Ankthi është një ndjenjë frike që i referohet një kategorie të çrregullimeve që përfshijnë çrregullime të stresit post-traumatik, phobias, dhe çrregullime të fiksimit. Një sulm paniku është një episod akut ankthi që mund të shoqërohet me djersitje, gulçim, çaste të nxehti apo të ftohti, rrahje të zemrës, dhe forma të tjera të shqetësimit.
Arjana Rreli, mjeke psikiatre pranë Qendrës Komunitare të Shëndet Mendor Nr.3, ka dhwnw njw intervistw pwr Shwndeti online ku thotw se ky lloj çrregullimi përbën 10% deri në 15% të rasteve të ankthit në përgjithësi dhe prek më shumë meshkujt krahasuar me femrat. Karakteristikë për personat që vuajnë nga një çrregullim i tillë është shprehja “sikur të” ose “po sikur të jetë kështu”. Por, që të quhet i tillë, ankthi obsesiv-kompulsiv duhet të plotësojë edhe disa kritere mjekësore, që nisin nga ankesat, koha që këto shqetësime zënë në 24-orëshin e një personi dhe se sa këto ide apo ankthe e dëmtojnë funksionin e këtij individi.
Kontigjenti që preket më shumë nga një çrregullim i tillë zakonisht janë fëmijët e vetëm ose personat shumë strikt që kujdesen shumë për detajet dhe e duan të gjithë situatën nën kontroll.
Çfarë është ankthi obsesiv-kompulsiv?
Çrregullimet e ankthit janë ankesat më të zakonshme dhe më të shpeshta që vijnë në shërbimin ambulator. Një nga llojet më të zakonshme dhe më i rëndë në kuadrin e të gjithë llojeve të tjera të çrregullimeve të ankthit, është ai obsesiv-kompulsiv. Karakteristike për personat që vuajnë nga një çrregullim i tillë është shprehja “sikur të” ose “po sikur të…”. Por që të quhet i tillë, ankthi opsesiv-kompulsiv, duhet të plotësojë edhe disa kritere mjekësore që nisin nga ankesat, koha që këto shqetësimi zënë në 24-orëshin e një personi, sa këto ide apo ankthe e dëmtojnë funksionin e këtij individi etj. Dhe çështë më e rëndësishmja të jetë i instaluar mbi tre javë rresht.
Cilët janë faktorët që ndikojnë në shfaqjen e ankthit obsesiv-kompulsiv?
Janë tre faktorë që akuzohen për shfaqjen e ankthit obsesiv-kompulsiv.
1-Faktori biologjik (neurotransmetuesit) që përçon sinjalet nga neuroni në neuron.
2-Faktorët kompromental (të sjelljes), mënyra se si ne reagojmë ndaj stimujve.
3-Faktorët psiko-social.
Karakteristikat klinike të tij?
1-Ide ose impulse që ndërhyjnë vazhdimisht në ndërgjegjen e personit.
2- Ankthi shoqërues (gjendja emocionale që i shoqëron).
3 -Bëjnë kritikë të gjendjes dhe i konsiderojnë idetë e tyre si absurde dhe irracionale.
4-Shoqëruese janë dhe ndjenjat e forta për të përballur dhe rezistuar. Pra bëhen përpjekje brenda personit që, duke përdorur burimet dhe kompetencat e veta siç janë logjika, argument, faktet etj, përpiqen t’i rezistojnë po nuk ia arrijnë.
5- Veprimet shoqëruese (kompulsione), pra ideja shoqëruar me veprim. Për shembull, ideja që diçka mund të infektohet duke prekur X gjë, shoqërohet me veprimin që unë duhet të laj vazhdimisht duart. Ose ideja ‘e kam mbyllur apo jo derën’, shoqërohet gjithmonë me veprim, pra më kthim nga rruga në këtë rast për të kontrolluar nëse e ka kryer këtë veprim ose jo. Dhe nuk kemi të bëjmë me dëmtim të memories por pasiguri brenda personit, për çfarë ai ka bërë në të vërtetë. Shprehja karakteristike e obsesivit është ‘sikur të’ ose ‘po sikur të jetë kështu’. Ai e dinë fare mirë që kjo gjë nuk është e vërtetë, po ama ka dyshimin brenda vetws që mund të jetë edhe ndryshe, dhe kjo vë diagnozën.
Sa shpesh haset?
Haset shumë shpesh, madje mund të them se rastet e ankthit obsesiv janë shtuar. Sipas statistikave, në popullatën e përgjithshme haset 2% deri në 3% domethënë në 100 persona dy ose 3 e vuajnë ankthin obsesiv, ndërsa në ankesat që vijnë në ambulator, përbën 10% deri në 15% të rasteve të ankthit në përgjithësi. Më tepër haset në moshat 19-22 vjeç, pra kulmon në këtë ‘hapësirë’, po jo se ka kufizim moshe. Si formë e ankthit është më tepër i gjetur tek adoleshentët dhe fëmijët, dhe prek më shumë meshkujt krahasuar me femrat.
Kategoria më e rrezikuar?
Përgjithësisht në atë që shohim neve, kontigjenti që e vuan më shumë janë zakonisht ose fëmijë i vetëm, ose djalë i vetëm brenda një familjeje ku ka marrë maksimumin e vëmendjes dhe kujdesit. Gjithashtu mund të jenë persona të cilët pjesën më të madhe të jetës e kanë pasur me shumë pak probleme, dhe që në sfidat e para ata reagojnë me këtë lloj ankthi.
