Kryetari i PD-së Sali Berisha në fjalën e tij gjatë konferencës për media me qytetarët sot në 23 shkurt, komentoi sërish shembjen e rrugës në aksin rrugor Librazhd-Prrenjas.
Ai tha se shembjet ndodhin, për shkak të korrupsionit qeveritar. Berisha u shpreh se Rama në Korçë udhëtoi me helikopter, sepse aksi është bllokuar. Sipas tij, Rama ka shkuar në qytetin juglindor me dy helikopterë, duke harxhuar 30 mijë euro. Kreu demokrat iu bëri thirrje qytetarëve që ta gjuajnë kryeministrin me domate e vezë.
“Ajo që po ndodh me rrugët e vendit është dëshmia më flagrante sesi korrupsioni mund të godasë një vend. Prej tre ditësh, juglindja e vendit është e dënuar nga një shembje e krijuar nga dora kriminale e njeriut të korruptuar. Është ndërhyrë në lumë pa asnjë standard dhe është shembur hekurudha dhe rruga. Shembja nuk ka lidhje as me motin e asgjë, por janë dëme krejtësisht nga dora e njeriut.
Nuk ka mbetur segment rruge e ndërtuar nga kjo qeveri, që mos të jetë shembur. Shembet rruga në Vlorë, në Korçë, shemben në katër anët e vendit, sikur janë ndërtuar me kashtë dhe jo me strukturat e duhura të ndërtimit. Janë vepra të korrupsionit. Më dramatike është heshtja kriminale e drejtësisë. Edi Rama ka shkuar në Korçë me dy helikopterë, duke shpenzuar për rrugën 30 mijë euro. Qytetarët e Korçës ta gjuajnë me domate dhe vezë, se është hajdut”, tha Berisha.
Më tej, Berisha akuzoi Ramën se ka bërë marrëveshja të fshehta, me qëllimin e vetëm që të shpëtojë lëkurën e tij dhe të familjes së tij. Kryedemokrati po ashtu deklaroi se protesta e së shtunës më 28 shkurt do të jetë më madhështorja që është parë ndonjëherë.
“Rama ka bërë marrëveshje të fshehta për të shpëtuar lëkurën e tij. Ai po përpiqet që ta kapitullojë dhe asgjësojë drejtësinë. Gjithçka ai e ka bërë për lëkurën e tij dhe për familjen e tij. Këta shkatërrojnë prova dhe kërcënojnë me dhjetëra dëshmitarë, vetëm që mos të dalin të përfshirë në afera korruptive. Ndërkohë e dini, se e shtuna është dita e kryengritjes paqësore. Qytetarët mezi e presin këtë ditë dhe do të jetë kryengritja më e fuqishmja që ka njohur vendi. E shtuna është dita e triumfit të shqiptarëve mbi hajdutët. Për protestën, nuk kam pse t’i bëj publike idetë, por duhet të vendos bashkë me bashkëpunëtorët e mi”, përmbylli Berisha.
Në fund të fjalës së tij, kryetari i PD-së Berisha tha se Rama është strumbullari i së keqes dhe se rrënjët e korrupsionit gjenden pikërisht tek ai.















