Nga Walter G. Moss
“Mënyra më e lehtë për të fituar vota, këto ditë, është përmes shitjes së të shkuarës”. Kështu thuhej në artikullin e titulluar “Politika e së ardhmes me kokën pas” e britanikes ‘Financial Times’. Dhe ajo e lidh “nacionalizmin nostalgjik” të Donald Trampit “Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe” me sloganin e Brexit të “Rimarrjes së Kontrollit” dhe “restaurimin e fuqisë ruse nga ana e Vladimir Putinit”.
Artikulli në FT përmend edhe rilindjen e nacionalizmit nostalgjik në Francë, ku Marin Lë Pen drejton partinë e krahut të djathtë të Frontit Kombëtar. Por, ai vë në dukje se 39-vjeçari Emanuel Makron, një centrist i pavarur, që tashmë duket se do të jetë rivali kryesor i zonjës Lë Pen në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, kontraston me këtë të fundit duke qenë më shumë “futurist”.
Disa muaj më parë një tjetër artikull në FT, përmendte Kinën dhe Turqinë si vende ku “nacionalizmi nostalgjik” kishte fituar terren. Media të tjera, kanë shkruar në lidhje me dukuri të ngjashme, në Hungarinë dhe Austrinë e sotme.
Në nëntor të vitit 2016, një artikull në “New York Times” theksonte se politikani i suksesshëm polak, Jarosłlav Kazinski, dhe pasuesit e tij “kishin lëvizur kohët e fundit me një shpejtësi të habitshme… me shpresën e largimit të Polonisë nga orbita e Evropës Perëndimore, dhe rikthimin e saj tek një e shkuar e përcaktuar nga familja, kisha dhe shtëpia”.
Ajo që po ndodh aktualisht në pjesë të ndryshme të botës, është një reagim kundër globalizimit, emigracionit, terrorizmit, dhe fenomeneve të tjera që janë duke e ndryshuar botën e njerëzve më shpejt, se sa këta të fundit mund të përballen me të, dhe të gjithë duke e inkurajuar nacionalizmin nostalgjik. Në disa aspekte, kjo na kujton rikthimin kah nacionalizmi i krahut të djathtë, në Evropë, gjatë viteve 1920-1930, teksa kërcënimet nga komunizmi dhe krizat ekonomike (të shkaktuara nga Lufta e Parë Botërore dhe Depresioni i Madh) çorientuan një numër të madh njerëzish, duke i bërë ata shumë më të ndjeshëm ndaj thirrjeve të Musolinit, Hitlerit, Frankos dhe disa liderëve të Evropës Lindore me koktejlin e tyre toksik ideologjik që iu drejtohej të çorientuarve dhe frikësuarve.
Nacionalizmi nostalgjik i Trampit – “Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe” – iu drejtohet njerëzve nën të njëjtën gjendje mendore. Ja si i përshkruan shkrimtari Xhorxh Sounders, mbështetësit e Trampit në mesin e vitit të kaluar: “Ata e donin vendin e tyre, dukeshin naivisht në panik për shkak të dështimit të perceptuar të SHBA-së, ata ndjenin se gjendeshin përballë humbjes së diçkaje të çmuar. Ata ishin, në përgjithësi, në favor të rendit… Disa qenë të prekur nga vështirësitë financiare.
Shumë syresh besonin se “qenë lënë në baltë nga qeveria e tyre. Ata ishin kundër rregulloreve dhe pro biznesit të vogël” dhe të ndjeshëm ndaj “çfarëdolloj shkelje të lirive të tyre… Ata kërkonin me ngulm zbatimin e ligjit dhe të drejtave të veteranëve”. Sounders beson se shumë mbështetës të Trampit vuajnë nga ajo që ai e quan “sindromi i uzurpimit nga ankthi”, të cilën ai e përkufizon si “ndjesia që ai është ose thuajse i shtypur apo shfrytëzuar nga disa të tjerë (si emigrantët e paligjshëm) për qëllime të dyshimta”.
