prillin e vitit 1941.
18 Nëntor 401 – Visigotët, të udhëhequr nga mbreti Alarik I, kalojnë Alpet dhe pushtojnë Italinë veriore.
18 Nëntor 1095 – Nis punimet Këshilli i Klermontit, i thirrur nga Papa Urbani II, që do të miratonte nisjen e Kryqëzatës së Parë në Tokën e Shenjtë.
18 Nëntor 1872 – Susan B.Anthony dhe 14 gra të tjera, arrestohen për shkak se guxuan të votojnë në zgjedhjet presidenciale amerikane të atij viti.
18 Nëntor 1883 – Hekurudhat amerikane dhe kanadeze, krijojnë 5 zona kohore standarde kontinentale, duke i dhënë fund konfuzionit me qindra orët lokale.
18 Nëntor 1961 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, John F. Kennedy, dërgon 18.000 këshilltarë ushtarakë në Vietnamin e Jugut.
18 Nëntor 1987 – Në Londër, 31 njerëz vdesin gjatë një zjarri të madh që shpërtheu në metro.
18 Nëntor 1988 – Presidenti i SHBA-së, Ronald Reagan, nënshkruan një projekt-ligj që lejon dënimin me vdekje të trafikantëve të drogës.
18 Nëntor 1991 – Pas një rrethimi 87-ditor, qyteti kroat i Vukovarit bie në dorë të ushtrisë jugosllave dhe forcave paraushtarake serbe.
18 Nëntor 1993 – Në Afrikën e Jugut, 21 parti politike miratojnë një kushtetutë të re, duke zgjeruar të drejtat e votimit, dhe duke i dhënë fund sundimit të pakicës së bardhë.