Kreu i opozitës, Lulzim Basha, duke folur nga çadra e ngritur para Kryeministrisë, theksoi se kryeministri Edi Rama duhet të vijë i dorëhequr për të dialoguar me opozitën. Ndërsa specifikoi se nuk do të ketë pazare politike për të arritur në një marrëveshje.
Basha mohoi kategorikisht se ishte përcaktuar më parë vendi dhe ora e takimit për të dialoguar midis palëve, ndërsa shpjegoi se opozita nuk ka kundërshtuar asnjë iniciativë për dialog të pastër politik.
‘‘Ka thënë se është caktuar ora dhe vendi. Vend dhe orë nuk ka pasur sepse dialogu i vërtetë dhe jo fasadë nuk kanë nevojë për vendin dhe orën por një përkushtim serioz për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Shprehu dëshirën për të ardhur në çadër. Me përgjegjësinë që na karakterizon e mirëpresim të vijë i dorëhequr kryeministrin që refuzon krijimin e një qeverie teknike. Eja në çadër me dorëheqje në xhepin e xhaketës dhe do të mirëpresim paqësisht.’’
Kreu i PD-së vuri në dukje se Rama nuk e ka marrë parasysh negociatorin e opozitës, ndërsa shtoi se zgjidhja e vetme është qeveria teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
‘‘Një negociues i opozitës ka qenë në gatishmëri për të mundësuar dialogimin me mazhorancën. Por që ka si kusht qeverinë teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Do të hyjë si kryeministër në dialog dhe do të dalë i dorëhequr. Kjo nuk do të përfundojë në pazar për të përfituar politikisht. Kërkojmë votimin elektronik për zgjedhje të lira të ndershme për qytetarët shqiptarë dhe ata që jetojnë jashtë vendit’’.