Bardh Spahia, anëtar i kryesisë së PD-së, i ka kërkuar SPAK-ut të përshpejtojë hetimet ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci. Në një deklaratë të fortë, ai e cilësoi Becin si “kryehajdutin e Shkodrës” dhe pretendoi se pasuria e tij e pajustifikuar është një tregues i qartë i korrupsionit.
Spahia akuzoi Becin për një jetë luksoze të ndërtuar përmes vjedhjes së fondeve publike dhe tha se SPAK duhet të verifikojë menjëherë pasuritë e tij dhe të familjes së tij. Ai shtoi se ardhja e Becit në krye të Bashkisë Shkodër ishte rezultat i bashkëpunimit me krimin dhe financimit përmes korrupsionit.
Duke bërë thirrje për largimin e Edi Ramës nga pushteti, Spahia ftoi qytetarët të bashkohen me PD-në në protestën e 11 majit.
‘Tani është koha që kryehajdutit të Tiranës Erion Veliaj, t’i bashkohet edhe kryehajduti i Shkodrës, Benet Beci”- u shpreh Spahia në një postim në rrjetet e tij sociale.
SPAK duhet të hetojë urgjent pasuritë dhe pronat e Benet Becit dhe familjes së tij të cilat janë vënë duke vjedhur dhe varfëruar shqiptarët.
Vilat, luksi dhe pasuritë e Benet Becit janë tallje për qytetarët e ndershëm, janë tallje për të varfërit dhe të papunët. Benet Beci erdhi në krye të Bashkisë Shkodër në bashkëpunim me krimin dhe me paratë e korrupsionit.
Çdo ditë që ai qëndron në zyrë është një ditë e keqe për Shkodrën dhe për demokracinë“- tha Bardh Spahia.