Komisioni Evropian ka disbursuar një tjetër shumë prej 49 milionë eurosh për Shqipërinë, si pjesë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Fondet do të mbështesin reforma dhe investime kyçe që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, rritjen ekonomike, infrastrukturën dhe përmirësimin e qeverisjes.
Sipas njoftimit zyrtar, 22.8 milionë euro do të transferohen direkt në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për projekte investimi përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Me disbursimin e fundit, fondet totale të përfituara nga Shqipëria në kuadër të këtij instrumenti kanë arritur në 212.8 milionë euro.
Përveç Shqipërisë, Komisioni Evropian ka miratuar edhe 44.2 milionë euro për Malin e Zi dhe 65.7 milionë euro për Maqedoninë e Veriut.















