Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në një dalje publike për mediat sot në 7 maj, pasi doli nga salla e Kuvendit, komentoi raportin e Parlamentit Europian.
Berisha u shpreh se raporti i PE-së tregon se zgjedhjet në vendin tonë u vodhën. Sipas tij, me Ramën nuk ka zgjedhje të lira.
“Raporti i PE-së thotë se zgjedhjet në Shqipëri u zhvilluan në kushtet e partisë-shtet, në kushtet e linjës ndarëse mes institucioneve shtetërore dhe strukturave të partisë. Raporti dëshmon farsën elektorale në Shqipëri. Raporti dëshmon se zgjedhjet janë vjedhur.
Po ashtu, raporti kërkon që parlamenti të jetë forumi kryesor i procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Por, Rama përpiqet ta dobësojë rolin e Kuvendit. Rama nuk vjen fare në Kuvend, duke treguar mosrespekt të thellë. Nuk duron dot t’i lexohen veprimet dhe vjedhjet e tij”, tha Berisha.
Komentoi çmimin e naftës, duke deklaruar se karburantet kanë taksën më të lartë në kontinent. Tha se një shqiptar mesatarisht paguan shtatë herë më shumë për naftën sesa një gjerman.
“Çmimin e naftës, qytetarët e kanë dhuratë nga Edi Rama. Shqipëria e ka taksën e naftës deri në 55 përqind të çmimit. Nëse gjermani punon më pak se 1 orë për litrin e naftës, shqiptari punon një ditë. Në buxhetin familjar, shqiptarit i kushton nafta 7 herë më shtrenjtë se gjermani”, u shpreh Berisha.
Në fund, ftoi qytetarët nesër në protestën e opozitës. Kryedemokrati bëri thirrje për dalje në protestë, kundër asaj që quajti, korrupsion madhor qeveritar.
“Nesër çdo shqiptar të paraqitet në protestë, për t’i thënë kësaj qeverie se AKSHI nuk mbyllet kurrë, se farsa elektorale nuk mbyllet kurrë. Rama është i plagosur politikisht për vdekje. Qytetarët të paraqiten në këtë protestë, për të mbrojtur interesat e tyre. Rama në fund në sallën e gjyqit do përfundojë, as mos e diskutoni. Nesër të gjithë në Tiranë, do jetë zëri i fuqishëm i shqiptarëve”, përfundoi Berisha.
/tvklan.al















