Çështja e Ballist Morinës është kthyer në pikë diskutimi në çdo takim të krerëve të shtetit shqiptar dhe atij kroat. Pak ditë më parë ishte Presidenti Ilir Meta që në një takim me homologen e kroate mori premtimin se situata e tij do të shihej me kujdes. Ndërsa në ditën e sotme Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar në Davos të Zvicrës një takim me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkovic, me të cilin bisedoi rreth marrëdhënieve mes dy vendeve. Kryeministri kroat e siguroi Kryeministrin Rama për mbështetjen e vendit të tij për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Zyra e shtypit njofton se Kryeministri Rama bisedoi me homologun kroat edhe rreth çështjes se Ballist Morinës, për të cilin kreu i ekzekutivit shqiptar kërkoi një vendimmarrje të drejtë dhe të ndershme nga ana e autoriteteve kroate.
Kryeministri Plenkovic e siguroi Ramën se rasti i Ballist Morinës do të trajtohet me kujdesin maksimal dhe në respekt të legjislacionit dhe konventave ndërkombëtare.
Fillimisht ishte gjykatat Supreme që i hapi rrugë dërgimit të tij në Beograd, por tashmë pritet vendimi i ministrit të Drejtësisë së Kroacisë nëse do ta vendosë pro ekstradimit apo do ta bllokojë. Morina akuzohet nga Serbia për ngritjen e dronit, por Shqipëria vijon lobimin për të bllokuar ekstradimin, që ndodhet në dorë të ministrit kroat.