Në qershor 2016, Këshilli Kombëtar i Territorit i udhëhequr nga kryeministri Edi Rama miratoi lejen e zhvillimit për kompleksin turistik ‘Ionian Olea’ – një resort vilash dhe apartamentesh luksoze në bregdetin e fshatit Dhërmi në bashkinë Himarë.
Leja zhvillimore e kompleksit, që shtrihet mbi katër parcela toke bujqësore në plazhin e Drimadhesit, të regjistruara në zonën kadastrale 1481 dhe 1481-1739 është miratuar me kërkesën e zhvilluesve Mirela Papuli dhe Artan Dumi.
Dy nga katër parcelat ku po ndërtohet resorti turistik ‘Ionian Olea’, të cilat kanë një sipërfaqe prej 5 mijë dhe 6 mijë metrash katrorë tokë bujqësore, janë në pronësi të zyrës ligjore ‘Hyseni & Associates’– e regjistruar në Tiranë dhe në pronësi të babait pensionist të deputetit Alket Hyseni.
Zyra ligjore ‘Hyseni & Associaties’ është drejtuar nga Alket Hyseni nga viti 2006 deri në vitin 2014, kur ai u zëvendësua në administrim nga kunati i tij, Idajet Çelaj. Nga viti 2014 deri në vitin 2016, Hyseni udhëhoqi task-forcën e ngritur nga kryeministri Edi Rama për të verifikuar tjetërsimin e paligjshëm të pronave shtetërore.
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se origjina e tokës me sipërfaqe totale 11 mijë metra katrorë, për të cilën ‘Hyseni & Associates’ ka lidhur një kontratë sipërmarrje me zhvilluesit e resortit ‘Ionian Olea’ dhe pritet të përfitojë sipërfaqe ndërtimi me vlerë miliona euro është e dyshimtë, ndërkohë që verifikimi i mënyrës së tjetërsimit të saj ka qenë detyrë e task-forcës së drejtuar nga Hyseni.
“Nuk e akuzoj unë, por dokumentet,” shprehet Irini Bua nga Dhërmiu, e cila shton se deputeti Hyseni po ndërton në mënyrë të paligjshme në tokën e saj.
“Prona ka qenë me masë sigurie që në vitin 2015. Shit-blerjet në pronë janë bërë pas masës së sigurisë nga gjykata. Ata e morën vesh që kjo pronë ka probleme dhe filluan shit-blerjet e pronës,” shtoi ajo.
Kjo pronë është pjesë e një sipërfaqeje më të madhe të fituar nëpërmjet ligjit 7501 nga familja Bua, e cila është transferuar përmes një serie transaksionesh financiare fillimisht te shtetasit Ilia Taka dhe Arjan Hasani dhe më vonë është shkëmbyer me deputetin Alket Hyseni për 2 apartamente dhe 3 garazhe. Hyseni ia ka shitur tokën firmës ligjore të regjistruar në pronësi të të atit me një çmim prej 30 milionë lekësh.
Nga kontrata e sipërmarrjes me zhvilluesit e resortit ‘Ionian Olea’, firma ligjore “Hyseni & Associates” pritet të përfitojë minimalisht 1100 metra katrorë sipërfaqe ndërtimi në resortin turistik, e cila ka një vlerë tregu prej 1.1 milionë euro. Në varësi të koeficentit të ndërtimit dhe vlerës së shitjes së pronave, përfitimet mund të shkojnë në disa milionë euro.
Në një intervistë për BIRN, deputeti Hyseni i hodhi poshtë akuzat, duke nënvizuar se prona që ai ka blerë nuk është ajo që i referohet Znj.Bua, e cila sipas tij është nën sekuestro. Deputeti socialist shtoi më tej se edhe pse kishte drejtuar task-forcën, ai nuk kishte qenë në dijeni të problemeve që toka kishte, pasi nuk e kishte blerë atë direkt nga familja Bua.
Hyseni insistoi që pasuria e tij e konsiderueshme është vënë me punë të ndershme.
“Unë nuk njoh asnjë prej personave që janë në konflikte për të drejtën e pronësisë në familjen Bua. Unë i kam blerë nëpërmjet shkëmbimit një sipërfaqe toke një biznesmeni, i cili kishte në bëshkëpronësi nëpërmjet dy biznesmenëve të tjerë një tokë që e kishin kontraktuar me shpresën për të ndërtuar,” tha Hyseni.