Grupi më i madh i mbështetësve të Trampit janë burra të moshuar të bardhë, shumica e të cilëve jetojnë në qytetet e vogla dhe zonat rurale. Pjesa dërrmuese e tyre kishin frikë se “Ëndrra Amerikane” qe duke u kërcënuar. Pesë vjet më parë Xhon Mikam, biografi i Tomas Xhefersonit dhe Endrju Xheksonit, e identifikoi këtë ëndërr si “bindjen shumëvjeçare se ata që punojnë shumë dhe luajnë sipas rregullave, do të shpërblehen me një tashme më të rehatshme dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre”.
Ashtu si Aleksis dë Tokvil dhe shumë vëzhgues të tjerë të Amerikës, Mikam mendon se në pjesën dërrmuese të historisë së SHBA-së, qytetarët e saj kane qenë largpamës dhe optimistë, sidomos në krahasim me evropianët, të cilët ishin më tradicionale dhe të ndërgjegjshëm për të kaluarën.
Siç ka shkruar Maks Lerner, në librin e tij ‘‘Amerika si një qytetërim” (1957), “Tema e premtimit ka qenë miti i madh social i Amerikës”. Por, që në vitin 2012, Mikam e kuptoi se ëndrra qe duke u kërcënuar dhe se “sistemi politik amerikan nuk po tregon shenja të arritjes së zgjidhjeve proporcionale mbi problemet e ditës”.
Nostalgjia për ditë gjoja më të mira dhe prestigj më të madh kombëtar, së bashku me vektorët e rinj të frikës – qofshin këta emigrantët, minoritetet, terroristët, globalizimi, teknologjitë e reja apo çfarëdo tjetër që mund të shfaqet – mund t’i motivojë votuesit për të mbështetur një Tramp, Lë Pen, apo Putin, ashtu si shumë njerëz mbështesnin forcat e krahut të djathtë në Evropë, gjatë viteve 1920-1930.
Por, ne të gjithë e dimë, duke përfshirë edhe liderët autoritarë, se nuk ka kthim prapa dhe, se na pëlqen apo jo, ne vazhdojmë të ndryshojmë gjithnjë e më shpejt teksa shekulli XXI ecën përpara.
Përballë këtij ndryshimi të shpejtë dhe të gjitha sfidave që ai paraqet, cili duhet të jetë qëndrimi ynë ndaj të kaluarës dhe të ardhmes? Si historianë dhe dashamirës të historisë, ne mund të jemi më mirënjohës ndaj të shkuarës, sesa qytetarët e tjerë. Dhe tundimi për t’i rezistuar ndryshimeve që shkatërrojnë, është i fortë dhe jo pa arsye.
Ne shpesh e etiketojme rezitencën ndaj ndryshimeve teknologjike si “Ludizëm”, sipas emrit të punëtorit anglez, Ned Lud, të shekullit XVIII, i cili udhëhoqi turmat e kolegëve të tij drejt shkatërrimit të makinerive të tekstileve, të cilat besonin se po u rrëmbenin vendet e punës.
Por nuk është e vështirë të jesh dashamirës me ta apo poetët romantikë, që përçmuan efektet negative të Epokës Industriale, apo Tomas Karlilin, të cilët druheshin se “njerëzit janë duke u mekanizuar në kokë dhe në zemër, ashtu si në dorë”.
Më vonë gjatë shekullit XIX-të e deri më sot, ka pasur të tjerë që kanë qortuar shumë nga efektet e revolucionit industrial, që filloi në Angli në shekullin XVIII. Dy prej tyre janë shkrimtari rus, Leon Tolstoi, dhe shkrimtari modern amerikan, Uendëll Berri, i cili konsiderohet si një “Ludist i çuditshëm”, pasi dikur ka shkruar një ese me titull “Pse nuk do të blej ndonjëherë një kompjuter”.
