Në katedralen madhështore “Santa Maria del Fiore” në Firence, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e 70-vjetorit të shugurimit meshtarak të Kardinal Ernest Simonit sot në 4 maj, një event që u kthye në një homazh të thellë për jetën dhe veprën e tij.
Në fjalën e tij, Begaj e nisi me një ton emocional , duke theksuar se ishte “një nder i veçantë dhe një emocion i pashpjegueshëm të ishte në zemër të Firences, në katedralen ‘Santa Maria del Fiore’”. Ai vlerësoi figurën e Kardinal Simonit, të cilin e cilësoi si një bir të shquar të kombit shqiptar, një apostull të qëndresës dhe simbol botëror të lirisë së ndërgjegjes.
Duke iu referuar historisë së Shqipërisë nën diktaturë, Begaj theksoi se vendi kishte kaluar një nga periudhat më të errëta në komunizëm, ku një diktaturë i shpalli luftë Zotit, lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Sipas tij, historia e Kardinal Simonit është pjesë e kësaj dhimbjeje kolektive, sepse nuk është vetëm historia e një njeriu, por është historia e të gjithë atyre që vuajtën nën persekutimin komunist.
Presidenti nënvizoi se kjo periudhë përfaqëson ndoshta persekutimin më të ashpër fetar që ka njohur bota moderne, duke kujtuar 38 martirët e lumnuar, peshkopët dhe priftërinjtë e pushkatuar… vetëm e vetëm se besonin te Zoti.
Ai e quajti Kardinal Simonin “dëshmi e gjallë se asnjë regjim nuk mundi ta shfarosë besimin dhe dinjitetin njerëzor”. Në fjalën e tij, Begaj theksoi se “besimi nuk matet në kohë të qeta, por në kohë sprove”, duke shtuar se dinjiteti i njeriut nuk varet nga rrethanat, por nga qëndrimi që ai mban përballë tyre”. Këto fjalë u përsëritën si një bosht moral i gjithë mesazhit të tij.
Duke folur për kohët e sotme, Presidenti u shpreh se tashmë Shqipëria është një vend tjetër, vend i lirë, që respekton besimin dhe dinjitetin njerëzor, ndërsa shtoi se harmonia ndërfetare është një nga vlerat më të çmuara dhe më të bukura që kemi.
Megjithatë, ai kujtoi se kjo liri nuk erdhi pa sakrifica: “Kjo liri nuk erdhi vetë. Ajo ka emra, ka histori, ka sakrifica. Dhe një nga këta emra është pa dyshim Kardinali Ernest Simoni”.
Një moment i veçantë në fjalim ishte përmendja e vitit 2014, kur Papa Françesku dëgjoi dëshminë e Kardinal Simonit. Sipas Begajt, ajo dëshmi preku jo vetëm Atin e Shenjtë, por mbarë botën, ndërsa theksoi se “lotët e Atit të Shenjtë ishin nderim për një jetë të kaluar në vuajtje, pa urrejtje, pa hakmarrje, me përulësi”.
Në vijim të fjalës, Begaj u ndal te vlerat morale, duke thënë se “madhështia nuk qëndron te fuqia apo fama, por te përulësia”. Ai shtoi gjithashtu se “njeriu bëhet i madh jo kur merr, por kur jep; jo kur sundon, por kur shërben”. Presidenti theksoi se Kardinal Simoni përfaqëson një model të gjallë të këtyre vlerave, duke e krahasuar figurën e tij me Nënë Terezën.
Në fund, Begaj shprehu mirënjohje të thellë, duke thënë: “Shqipëria Ju falënderon jo me fjalë protokollare, por me zemër! Jemi me fat që Ju kemi midis nesh!”. Ai e mbylli mesazhin me një urim të drejtpërdrejtë: “I uroj Hirësisë së Tij, Kardinal Ernest Simonit, shëndet, paqe dhe jetë të gjatë. Zoti e bekoftë!”















