Marina ukrainase deklaroi të dielën se Rusia ka qëlluar dhe ka konfiskuar 2 luftanije të sajat. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur pranë brigjeve të gadishullit të aneksuar të Krimesë. Ndërsa kujtojmë se tensionet mes dy vendeve kohet e fundit janë rritur ndjeshëm.
Në komunikatën e marinës ukrainase thuhet se dy luftanijet dhe një rimorkiator u kapën nga forcat speciale ruse pas një ndjekje në det. Dy anëtarë të ekuipazhit u plagosën.
Kremlini nuk ka komentuar ende mbi ngjarjen, por më herët Moska akuzoi Ukrainën se ishte futur ilegalisht në ujërat ruse.
I gjithë tensioni përjetohet afër brigjeve të gadishullit të Krimesë, të cilën Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.
Marina ukrainase tha se luftanijet u qëlluan dhe u dëmtuan teksa po largoheshin nga zona. Ndërsa rimorkiatori u detyrua të ndalonte. Më herët të dielën, Rusia dislokoi dy avionë luftarakë dhe dy helikopterë për të monitoruar luftanijet ukrainase./TIRANA TODAY/