Një tjetër kritik i sistemeve industriale moderne, qofshin kapitaliste apo komuniste, ishte ekonomisti dhe ambjentalisti E.F. Shumaker. Në librin e tij me ndikim në fillim të viteve 1970, “E vogla është e bukur”, ai rendit 5 arsye pse mendonte se shoqëria industriale moderne do të dështonte, duke përfshirë edhe ato mjedisore, shoqërore, dhe morale, si dhe kultivimin e dhunës.
Megjithatë, pavarësisht nga shqyrtimet e shumta etike dhe të rrafsheve të tjera të këtyre individëve, ngjan e mençur të pranohet këshillat e psikologut, futurologut, dhe dijetarit, Tomas Lombardo, i cili kërkon që ne të “kontribuojmë në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të qëllimtë në vazhdimin e evoluimit vetjak, por edhe të njerëzimit, natyrës dhe kozmosit”.
Ndërsa kupton vlerën e studimit të kaluarës – “Kujtimi i të shkuarës… është themeli i njohurive si për dijen e së tashmes, ashtu edhe të ardhmen, si dhe për urtësinë” – Lombardo beson se çështja më qendrore e jetës sonë është “Si të mundim të krijojmë një të ardhme të mirë?”
Për ta arritur këtë, ne kemi nevojë për një “kuptim të plotë të prirjeve, sfidave, mundësive aktuale dhe atyre të ardhshme”, një kuptim të pasuruar me njohuritë tona të së kaluarës. Një orientim i tillë i ardhshëm, nuk do të thotë që ne duhet të pranojmë të gjitha aspektet e shoqërisë sonë teknologjike në zhvillim e sipër, ku ne ndjekim këshillën e dhënë dikur, në mesin e viteve 1950, në SHBA, të një konsulenti të marketingut:
“Ekonomia jonë jashtëzakonisht produktive… kërkon që ne ta shndërrojmë konsumin në një mënyrë të jetës tonë, çka e konverton blerjen dhe përdorimin e mallrave në ritual, ku ne kërkojmë kënaqësitë tona shpirtërore, kënaqësitë tona egoiste, tek konsumi… Ne kemi nevojë që gjërat të konsumohen, digjen, grisen, zëvendësohen, dhe flaken në koshin e plehrave në një shkallë gjithnjë e më të madhe”.
Jo, në vend të kësaj ne mund të punojmë për një ekonomi dhe shoqëri më të qëndrueshme, e cila të jetë më shumë miqësore ndaj mjedisit. Lombardo na nxit të krijojmë “Një Epokë të Urtësisë” dhe, sigurisht, diçka e tillë kërkon respekt për mjedisin tonë, sikundër Papa Françesku dhe të tjerët kanë apeluar.
Kjo, gjithashtu, kërkon një botë më të drejtë dhe të mëshirshme, dhe më pak të dhunshme. Se si duhet mbërritur atje, kjo mbetet një çështje e hapur. Njerëz si E.F.Shumaker dhe Uendëll Berri, inkurajojnë ndërmarrjen e hapave të vogla lokale, që i rezistojnë industrializimit në shkallë të gjerë dhe bujqësisë.
Një mënyrë për t’i rezistuar të ardhmeve si ajo e “Vitit 1984”, që disa kanë frikë se do të sjellë Presidenti Tramp, është inkurajimi i diversitetit dhe eksperimenteve. Krijimi i një bote të mençur do të kërkojë të gjithë kreativitetin, imagjinatën dhe kurajon që ne mund të grumbullojmë, si dhe mësimin e leksioneve të vlefshme nga e shkuara jonë. Ajo, gjithashtu, do të kërkojë tejkalimin e “nacionalizmit nostalgjik”, që nuk i drejtohet pjesës më të mirë brenda nesh, por vetëm frikërave dhe pasigurive tona.
“Historynewsnetwork.org”
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce
*Uollter G. Mos është profesor i historisë në Universitetin e Miçiganit Lindor në SHBA dhe autori i librit “Një epokë e progresit? Përplasja e forcave globale në shekullin XXI” (Anthem Press, 2008).