Departamenti Amerikan i Shtetit, shpalli ditën e sotme ”non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij.
Lidhur me këtë vendim, ka ardhur reagimi i parë nga Partia Demorkatike, teksa nënkryetari i kësaj force politike Edi Paloka, ka publikuar dy foto në rrjetin social, Facebook.
Në njërën foto shihet ish-kryeministri Berisha me ish-Presidentit të SHBA-ve, George Bush në vitin 2007 kur tha se Kosova duhet të shpallet e pavaruar, dhe në foton tjetër, kryeministri Edi Rama me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Këtë postim Paloka nuk e ka shoqëruar me shkrim, por le të kuptohet se shpallja ”non grata” e Berishës, mund të ketë lidhje edhe me çështjen e Kosovës.
Lajmi për shpalljen ”non grata”, u dha nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili njoftoi zyrtarisht se Berisha ka minuar demokracinë, dhe se gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit, është përfshirë në afera korruptive.
Në faqen zyrtare, DASH ka publikuar vendimin e plotë, ku thuhet se Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive për shpërdorim të fondeve publike, dhe ndërhyrje në proceset publike duke përdorur pushtetin.
Në vendimin e tij, Blinken ka përcaktuar si të papërshtatshëm edhe bashkëshorten e ish-kryeministrit Liri Berisha, djalin Shkëlzen Berisha dhe vajzën Argita Berisha Malltezi.