Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Berat, Eno Bozdo, ka denoncuar një tjetër rast të asaj që ai e cilëson “asfalt elektoral”, vetëm pak ditë pas çeljes së fushatës zgjedhore. Sipas Bozdos, në fshatin Moravë, konkretisht në lagjen e njohur si “Hatillarët”, po kryhen punime rrugësh me qëllime elektorale, ku qytetarëve u ofrohet asfalt në këmbim të votës për ish-kryebashkiakun Ervin Demo, aktualisht kandidat për deputet.
Në pamjet që janë shpërndarë në media, duken mjete të rënda duke shtruar rrugët e zonës, ndërsa Bozdo akuzon se këto ndërhyrje financohen nga buxheti i bashkisë dhe përdoren për të ndikuar politikisht tek votuesit.
“Sot do të depozitojmë një padi penale në SPAK dhe shpresojmë të ketë një ndërhyrje që kjo praktikë e shtrimit të rrugëve elektorale me para të taksapaguesve shqiptarë të marrë fund. Përgjegjësit të dalin përballë ligjit,” deklaroi Bozdo.
Ai i bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që të hetojnë urgjentisht këtë çështje, duke theksuar se përdorimi i fondeve publike për qëllime elektorale përbën shkelje të rëndë të ligjit.