Ish-kryeministri Berisha ka mbajtur një fjalim sot në “Çadrën e Lirisë”, ku i kërkoi Ramës të mos bënte hapa drejt zgjedhjeve parlamentare.
Berisha tha se vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje pa opozitën, si dhe shtoi se qytetarët janë gati të japin jetën dhe jo votën, duke paralajmëruar kështu, edhe përshkallëzim të reagimit qytetar opozitar.
“Mos guxo të bësh hapa drejt zgjedhjeve, sepse do kesh fundin fatal që meriton. Mos mendo se mund të përfaqësosh votën e qytetarëve. Jetën janë të vendosur ta japin, por votën jo. Mjerë ti po vazhdove në këtë rrugë. I keni orët e numëruara, do ikni nga Shqipëria me fustane grash si Gramoz Ruçi në ’96-ën. Të jesh i bindur që ata që ke përreth dhe nuk të lejojnë ty të japësh dorëheqjen, nuk kanë asnjë hall tjetër vetëm milionat që kanë vjedhur bashkë me ty. Nuk kanë asnjë dashuri tjetër, përveçse mundësisë për të vjedhur më shumë. Ata do t’ia mbathin, midis tyre edhe me rroba grash siç bëri Gramoz Ruçi në 1996. Tani nuk është 1996, por Revolucioni Demokratik, i cili do t’u krehë me radhë. Paralajmërimi së fundmi është ky, mos imagjino se do shkosh në zgjedhje duke u përvetësuar votën shqiptarëve. Mjerë ti po vazhdove në këtë rrugë”, u shpreh Berisha në mbyllje të fjalës së tij.