Altin Dardha ishte një ndër personazhet më famëkeq të trazirave të vitit 1997. Llogaritet se përplasjet mes bandës së tij dhe grupimeve të tjera rivale, kanë shkaktuar 300 të vrarë vetëm në Berat gjatë viteve 1997-1998.
Vetë Altin Dardha, kishte pranuar vrasjen e 60 personave. Përplasjen më të egër Altin Dardha e ka pasur me bandën e Burhan Tomorrit, ose siç njiheshin ndryshe djemtë e lagjes “Vakëf”. Konflikti mes të dyve, e ndau Beratin në dy pjesë. Banda e Burhan Tomorrit, qëlloi dhe vrau Shkëlqim Dardhën, të atin e Altinit, që punonte si kambist ne vendin e quajtur “Axhensia”.
Nga ai moment, Altin Dardha dhe banda e tij, nisin një hakmarrje që nuk kurseu askënd që i doli përpara. Më 25 shkurt 1998, Dardha, se bashku me shokët e tij Altin Isufi, Agron Bilali dhe Gëzim Kasemi, gjetën Burhan Tomorrin në një lokal, dhe qëlluan mbi të me breshëri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Si pasojë e të shtënave, gjetën vdekjen edhe 3 persona që gjendeshin me të në tavolinë, dhe u plagosën 2 të tjerë. Gjatë largimit me shpejtësi në drejtim të Skraparit, Dardha vret pa asnjë shkak shtetasin Sali Kumani në lagjen “Uznovë”.
Më pas, rrëmbeu një fuoristradë tip “Toyota”, dhe pak kilometra me tej mori peng inspektorin e policisë, Ferdinand Kalemi, së bashku me mjetin e tij të policisë. Operacioni për kapjen e Altin Dardhës, u drejtua nga ish-komisari i Beratit, tashmë i vrarë Gani Malushi.
Komisar Malushi me efektivat e tij, ia doli të shpartallonte bandën, duke kapur të gjallë pas një shkembimi të fortë zjarri, shtetasit Agron Bilali dhe Gëzim Kasemi, ndërsa Altin Isufi mbeti i vrarë. Altin Dardha mundi të çante rrethimin. Ai do të vritej vetëm 3 ditë më vonë në Janinë të Greqisë, nga vrasësi i njohur nga Kuçova Arjan Paja.