Analistët e politikës në të shumtën e rasteve tregohen përçmues ndaj fushatave elektorale. Ata mendojnë se ato kanë një ndikim minimalist në rezultatin e zgjedhjeve dhe madje shpesh herë mendojnë se edhe nuk kanë ndikim fare. Alan Abramowitz, një analist politik amerikan, shprehu mendimin e tij në një artikull të Washington Post, në lidhje me përvojën që ai kishte fituar gjatë zgjedhjeve të fundit elektorale në vendin e tij:
Gjatë një fushate elektorale, sidomos në mesin e saj, ka një tendencë nga njerëzit, veçanërisht nga media, që të mbivlerësojnë rëndësinë e disa ngjarjeve të caktuara. Këto përfshijnë gafa të rënda të politikanëve, zgjedhjet e zëvendëspresidentëve, reklama tendencioze dhe shumë momente të tjera që tërheqin vëmendjen e publikut… Por janë pikërisht këto raste të cilat nuk është se kanë ndonjë ndikim të matshëm në publik.
Mediat janë të interesuara për të tërhequr vëmendjen e njerëzve, por shumë prej historive që lexoni apo shihni, përqendrohen pikërisht në gjërat që janë më të parëndësishme. Tani ne mund të shpallim me besim të plotë, në bazë të zgjedhjeve të përgjithshme të Britanisë, që ato çka thonë analistët politikë janë thjesht gjepura.
Fushatat zgjedhore kanë një rëndësi shumë të madhe. Kur Theresa May shpalli që zgjedhjet do të mbaheshin më 18 prill, Konservatorët ishin 20 pikë përpara Laburistëve.
Në zgjedhjet lokale më 4 maj, konservatorët mundën laburistët me një mesatare prej dhjetë pikësh dhe avancuan thellë në territorin e Laburistëve duke marrë postin e kryebashkiakut të West Midlands. Më pas erdhi fushata. Theresa May, zhvilloi ndoshta fushatën elektorale më të keqe në të gjithë historinë politike të kohëve të fundit, një fushatë e ftohtë, e tëra e mbushur me klishe, thjesht e tmerrshme. Në të kundërt, Jeremy Corbyn i partitë Laburiste zhvilloi një fushatë shumë frymëzuese.
Ai filloi me përparësinë e madhe që pritshmëritë do të ishin të ulëta. Fotoja që ai publikoi gjatë dhënies së një interviste, kur ai ishte fëmijë krijoi një impakt shumë të mirë tek njerëzit. Por, teksa fushata vazhdonte të zhvillohej, ajo u kthye nga një fushatë frymëzuese në mbresëlënëse. Ai iu përgjigj dhe i përballoi të gjitha intervistat me një qetësi që i ra në sy të të gjithëve. Ai i shpjegoi bindjet e tij me shumë durim. Tubimet e Znj. May u përqendruan në çështje aspak të rëndësishme, duke iu drejtuar mbështetësve të saj se duhet të tregoheshin sa më të vërtetë. Në të kundërt fjalimet e z. Corbyn ishin shumë frymëzuese dhe të mbushura plot emocion. Turma të mëdha mbështetësish laburistë u dyndën në shesh për të parë udhëheqësin e tyre.
Ekipi i Z. May bëri katër gabime të pafalshme.
Së pari, ata lejuan që pritshmëritë të dilnin jashtë kontrollit të tyre.
Menjëherë pasi Znj. May deklaroi datën e zgjedhjeve, gazetarët mbështetës të kësaj partie, filluan diskutimet e zjarrta nëse Partia Konservatore do t’i fitonte zgjedhjet me një shumicë prej 100 ose madje edhe më shumë. Kjo arrogancë mbizotëronte edhe në stafin e brendshëm të Znj. May. Shefi i saj i kabinetit, Nick Timothy, krijoi një strategji zgjedhore bazuar në fitimin e votave në vendin e punës.
Së dyti, ata i përqendruan zgjedhjet vetëm rreth Theresa May-it. Qëllimi ishte kthimi i zgjedhjeve në një referendum mes të dy njerëzve dhe aftësinë e tyre për të negociuar në lidhje me Brexit, mes ë fortës dhe të qëndrueshme Theresa May dhe të ftohtit dhe të egërit, z. Corbyn. Një lëvizje e tillë e la jashtë loje të gjithë Partinë Konservatore.
Posterat në lidhje me ekipin e Theresa May dhe anëtarëve të tjerë të kabinetit u anashkaluan dhe nuk iu kushtua aspak rëndësi (në të vërtetë Philip Hammond, kancelari, u zhduk krejtësisht). Por, duke e përqendruar të gjithë procesin e zgjedhjeve rreth vetes së saj, Theresa May, dështoi në drejtimin e partisë. Një gabim tjetër i rëndësishëm ishte edeh mospranimi i saj për të dalë në debat me kundërshtarin tjetër.
Së treti, ata zhgënjyen edhe mbështetësit e tyre më besnikë. Nisja e shkatërrimit të fushatës zgjedhore daton që nga publikimi i manifestit dhe zbulimi i “taksës së çmendur” në sektorin e shëndetësisë për të moshuarit. Znj. May deklaroi se të moshuarit në shtëpi të shtrenjta duhet të paguajnë më shumë nëse do të duan që dikush të kujdeset për ta nga ana mjekësore në shtëpitë e tyre. Një sugjerim i tillë duhet të pranohet se ishte shumë i duhur, por pas kësaj ajo jo dështoi në përcaktimin e sasisë së parave që ata duhet të paguanin për marrjen e një shërbimi të tillë, gjë që krijoi kaos tek të moshuarit të cilët menduan se mund të përballen me fatura gjigante.
Së katërti, ata i trajtonin votuesit me përbuzje. Kishte slogane në mesin e kësaj partie të tilla si, “të fortë dhe të qëndrueshëm”. Kishte fjalime të lodhshme, aspak frymëzuese dhe mbi të gjitha ofenduese. Ky stil i politikës vdiq më 8 qershor dhe karriera e Sir Lynton si këshilltar i konservatorëve vdiq së bashku me të. May thirri zgjedhjet në mënyrë që të garantonte siguri dhe qetësi për vitet që do të pasonin. Por, duke drejtuar një fushatë të tillë, ajo garantoi thjesht të kundërtën të paktën për muajt që do të vijnë./The Economist/Monitor