Gazetari Xhevahir Zhabina, i ftuar në një studio televizive, foli mbi hetimet e SPAK ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj. Zhabina thotë se deri më tani SPAK s’i ka hyrë mënyrës si janë zhvilluar tenderat nga Ministria e Shëndetësisë, por një gjë e tillë nuk përjashtohet.
Gazetari thekson se aktualisht po hetohet lidhja e Beqajt me Dorian Sadikun, që është zotërues i 50 për qind të “Delta Holding, e cila zotëron “Delta Farm”, që ka marrë 47 tendera në vite. Sadiku ka qenë klient i restorant “Gzona” që dyshohet se mund të ketë lidhje me ish-ministrin.
“Në këtë hetim nuk di të them nëse SPAK do t’i hyjë mënyrës si janë zhvilluar tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë në vite, që duhet thënë që kanë pasur problematika të mëdha. Te SASPAK del në dritë emri i një personi, që është aksioner në një depo të rëndësishme farmaceutike në vendin tonë, Dorian Sadiku, që është zotëruesi i 50 për qind i ‘Delta Holding’, e cila zotëron ‘Delta Farm’, kompani që ka marrë 47 tendera nga një verifikim i thjeshtë që i bëra në ‘Open Data’ dhe pjesa më e madhe janë në Ministria e Shëndetësisë.
Te SASPAC, SPAK e ka lidhur me një faturë që restorant ‘Gzona’ ia ka dërguar kompanisë së Sadikut, rreth 10 milionë e gjysmë lekë, nga 2019 deri 2023. ‘Gzona’ ka shitur mall në drejtim të kësaj kompanie. Grupi hetimor është fokusuar të gjejë nëse ka lidhje mes ish-ministri Beqaj dhe këtij personi, për të parë nëse kompania e tij farmaceutike është mbështetur më shumë seç duhet nga ish-ministri i Shëndetësisë. Deri në këtë fazë SPAK s’u ka hyrë tenderave në shëndetësi. Ka bërë këtë lidhje deri në këtë moment, por s’përjashtohet të shkojë edhe te tenderat në Shëndetësi nëse do gjejë një lidhje mes ‘Delta Farm’ dhe Beqajt. Sadiku ka qenë klient i restorant ‘Gzona’ që dyshohet se mund të ketë lidhje me ish-ministrin. Ka marrë vazhdimësi tendera nga MSH dhe janë duke u verifikuar”.