“Pra të jemi të qartë se bëhet fjalë për prona të ndryshme dhe që janë përfituar në mënyrë totalisht të ligjshme. Ka transaksione zyrtare, kam burime të ligjshme dhe të deklaruara , transaksione të deklaruara prej meje në institucionet përkatëse dhe nuk ka pasur asgjë për të fshehur nga unë,” shtoi ai.
Më shumë tokë sesa frymë
Historia e tokës që zotërohet nga zyra ligjore “Hyseni& Associates” nis prej 7 shkurtit 1994, kur komisioni vendor i shpërndarjes së tokës bujqësore në fshatin Dhërmi, në zbatim të ligjit 7501, ka marrë dy vendime në favor të familjes Bua me kryefamiljare Athina Buan.
Sipas vendimit të parë me nr. 9567, Athina Bua përfiton një sipërfaqe toke prej 44,450 metrash katrorë. Ndërkohë, me një vendim të dytë me nr. 9597, i biri Stefo Bua përfiton një sipërfaqe prej 49,420 metrash katrorë.
Në 1 gusht të vitit 1991, trungu familjar i Athina Buas kishte 7 anëtarë, përfshi kryefamiljaren. Sipas ligjit 7501, norma e shpërndarjes së tokës nuk duhet të ishte më shumë se 3 mijë metra katrorë për frymë.
Megjithatë, familja Bua prej 7 anëtarësh – njëri prej të cilëve ishte larguar nga fshati në vitin 1943, arriti të përfitonte 93,870 metra katrorë tokë. Është gjithashtu e paqartë pse komisioni i shpërndarjes së tokës ka dhënë një vendim të veçantë në emër të djalit të Athinasë, Stefo Bua – duke qenë se ai ishte pjesë e trungut të të saj familjar.
Sipas Irini Buas, kjo sipërfaqe është shtuar për shkak të falsifikimeve të bëra nga kunati i saj, Stefo Bua.
“Sipërfaqja e pastër, sipas të gjitha dokumenteve që i janë kthyer familjes Bua nuk është më shumë se 50 mijë metra katrorë,” tha ajo. “Stefo Bua nëpërmjet falsifikimeve ka shënuar 100 mijë metra katrorë,” shtoi ajo.
Tjetërsime të tilla me tokën bujqësore kanë qenë dhe arsyeja pse në korrik të vitit 2014, qeveria e kryeministrit Edi Rama krijoi një task-forcë për verifikimin e titujve të pronësisë, e cila udhëhoq për dy vite nga deputeti Alket Hyseni.
Për shkak të konfliktit të trashëgimtarëve mbi testamentin e kryefamiljares Athina Bua, e cila ndërroi jetë në vitin 1998, në Prokurorinë e Vlorës dhe në Task- Forcën e udhëhequr nga Hyseni janë bërë disa kallëzime penale në lidhje me pronën ku po ndërtohet resorti turistik ‘Ionian Olea.’
Irini Bua pretendon se prona ku po ngrihet resorti i është dhënë Athina Buas dhe është regjistruar nëpërmjet falsifikimeve në emër të Stefo Buas. Nga ana tjetër, Stefo Bua deklaroi në një intervistë për Report TV se toka e resortit i është dhënë direkt nga komisioni i tokës, ndërsa ajo e trashëguara nga Athina Bua është aktualisht e bllokuar në pritje të zgjdhjes së konfliktit civil me Irinin dhe të vëllanë Mantho Bua.
“Irini nuk asnjë pronë deri tani që flasim. Mbas ligjit 7501 mora tapi edhe nëna ime, edhe unë dhe këtu ka gabuar Irini që nuk do ta kuptojë, sepse s’ka të bëjë prona ime me pronën e nënës,” deklaroi Stefo Bua.
Sipas Irinit, pretendimet e Stefos nuk janë të vërteta, pasi prona e familjes Bua në zonën e quajtur ‘Megalohara’ në Dhërmi nuk është aq e madhe sa pretendon kunati i saj.
“Ajo nuk është e vërtetë, sepse sipërfaqja prej 22 mijë metrash në Megalohora ku është ndërtuar resorti – dhe tashmë nuk ka pronë të lirë, është e njëjta pronë e marrë nga vjehrra ime, Athina Bua dhe që ne jemi trashëgimtarë,” tha Irini.
“Po të shikosh me numrin kadastral, është i njëjtë me numrin e parcelës që janë bërë shitblerjet që ka përfituar Alket Hyseni. I kam kërkuar Prokurorisë të hetojë dhe të masë sipërfaqen e tokës,” shtoi ajo.
