Mbrëmjen e 12 nëntorit u sulmua me armë dhe u grabit familja e biznesmenit të transportit ndërkombëtar Elton Kelmendi, në lagjen 14 në Shkozet. Nga hetimet që ka kryer policia e Durrësit pas grabitjes së biznesmenit, ka dalë në përfundimin se autorët rezultojnë grabitës profesionistë, pasi nuk kanë lënë asnjë gjurmë për identifikimin tyre.
Burime nga grupi hetimor bënë me dije se grabitësit fillimisht kishin marrë celularët e të zotëve të shtëpisë, i kishin fikur dhe vetëm të nesërmen celularët janë gjetur të hedhur në disa rraqe të shtëpisë. Hetuesit shpresonin që nga telefonat të gjenin edhe itinerarin që kishin kryer tre grabitësit profesionistë të banesës së Elton Kelmendit.
Dyshimet e para
Ndonëse ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga ana e uniformave blu, dyshohet se autorët jenë kontigjent i botës së krimit, ish të dënuar për grabitje me dhunë, nisur nga veprimet preçize të neutralizimit të familjes dhe të grabitjes së parave. Mund të jenë edhe nga qytete të tjera të vendit, dhe të jenë ndihmuar nga persona të tjerë në Durrës që kanë dijeni për aktivitetin e biznesmenit, dhe të parave qe kishte në banesë.