Nga: Vladimir Myrtezai
Nuk ishte as këngëtar, as yll kinemaje, as piktor legjendash apo trend mediatik, ishte thjesht Baxhaku, një model i ngrohtë, që të mbetet në kujtesë për formën e pazakontë të sjelljes, karakterit dhe ekuilibrit në shoqëri. Ai dinte të jepte dashni.
Njeri i sjellshëm, që e zhgërreu mirësjelljen në një hakmarrje të sheshtë e gri ndaj një shoqërie, që vuan në habitatin e saj agresiv, si e destinuar……
Nuk besoj, se dhimbja për një njeri mund të bëhet shkak për të errësuar arsyen dhe ndërmarrë një armiqësi të hapur me të gjithë të ndryshmit karshi modelit, që la Baxhaku. Jo! Nuk është kjo arsyeja, se pse ne si shoqëri kemi humbur cilësinë dhe kohën e mjaftueshme për të lexuar dhe veçuar njerëzit e mirë e me vlera. Kjo ka ndodhur ngaqë ne kemi përkrahur dhe po përkahim një garë
pa moral, pa din e iman me hierarki të deformuara dhe pa qetësinë e pranimit . Kjo rrugë, që kemi zgjedhur strehon forcën shkatërruese ose atë energji helmuese që kërcënon çdo stacion qetësie dhe mendimi, dy kushte këto për një qenie që gjurmon vlerat e jo shumimin e materies. Ky verbim i arsyes që shpërndan metastazat e veta në kurmin e njerëzores është një histeri kolektive e vet egos për epërsi dhe status në sytë e të tjerëve. Por, jo çdo herë ky ekuacion i jetës na afrohet si një çështje zgjedhjeje. Në të shumtë, në shoqëri të kultivuara na vjen si një aurorë, që në formë të thjeshtuar përmban një prani gati bruto të kulturës njerëzore, gjë që na afron me një ritëm më të sheshtë dhe më të kursyer, si dhe të përpjestuar demokratikisht në rendin shoqëror që përqafojmë.
Në llojin dhe në kripën e vet Baxhaku i takonte këtij soji, me ngjyrime dhe nuanca të përveçme, si një qytetar i Tiranës nga ata të sheshtit, që nuk bërtasin dhe që nuk rendin përpara duke koleksionuar flamuj zhurmues suksesi. I urrente këto oferta, duke shijuar për hesap të vet rrëkenë e ëndrrave të thjeshta, që në thelb bën, që ai ta jetonte jetën nën bekimin e mëvetshëm të lirisë.
Ky qe një dimension, që nuk e lejoi kurrë të tundohej nga mundësitë marramendëse, që i ofroi “sistemi”. Kjo ishte zgjedhja e tij pa përjashtuar apo ndërsyer askënd, duke dashur e shijuar të pjesëshmen, detajin, “personën” e jetuar në një bef të lartësuar në gëzime e hidhërime.
Shumëkush mund ta kishte zili, por fare të paktë janë ata, që mund të bënin të njëjtën zgjedhje. Në fakt, ky lloj modeli në shoqëri vjen si përpunim jo i forcës, por i një sekreti fare të thjeshtë: ai diti të afrohej përmes dashnisë, buzë të gjitha arsyeve për ta pranuar botën të shumëngjyrtë, duke marrë kështu një pozicion njerëzor në këtë udhëtim.
E kush nuk do ta donte në pasvdekje një ndjeshmëri kaq të lartë reaguese për atë çfarë la në një formë të thjeshtë, duke jetuar më fort fatin sesa zgjedhjen personale. Me siguri që Baxhaku do jetë i qetë për të gjitha dashuritë që mbolli, sepse një fllad i bekuar u ngrit në pasvdekjen e tij, dhe pranë varrit të tij është ende dikush, që ndan lot apo shkon dhe i bën shoqëri më një faqore raki, duke e ngrohur me ëndje mungesën, që nuk e la të ftohej shpejt.
Tani ai është nëpër tavolina miqsh, që kujtohet tash e parë në kategori të ndryshme njerëzish, me një përkrahjeje të vazhdueshme.
S’do ta harroj në disa episode të veçanta, ku ndieja xhelozi, kur bëhej njësh me atë çfarë i shkaktohej në udhëtimet apo arratitë e tij të shumta nëpër Shqipëri. Vendohej menjëherë dhe e lejonte tjetrin të hapej, duke u çliruar përkrejt në bisedat që bënte; veti e një njeriu që depërtonte shumë shpejt dhe shijonte çdo tis njerëzor, në favor edhe të gjërave, që shkruante apo vizualizonte. Në të vërtetë bënte eksploratorin duke e pasuruar jetën e tij me lëkurën e karaktereve, që haste ngado duke mos kërkuar heroin e egos së lartë, por shkaqe krejt “anësore”, të thella, gati të pashkelura më parë. Pas një njeriu të qetë e panoramik, me gjeste të avashta e të shurdhëta ndërtoi një kullë vrojtimi për lëndën e shoqërisë shqiptare; një lloj paradigme që më shumë i shkonte antropologut apo etnografit, sesa një gazetari të thjeshtë në terren. Reportazhet e Baxhakut janë një autopsi e jashtëzakonshme për tranzicionin shqiptar, veçmas nga pikëpamja pamore. Ai shkeli një territor të madh fizik, duke zbuluar e sjellë në vëmendjen e publikut “grimca” jete të harruara nga koha e nga njeriu. Shtegtimet e tij drejt fenomeneve të “buta” e të heshtura përbëjnë një çelës të llojit të vet për të kuptuar shumëçka nga e kaluara dhe sidomos të sotmen e trazuar kulturalisht.
