Tre lule u shkëputen nga jeta, tre nëna të mbytura në lot, vajtojnë bijtë e tyre, të cilët nuk do ti shohin, nuk do ti prekin, nuk do ti flasin më, vetëm do ti kujtojnë se dikur im bir jetonte…
Aksidenti tragjik i një ditë më parë, I mori jetën tre të rinjve, kushërinj me njëri tjetrin.
Makina me të cilën ata po udhëtonin përfundoi në kanal ndërsa po ktheheshin nga Lugina e Patokut, ku kishin konsumuar drekë së bashku.
Shoferi I cili tentoi të shmangte gropën, nuk ja doli dot, pasi makina e tyre përfundoi në kanal, brenda së cilës ishin trupat e tre të rinjve.
Sipas Policisë, aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 14:30 të së martës në fshatin Adriatik të Kurbinit, ku viktima mbetën Juli Margjini, 22 vjeç, banues në Kombinat, Simon Kaza, 20 vjeç dhe Bert Marku, 17 vjeç, të dy banues në Adriatik të Kurbinit. 22-vjeçari nga Tirana ishte në drejtim të makinës dhe dyshohet se shkak për daljen nga rruga është bërë tentativa për të shmangur një gropë.
Familjarët mësohet se kanë shkuar në vendin e ngjarjes menjëherë pasi janë lajmëruar për aksidentin dhe kanë vënë kujën.
Te afërmit kanë postuar dedikime prekëse në rrjetet sociale për Juli Margjinin, i riu që është i vetmi nga viktimat që ka profil në FB.