Do gjithashtu një lloj personaliteti të veçantë. Tipat që janë shumë strikt, shumë perfeksionist, kujdesen për detaje dhe e duan të gjitha situatën nën kontroll. Këto janë tipat e personave që ka më shumë gjasa të vuajnë çrregullimet e ankthit absesiv-kompulsiv. Kështu që edhe faktorët konstitucional, se si është i ndërtuar ky person dhe sa ndikohet nga ngacmuesit ambiental, janë gjithashtu shkaqe që mund të çojnë tek ankthi obsesiv.
Nga çfarë e kufizon ky lloj ankthi pacientin?
Ankthi obsesiv, duke qenë se është një mendim/ide të cilën personi normalisht e kupton që nuk duhet ta ketë por që është i pafuqishëm ta heqë, minimalisht i merr atij energjinë, dhe energjia është fond, por nëse ty ta merr diçka negative, ngelet shumë pak për gjëra pozitive që t’i do të bësh. Kështu që ndërhyn duke marrë energjinë. Kur shoqërohet edhe me kompulsione, pra dhe me veprimin, sepse zakonisht ky lloj ankthi përveçse mendimit dhe idesë, shoqërohet dhe me veprimin, duket sikur e zbut ankthin që personi ka dhe nëse nuk e bën, e bllokon totalisht, e pengon nga veprimtaritë e tjera.
Disa nga obsesionet më të zakonshme?
Më të zakonshmet janë:
1-Frika nga të qenët i kontaminuar ose i infektuar nga mikrobet e ambientit, nga një njëri i cili është i pisët dhe të kalon në krah dhe që shoqërohet rëndom me larjen e shpeshtë të trupit, të duarve, të rrobave etj.
2- Dyshimi patologjik. Për shembull: ‘e kam mbyllur apo nuk e kam mbyllur sobën, gazin, derën’, ‘e kam rregulluar apo nuk e kam rregulluar diçka që ka të bëjë rëndësishëm me një situatë që mua më kushtëzon’.
3-Mendimet invadente. Për shembull mendime të tilla si: mos jam homoseksual, mos po bëj ndonjë veprim që tregon se mund të jem i tillë, mos e pashë atë mashkullin me ca sy. Pra janë mendime që brendësohen (torturë brenda personit) megjithëse e di fare mirë që kjo gjë nuk ka lidhje më të.
4-Mania për simetri, për t’i vënë gjërat në një lloj skeme që personi e ka brenda mendjes së tij që duhet të rrijë patjetër drejtë, ekzaktësisht në vendin që ai mendon se duhet të jetë. Për shembull një pecetë në tavolinë, piruni, thika etj. Ose po të shohësh dollapët e këtyre çdo gjë është e rregullt, madje edhe rrobat i seleksionojnë sipas ngjyrave në renditje.
Diagnostikimi?
Çrregullimi i ankthit obsesiv-kompulsiv është shumë mirë i diagnostikueshëm për vetë faktin që personi di ta tregojë shumë mirë problematikën e vet. E tregon plot me emocione, pra përfshihet emocionalisht në mënyrën se si ai tregon vuajtjen e tij, dhe tipike është mendimi, ideja e shoqëruar ose jo edhe nga veprimi, i cili kuptohet shumë mirë nga personi që është absurd, që nuk ka lidhje fare me realitetin, por që ai nuk mund ta kontrollojë dot. Pra personi e vuan dhe për të është një torturë, sepse kupton fare mirë që nuk ka të bëjë fare me ndërgjegjen dhe psikikën e tij. Është një mendim, një ide intruzive që hyn me forcë nga jashtë, por është i pafuqishm ta kontrollojë apo heq nga vetja, megjithëse konsiderohet se i ka të gjitha burimet e veta, dhe intelektuale, emocionale dhe të logjikës. Shpesh unë bëj këtë krahasimin, duket sikur shkon energji pa dashje në një llambë e cila nuk duhet të qëndroj e ndezur.
Trajtimi?
Trajtimi i ankthit obsesiv është patjetër medikamentoz. Ankthi nuk mund të mposhtet pa rregulluar desekuilibrin që pësojnë neurotransmetuesit. Duke qenë se akuzohet direkt seretonina, e cila gjendet në përqendrime më të ulëta në personat që vuajnë nga ankthi obsesiv, përdorimi i medikamenteve steroninergjike ka dhënë rezultate shumë të mira. Kështu që pa ndërhyrje medikamnetoze, raste shumë të rralla mund të kenë tejkaluar ankthin obsesiv, aq më tepër që ka tendencë të përsëritet edhe nëse mjekohet shumë mirë.
Gjithashtu tek trajtimi futet edhe terapia konjitive, një lloj psikoterapie e cila e ndihmon shumë personin për t’u ndërgjegjësuar për problematikën e vet dhe për të mos u thelluar në fantazinë e tij, që mund të jetë një psikozë ‘kjo mund të më çmend, kjo mund të më degradojë, kjo mund të më çojë në depresion’. Pra është kjo psikoterapi e cila sqaron shumë mirë personin se për çfarë problematike bëhet fjalë dhe se si ai mund të ndihmojë veten të tejkalojë këtë.
Po i nxehti, si ndikon në drejtim të këtyre çrregullimeve?
Sigurisht që temperaturat e larta ndikojnë në të gjithë llojet e anktheve, kështu që edhe ankthi obsesiv si pjesë e grupit të madh të llojeve të çrregullimeve të ankthit ndikohet pa diskutim nga temperaturat e larta. Përderisa temperaturat e larta konsiderohen si një agresion ndaj gjithë sistemit tonë, përfshirë dhe sistemin nervor, alarmi do ndizet me ankth minimalisht dhe mundet që të jetë shkak edhe për shpërthimin e një ankthi obsesivo-kompulsiv, i cili, deri në momentin që nuk është përballur organizmi me temperatura të larta, ka qenë i fshehur.