Në fakt, ai ishte herë subjekti vetë, e herë gjuetari i subjektit. Duke qëndruar pothuajse jashtë skenës ai u vetërealizua heshtur me shenja, që do jenë të dobishme për një profil me mjaft interes për studiuesit e mëvonshëm, ose edhe për një brez, që do ketë nevojë të formatojë perceptime të reja për token, ku shkelin sa herë marrin frymë.
Shpotitës e plot humor, me një nënqeshje të thyer në mes. E vëzhgonte në sy gjënë që e rrethonte, pa teklif, përfshirës e i duruar, shpesh edhe si kurues i kujdesshëm gjendjesh njerëzore.
Të pangjashmit me të do ishin të shumtë në një kolorit të papërsëritshëm, që në të vërtetë rindertonin sfumimin e butë të profilit të tij . Që nga njerëzit më të zakontë, ata që e bashkëshoqëronin në intonime rruge e deri te natyra më të holla karakteriale . Krejt si në artin e rrugës ( street- art)në interpretim e xhestikulacion të lirë, pothuajse si korrente informale në përzgjedhje e përdorim të lirisë me code të personalizuara njerëzore. Një lloj përzgjedhje të njeriut, që jeton mes impulsesh pa hierarki e rregulla. Tos Baxhaku do ngjyronte në një tis trishtimi e melankolie të gjitha rastësitë zbuluese të këtij lloj grupimi në një prurje të shkartisur e derdhur pa zgjedhje. Bashkëpunimet e ngrohta me miqtë, me të ndryshmit nga ai, do mund t’i jepnin atij tashmë dimensionin e njeriut .
Kaloj shpesh nëpër Tiranë e më kujtohen vendet, ku konsumonte ditën, klubet apo nxitimi për të më lajmëruar librin e radhës, dhe ndiej trishtim e gaz njëherësh – se si mund të largohet kështu njeriu, pa asnjë zhurmë. Kjo të bën të kuptosh, se duhet marrë lehtë ky kalim, si një udhëtim mundësish për të lënë një emër të mirë e simpatik, me dritëhije dashurish e punësh të pambaruara. Këto janë shenjat e njerëzve që jetuan në publik, jo meskinë, por të hapur, të afërt e plot dashni e kripë. Një i tillë ishte edhe Baxhaku, kalorës i heshtur i lirisë deri aty ku mundi.
Në thelb, njerëzit kërkojnë të ngjashmit e tyre dhe vuajnë të pazakontën, që nuk identifikohen dot, por, në fakt, ata rishkruajnë si një mundim thelbin e gjërave që mendojnë se plotësohen syresh, ose ngushëllohen si një trajtë e shquar e egos, duke u përfshirë e shfaqur pranë atyre, që mbase nuk ishin shembulli më i afërt. Shoqëritë hapen, marrin karakter, por edhe personalizohen përmes ndodhish e fenomenesh të thjeshta njerëzore.
Kishte kohë që më kërkonte t’i bëja një dhuratë, gjë që e bëra lehtësisht duke i vizatuar një gomar, të cilin e cilësonte si një gji dashnie, që donte t’ia hidhte një kafshe pune si simbol për mirësinë. “Leni zhgarravinat abstrakte”, më tha, “se ky gomar është dhurata më e vyer që do ta mbaj mbi desktopin tim, që mos të të harroj”.
Dhurata e fundit që kam marrë prej tij qe një këngë e Franco Califano, “L’ultimo amico va via”.
Të ngushëlluarit në këtë shkëmbim dhimbjesh duhet të jenë të ngjashmit e tu Baxh. Rebelët e lirisë dhe njerëzit e dobët e të pambrojtur, pasi në thelb i doje si ngjashmëri gjendjesh, por edhe si skicime jo të zakonta cenesh dhe karakteresh thellësisht njerëzore. Aty qëndronin arratitë e tua si në artin e rrugës, ku mund të shprehesh lirisht dhe të jesh zot i lirisë së vogël dhe pse meskine dhe e ngjyrosur në trajta të pashembullta forme të volumit njerëzor. Protesta e lexuar si heshtje në të shumtën ishte një vetpërjashtim autodigresiv i një karakteri plot nuanca e ngjyrime, apo reflekse të njeriut pa konvencione në rrugë .
Do më mungojë gegnishtja e folur, që llastonte fjalitë tona shkëmbyese për të risjellë mes nesh karaktere, që na pëlqenin aq shumë dhe i jepnin tash e parë miqësisë së dy njerëzve një lehtësim gazmor e plot tinguj zhargoni./Gazeta Liberale