Ka nisur edicioni i Tetë i Bienales muzikore të Durrësit mbrëmjen e kaluar dhe sipas traditës është hapur me “Natën e Muzikës Baroke”. Florian Vlashi, drejtori artistik i Festivalit prezantoi Orkestrën Rinore, e cila interpretoi pjesë nga veprat e familjes Bach, Johan Sebastian, dhe Carl Filip Emanuel, përkatësisht Koncertin për dy violina dhe sinfonitë nr.3 dhe nr.5.
Instrumentistët e rinj të Durrësit ja dolën të realizojnë me sukses performancën e tyre, nën drejtimin e violinistit Florian Vlashi dhe solistes Irina Nanushi, duke fituar duartrokitjet e publikut të pranishëm që mbushi hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit bregdetar.
Koncerti i parë i Bienales 2017 iu kushtua pedagogut dhe violinistit Vaso Papa, i cili u nda nga jeta dy vjet më parë. Të rinjtë interpretuan “Lamento” nga Johan Cristof Bach, ndërsa gazetari Gëzim Kabashi lexonte kushtimin e shkruar nga Florian Vlashi për ish-mësuesin dhe mikun e tij artist.
Ndërkohë që sot paradite po zhvillohet konkursi “Nata e Yjeve të Rinj”, në shkollën artistike “Jan Kukuzeli” me pjesëmarrës nxënësit e kësaj shkolle. Fituesi i konkursit bashkë me simbolin e përgatitur nga skulptori Kujtim Turkeshi do të fitojë të drejtën e një koncerti në Spanjë, vend ku jeton dhe punon që prej 25 vitesh familja Vlashi.
Gjatë këtij Edicioni janë konceptuar 8 koncerte në Katedralen “Shën Luçia” dhe në Muzeun Arkeologjik, ndërsa jashtë programit do të zhvillohen koncerte në Spitalin rajonal të qytetit, si dhe në Institutin e edukimit të Minorenëve në Kavajë.