Ndërsa shumica e testamenteve lihen sot për të trajtuar aspekte të ndryshme të natyrës financiare, disa njerëz i kanë përdorur ato dikur për të bërë artikuluar dëshira dhe kërkesa nga më të çuditshmet. Le të shohim më poshtë disa prej amaneteve më të çuditshme të njerëzve të famshëm.
Virgjili: Digjni Eneidën!
Virgjili është poeti më i madh romak, i mirënjohur për “Eneidën” e tij – dikur poema kombëtare e Romës së Lashtë. Para se te vdiste, ai kishte arritur të përfundonte vetëm 12 libra (në krahasim me 24 poemat epike të Homerit). Për shkak se vepra ishte i paplotë, ai shkroi në testament dëshirën që të gjitha veprat e shkruara prej tij të digjeshin në zjarr pas vdekjes. Kur miqtë e tij e zbuluan këtë, florën me të dhe mezi e bindën ta fshinte këtë dëshirë nga amaneti i tij. Virgjili pranoi, dhe poema u botua duke pasur një sukses të jashtëzakonshëm, ndërsa rëndësia e saj mbetet e madhe ende sot.
Uilliam Shekspir: Dua që kjo grua të marrë shtratin tim të dytë më të mirë!
Kjo dëshirë e fundit e Shekspirit, ka shkaktuar shumë spekulime rreth marrëdhënies së tij me bashkëshorten Ana Hethuej. Jo vetëm që ish një kërkesë e pazakontë, por u trajtua në testament sikur të qe shtuar më vonë, pas vdekjes së shkrimtarit. Lënia trashëgimi e një shtrati dikujt, nuk qe në vetvete diçka e pazakontë në atë kohë – një shtrat me cilësi të mirë, pa pleshta apo parazitë, ishte diçka shumë e çmuar dhe e shtrenjtë.
Por ajo që e nxit më tej debatin, është epitafi që Shekspiri la mbi varrin e tij:”I bekuar qoftë ai që i kursen këto gurë, dhe mallkuar qoftë ai që lëviz kockat e mia!”. Ndërsa disa pretendojnë se Shekspiri donte me këtë frazë të frikësonte hajdutët e varreve, formulimi u mor aq seriozisht sa që kur gruaja e tij vdiq 7 vjet më vonë, trupi i saj nuk u varros në të njëjtin varr me Shekspirin.
Çarls Dikens: Ata që do të marrin pjesë në varrimin tim të mos mbajnë shami, mantele, pallto të zeza apo çfarëdolloj absurditeti të tillë revoltues!
Përveç kësaj, Dikensi shkruante në testamentin e tij se nuk dëshironte një funeral publik, dhe se për këtë arsye vendi dhe ora e funeralit duhej të mos bëheshin publike. Ai kërkoi gjithashtu një varrim të lirë dhe të thjeshtë. Por kërkesat e tij u shpërfillën! Shkrimtari i famshëm u nderua me një funeral madhështor, që u shndërrua në një ngjarje kombëtare. Njeriu që kishte marrë gjithmonë në jetë atë kishte kërkuar, nuk mori dot atë që donte në vdekje
Xhorxh Bernard Shou: Mos mbani asnjë shërbesë fetare në funeralin tim, dhe guri mbi varr të mos ketë formën e ndonjë kryqi, instrumenti tjetër të torturës, apo simbolit të sakrificës njerëzore”
Shou ishte tejet kritik ndaj fesë, dhe testament i tij përfshinte një paragraf, ku mbështeste “sagën mijëravjeçare të Darvinit për krijimin e botës” mbi “sinopsin gjashtëditor” të Biblës. Shou kishte qenë përherë i hipnotizuar nga ideja e një drejtshkrimi të reformuar të gjuhës angleze. Ai krijoi një alfabet fonetik me 40 shkronja, për ta bërë drejtshkrimin shumë më të thjeshtë. Si pjesë e vullnetit të tij, la trashëgim një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së tij për të promovuar alfabetin e ri – por kjo u kundërshtua nga një gjykatë pasi ishte diçka “e pamundur”, dhe paratë iu shpërndanë 3 institucioneve:Muzeut Britanik, Galerisë Kombëtare të Irlandës, dhe Akademisë Mbretërore të Artit Dramatik.
Benxhamin Frenklin: Vajza ime të mos angazhohet në aktivitetin e kotë dhe të padobishëm të veshjes së bizhuterive”.
Benxhamin Frenklin ishte një nga njerëzit më të admiruar në botën perëndimore në fundin e shekullit XVIII. Kur ishte ambasador në Francë, atij iu bë dhuratë një portret i mbretit francez Luigjit XVI në një kornizë të zbukuruar me 408 diamante. Ai ia la trashëgim këtë tablo vajzës së tij Sarës me dedikimin e mësipërm, për të shmangur shkuljen e diamanteve nga korniza dhe përdorimin e tyre si bizhuteri.
Napoleon Bonaparti: Koka ime të rruhet, dhe flokët t’u shpërndahen miqve të mi
Kjo dëshirë ishte fatlume, po të kemi parasysh se analiza më e fundit e disa prej fijeve të flokut që u ruajtën nga miqtë e tij, zbuloi një përmbajtje të madhe arseniku. Simptomat e Bonapartit para vdekjes (vjellja e gjakut), përputhet me helmimin nga arseniku. Ndërkohë disa kanë spekuluar se muret e dhomës së tij në Shën Helenë përmbanin arsenik (jo i rrallë në atë kohë), dhe se ishte mjedisi përreth ai që e vrau, por të tjerë besojnë se ai po helmohej dalëngadalë nga anglezët. Në fakt, për shkak të kancerit në stomak, mjeku i tij po i jepte një lloj tjetër helmi, që kontribuoi në vdekjen e tij përfundimtare.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce