Lulzim Basha ka folur sot në “Çadrën e Lirisë”, ku ka paralajmëruar Ramën se koha për dialog po mbaron. Basha bëri të qartë se nuk bën pazare për ministri, por kërkon qeveri teknike me kryeministër teknik, si dhe votim elektronik.
Gjithashtu, kreu i PD-së refuzoi ofertën e Blushit për mocion mosbesimi, ndërsa shtoi se, duke nisur nga sot, opozita nis mosbindjen civile.
Fjala e Bashës:
Në ditën e 68-të falendëroj qytetarët e Lezhës, që na u bashkuan, për të ndarë me ne problemet e tyre
Me taksa të larta dhe çmimet në qiell i kanë mbyllur qepenin çdo biznesi, duke e kthyer në jo konkurrues, edhe karshi atyre të vendeve fqinje.
Përballë kemi shpenzime luksi të një grupi hajdutësh dhe oligarkësh që vjedhin nga taksat e shqiptarëve.
E kam parë dhe prekur anë e mbanë Lezhës këtë realitet. Në qytet dhe në fermat e zonës. Në tre vjet u munduam të ishim zëri juaj dhe përkeqësimit të situatës suaj ekonomike.
Këto janë probleme jetike dhe të përditshme për mbijetesën e familjeve shqiptare. Qeveria e Edi Ramës i ka mohuar dy në tre personave edhe ndihmën ekonomike shtetërore.
Tash 68 ditë diçka e madhe ka ndryshuar. Qytetarët janë bashkuar dhe të bashkuar do të qëndrojnë deri në fitoren e kauzës sonë të drejtë.
Kjo është kauza e rikthimit të shpresës se çdokush do të ketë mundësinë të bëjë më të mirën me të ardhmen e tij.
Sot kjo mundësi është asgjësuar, sepse buxhetin dhe ekonominë e kontrollojnë pushtetarët e lidhur me Ramën. Sepse rendin publik e ka krimi i organizuar dhe narkotrafikantët me komandë nga kryeministri.
3 mijë lekë të reja në muaj pension merr një grua që ka humbur burrin e saj. Dhe këtë e merr vetëm, sepse ka fëmijë për të mbajtur. Kjo nuk del as për mbijetesën e një familjeje. 40 mijë të tjera i ka përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike. Në anën tjetër, paguan 600 euro për palmat e thara tashmë. Kjo është politika e një pushtetari që ka humbur çdo lidhje dhe ndjeshmëri ndaj popullit të vet.
Kjo është e vetmja zgjidhje. Ky është projekti juaj dhe e vërteta që ofrohet çdo ditë.
Zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes një qeverie teknike.
Në republikën e re nuk do të harxhohen kurrë 600 milion euro për pllaka, kur shqiptarët e blejnë naftën sa frëngu pulën dhe vuajnë.
Ne do te nisim me çmontimin e oligarkisë së koncesioneve, duke anuluar çdo të tillë korruptiv, duke çliruar qindra milion euro të taksave të shqiptarëve, të cilat do të përdoren për qytetarët shqiptarë.
Mirëqenia nuk do të ndryshojë, paratë do të vidhen nëse kjo fitore nuk realizohet me organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, përmes qeverisë teknike me votim elektronik.
Merri ministrat, merr këtë, e merr atë se kështu funksionon pazari i qelbët. Tani duan të fusin edhe Bashën në këtë Pazar, që të braktisim ëndrrën e shqiptarëve. Kjo është ëndrra e Edi Ramës dhe e Ilir Metës që nuk do bëhet kurrë realitet.
PD dhe aleatët tanë janë të vendosur që të qëndrojmë krah për krah protestuesve të lirisë deri në plotësimin e plotë të kërkesave që populli ka shtruar për zgjidhje Ne nuk duam pushtet në tavolinë, as post ministri, asnjë post në kurriz të qytetarëve.
Kemi kërkuar qeveri teknike, me KM teknik, me ministër teknik. S’kemi qenë përjashtues, përkundrazi. Emrat e KM teknik të vijnë nga shumica, sigurisht me miratimin e opozitës.
Rama thotë se për 4 javë do bëjë atë që nuk bëri për 4 vjet. E mbrojti drogën, luftoi orë e minutë për të mbrojtur kriminelët që solli në karrigen e pushtetit. Ky njeri që nuk e dënoi drogën për 4 vjet, na premtoka se për 4 javë do ta zgjidhi problemin nëse PD dhe PS bien dakord të zëvendësojnë disa ministra. Ky është një propozim qesharak. Por nuk është koha për të qeshur, është koha për të thënë se Edi Rama nuk largohet nga karrigia sepse nuk kalon koncesioni që i jep Vilma Nushit. Se po të ketë qeveri teknike, skafi i Habilajve do ishte sekuestruar dhe të zotët do ishin para drejtësisë.
Zgjedhje pa qeveri teknike e pa largimin e Ramës nuk ka e nuk do të ketë.
Kauza e shqiptarëve është që burimet e tyre natyrore, taksat e tyre t’i shërbejnë një populli të tërë dhe të mos jenë në shërbim të një duzine të korruptuarish. Kjo kauzë është një kauzë e drejtë tek Zoti. Është kauza se çdokush do ketë mundësinë të bëjë më të mirën për veten dhe familjen e tij. Sot kjo kauzë është asgjësuar sepse siguria është zeruar, sepse rendin publik e ka në dorë krimi i organizuar dhe narko-trafikantët me komandat Edi Ramën.
Kjo është zgjedhja e Ramës, të harxhojë 380 milion euro para të shqiptarëve për shpenzime administrative, makina, zyra, dieta dhe bileta avioni. Pra luksin qeveritar. Kjo është mungesa e përgjegjshmërisë përpara qytetarëve.
Sot dëgjuam një propozim nga Ben Blushi, që të bëjmë mocion kundër Ramës. Duke e marrë të mirëqenë se do ketë këtë mendim deri në darkë, se e ka këtë problem. Dua të sqaroj se ne kërkojmë një zgjidhje gjithëpërfshirëse.
Duhet të ketë mbështetje të gjerë politike. Duam një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe jo përjashtuese. Duam që qytetarët të gjykojnë dhe të votojnë të lirë e jo të kërcënuar. Koha për të zgjidhur këtë me dialog, po shkon drejt mbarimit. Më mirë vonë se kurrë, por le ta bëjmë të qartë se duke nisur nga sot, kjo lëvizje e madhe bëhet gati të shtrihet e të çlirojë rrugët e Shqipërisë përmes akteve të mosbindjes civile. Votime pa opozitën nuk do të ketë. Javën e ardhshme nis bashkimi i armatave paqësorë nga jugu në veri. Fushëbeteja e parë është Kavaja e lirisë dhe demokracisë. Le të bashkohemi me marshimin e javës që vjen, qytet më qytet, qark më qark. Këtu në Tiranë dhe në Kavajë. Të gjithë bashkë në një bashkim edhe më të madh se 18 shkurtit do fitojmë betejën për Kavajën pa krim pa drogë, beteja jonë do të shkojë deri në fitoren e kauzës së shqiptarëve.”