Belind Këlliçi, ish-kandidat për bashkinë e Tiranës përballë Erion Veliajt dhe drejtues politik i PD-së në Tiranë, duke komentuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV arrestimin e kryebashkiakut u shpreh se SPAK e mbajti 17 ditë në sirtar dhe e firmosi mbrëmë sepse sot në Tiranë ishte krahu I djathtë i presidentit Trump, Kris Lacivita, që erdhi për të bërë edhe fushatën e Sali Berishës për zgjedhjet e 11 majit.
“Besoj se drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar. Janë marramendëse shifrat që fliten, 860 mijë euro blerje online, por janë thërrime në raport me hajdutërinë e faktuar katërcipërisht me inceneratorin e Tiranës, ku nuk ka një tillë akoma, janë vjedhur 132 milionë euro apo me 5D ku janë vjedhur 30 mln euro nga drejtorët e Veliajt dhe ky i ka dhënë të paktën 3 leje ndërtimi.
Nëse Veliaj shkonte para ligjit në kohën e duhur dhe për veprat penale që është përgjegjës, nuk kam pikën e kompleksit për të duartrokitur Dumanin dhe SPAK.
Olsi Dado këtë dosje ka patur në dorë.
Thelbi është ky, duhet të dimë të diferencojmë edhe punën që bën SPAK. Në rastin e hetimit pasuror, ka patur tjetër ritëm, Olsi Dados nuk kam çfarë t’i them, është dosje e iniciuar nga Nesti Angoni, nuk e di a është Nesti Rama, Nesti Balluku apo Nesti Mazniku, e me radhë.
Në rastin tjetër, edhe me zotin Klodian Braho, ka patur ritëm tjetër, por ka ngecur. Zoti Braho nuk na thotë kush ështrë autoriteti që ka firmosur lejet.
Por, nuk them dot të njëjtën gjë për Dritan Prençin, që është marrë peng nga Veliaj. Është tallje me qytetarët.
Pra të jemi objektivë, se si e trajtojmë këtë institucion. Dumani po të kishte vullnet për të shkuar deri në fund, pse nuk e futi veten te dosja e inceneratorit të Tiranës? Të njëjtën gjë me 5D.
Dua të jem korrekt me ato që them.
Me të vërtetë thoni se nuk e besonim, ju kam thënë se do të shkohet në këtë skenar, sepse janë të pamohueshme faktet, por duhet ta shohim deri në fund se si shkon kjo histori. Mund t’ja bëjnë edhe si Lefter Kokës, që i shtuan akuzat. Lefter Kokës edhe po ndodhi ndonjë vjedhje në Tiranë këto ditë, ja veshin.
Veliajt mund t’i rrasin edhe këto anijet e Vlorës “Tigri 1” dhe “Tigri 2”. Mund të jenë edhe afera të tjera të Ramës rrugës, por duhet ndjekur hap pas hapi.
Arrestimi i një delinkuenti, për mua është lajm i mirë për këdo qytetar, dhe mesazh për çdo qytetar që t’i dridhen leqet e këmbëve kur firmosin.
Më vjen mirë që çrrënjosja e perandorisë së Soros ka nisur me kukullën numër dy, mbetet për t’u parë kukulla numër një.
100% ka ndikuar edhe fitorja e Trump në SHBA, nuk funksionon linja që binte në SPAK dhe gjykatë. Përkundrazi është problem, fotot me “vëllain” janë kthyer në problem.
Mjafton të shihni një detaj, kjo dosje ka mbetur në gjykatë për 17 ditë. SPAK e ka bërë kërkesën në 24 janar. Por, fakti që është firmosur mbrëmjen e djeshme, kur është marrë vesh që në Tiranë ka ardhur krahu i djathtë i Presidentit Trump”-tha Këlliçi.