Lulzim Basha ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, pas 1 ore ku sipas informacionit të përcjellë nga gazetarja e News24, Klodiana Lala, u thirr si person në dijeni për dosjen e “21 Janarit”.
“Jam thirrur si person që ka dijeni për një çështje në hetim. Informacioni se për cilën çështje, ju lus ta merrni drejtpërdrejt tek institucioni pasi ligjërisht duhet të respektoj sekretin hetimor. Këto ishin gjithçka kisha për të deklaruar për këtë çështje, për të tjerat me siguri ju ka marrë malli për konferencë për shtyp, por duhet të prisni edhe pak”, u tha Basha gazetarëve të interesuar për dëshminë e tij në SPAK.
Gazetarja e News24, Klodiana Lala ka raportuar se Basha është paraqitur si person në dijeni për dosjen e “21 Janarit” që po hetohet nga SPAK.
Sipas Lalës, Basha është paraqitur mbi bazën e një fletëthirrje të firmosur nga prokurori Alfred Shehu i cili po heton ngjarjet e dhunshme të 21 janarit ku u zhvillua demonstrata e udhëhequr nga opozita e asaj kohe drejtuar nga Edi Rama dhe ku humbën jetën 4 persona në Bulevard.
“Në kohën që ka ndodhur ngjarja, Basha mbante detyrën e ministrit të brendshëm, në atë kohë ndodhej në ambientet e kryeministrisë ku garda e Republikës hapën zjarr mbi demonstruesit duke vrarë 4 prej tyre
Për shkak të rifillimit të hetimeve, mbi bazën e të dhënave të ardhura nga SHBA që kanë të bëjnë me disa materiale audio të depozituara më pas nga gazetari Artan Hoxha dhe xhaxhai i viktimës Aleks Nika, SPAK ka regjistruar procedimin penal dhe është duke hetuar mbi rolin e zyrtarëve të lartë në demonstratën e dhunshme të asaj kohe.
Basha është pyetur dhe më herët nga prokuroria e Tiranës.
Në 2020 Prokuroria rihapi hetimet dhe kërkoi aktekspertizë për predhën e nxjerrë në Turqi nga trupi i Aleks Nikës dhe më pas mbi bazën e të dhënave të reja, Prokuroria e rihapi këtë cështje, ku ka vetëm 2 të dënuar, Ndrea Prendi dhe Agim Llupo që i kanë mbyllur hesapet me drejtësinë shqiptare”, tha Lala.















