Një anije cisternë me flamur Tanzanie ka ngecur në drejtim të fshatit Tale, ndërsa reshjet intensive të shiut dhe dëborës kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën në disa zona të Qarkut Lezhë, duke shkaktuar përmbytje, bllokime rrugësh dhe evakuime familjesh.
Mësohet nga Kapiteneria e Portit Shëngjin se anija M/V “BESART” ka hasur vështirësi në lëvizje, ndërkohë që autoritetet po monitorojnë situatën.
Paralelisht, problematikat më të rënda në tokë raportohen në bashkinë Kurbin, ku çarja e argjinaturës së lumit Drojë ka sjellë rritje të nivelit të ujit në fshatin Adriatik,
Disa familje kanë kërkuar të largohen nga banesat, ndërsa një familje pranë Hidrovorit të Drojës në Fushë Mamurras është evakuuar që në orët e para të mëngjesit. Banesa të rrethuara nga uji raportohen edhe pranë rrugës Laç–Mamurras, në lagjen Sanxhak dhe në fshatin Gjorm, ku një segment rrugor 200–300 metra është bërë i pakalueshëm.
Hidrovorët e Drojës dhe Shëllinzës po punojnë në kapacitete kritike për shkak të prurjeve të larta, ndërsa toka bujqësore në Adriatik, Fushë Mamurras dhe Fushë Kuqe janë përmbytur. Gjatë ditës pritet ndërhyrja e mjeteve të Forcave të Armatosura për riparimin e aksit Gallatë–Vinjollë, në Milot.
Në bashkinë Lezhë situata paraqitet më e qetë, por ekipet vijojnë punën për zhbllokimin e kanaleve dhe largimin e ujit nga bodrumet dhe nga rruga Shëngjin–Kune. Në Mirditë, lumi Fan i Vogël ka gërryer toka bujqësore dhe ka dëmtuar dy shtylla të energjisë elektrike në fshatin Kodër Rrëshen, ndërsa kërkohet ndihmë me mjete të rënda për ndërhyrje emergjente.
Autoritetet bëjnë me dije se, pavarësisht situatës, procesi mësimor në të gjitha bashkitë e Qarkut Lezhë po zhvillohet normalisht, ndërsa strukturat e emergjencave mbeten në gatishmëri të plotë.ministrative Mamurras.














