Ish-policit Arben Bilali, të cilit dje i bënë një atentat, i kanë vrarë dy vëllezërit, Bujar dhe Leonard Bilali. Bujar Bilali mbeti i vrarë, dyshohet gabimisht, në vitin 1998, ndërsa Leonardi, vëllai i vogël i tij, ish-mundës i Dinamos, u ekzekutua më 10 gusht të vitit 2010 në të njëjtin vend ku u vra dje 50-vjeçari. Policia po heton në disa pista për vrasjen, por duket se kryesorja është ajo e hakmarrjes.
Arben Bilali i kishte shpëtuar një atentati dy muaj më parë
Arben Bilali i kishte shpëtuar një atentati dy muaj para se të vritej vëllai i tij, Leonardi. Në atë kohë, ai ishte bodigard në një biznes privat, pasi kishte hequr dorë nga Forcat Speciale, duke u larguar nga Policia.
Ai ishte përfolur për një vrasje të ndodhur vite më parë, edhe pse zyrtarisht nuk ishte përmendur asnjëherë për këtë krim. Policia pati dyshime se pas dështimit të atentatit ndaj tij, në lidhje me këtë ngjarje të vjetër mund të jetë ekzekutuar vëllai i tij, dy muaj më vonë.