Hyseni pranoi që Irini Bua dhe i shoqi, Mantho Bua kanë bërë padi të shumta në Prokurori si pjesë e konfliktit familjar për trashëgiminë, por shton se prona që ai ka blerë nuk është tjetërsuar në mënyrë të paligjshme.
“Pjesa që unë kam, nuk ka lidhje dhe nuk përkon aspak me atë çfarë pretendon Irini dhe Mantho Bua, të cilët kanë bërë historikisht një sërë kallëzimesh penale ndaj Stefo Buas, ndaj institucioneve të ndryshme dhe ndaj blerësve, të cilat janë pushuar nga Prokuroria dhe janë lënë në fuqi dhe në gjykatë,” tha Hyseni.
“Së fundmi kanë bërë edhe ndaj meje [kallëzim], është pushur dhe ky kallëzim për dijeninë time,” shtoi Hyseni.
Kallëzimi fillestar është bërë nga Irini Bua në vitin 2015. Prokuroria e Vlorës ka nisur hetime mbi origjinën e pronës dhe i ka pushuar ato në vitin 2016. Edhe pse Prokuroria ka arritur në përfundimin se familjes Bua i është shpërndarë më shumë tokë se norma limit e lejuar, ajo është shprehur në vendimin e pushimit të kallëzimit 139/2016, se ‘i takon institucioneve përgjegjëse të administratës publike’ të verifikojnë sipërfaqen e përfituar.”
Një prej këtyre institucioneve duhej të ishte dhe task-forca e drejtuar nga Hyseni, i cili mbas një serie transaksionesh zinxhir është bërë pronar i dy parcelave me sipërfaqe totale prej 11 metrash katrorë të familjes Bua.
I pyetur nga BIRN, Hyseni pranoi se në jug të vendit ka pasur vërtet shumë probleme me shpërndarjen e pronës nëpërmjet ligjit 7501, por ai mohoi të ketë pasur dijeni për problemet me pronën e familjes Bua në periudhën kur ka qenë në krye të task-forcës.
“Nuk kam asnjë dijeni që të jetë marrë task-forca me këtë çështje, edhe pse na ka rezultuar që një numër i madh banorësh që nuk kanë qenë banorë në vitin 1991 kanë përfituar tokë me ligjin 7501, pra në shkelje flagrante të ligjit,” tha Hyseni.
“Task-forca u ngrit me synim për të verifikuar kalimin e pasurisë nga shtetit tek privatët ndër vite, pasi u bë një masakër e vërtetë. Qëllimet kryesore ishin vendimet e agjencisë së kthimit dhe kompensimit të pronave, ku ishte bërë batërdi me sipërfaqe shumë të mëdha, me dokumentacion totalisht të falsifikuar,” shtoi ai.
Zinxhiri i transaksioneve
Plani i ndërtimit të vilave në resortin ‘Ionian Olea’
Dy vendimet e shpërndarjes së tokës bujqësore të lëshura nga komisioni i fshatit Dhërmi në emër të Athina Buas dhe Stefo Buas, janë regjistruar në hipotekë pas një vendimi të Gjykatës së Vlorës në 29 janar 2013.
Pas regjistrimit të pronës dhe marrjes së certifikatës së pronësisë, Stefo Bua i shet 10 mijë metra katorë tokë shtetasit Ilia Taka me çmim 1 milionë lekë me datë 7 Prill 2015. Gjithashtu, Stefo Bua bën një transaksion të dytë me 19 Shkurt 2016, duke i shitur 9,900 metra katrorë shtetasit Arjan Hasani me një çmim prej 500,000 eurosh. Hasani ndërkohë ka shitur një pjesë të kësaj sipërfaqeje me vlerë 150,000 euro në favor të shtetasit Genti Malko.
Me 13 Prill 2016, Ilia Taka dhe Arjan Hasani lidhin dy kontrata sipërmarrjeje për dy parcela 5 mijë dhe 6 mijë metra katrorë me ndërtuesit Arjan Dumi dhe Mirela Papuli, të cilët po ndërtojnë resortin turstik “Ionian Olea”.
Më vonë, Arjan Hasani dhe Ilia Taka bëjnë një shkëmbim prone në parcelat e tyre, duke e kthyer Ilia Takën pronar të vetëm të sipërfaqes prej 11 metrash katorë që është pjesë e kontratës së sipërmarrjes së resortit turistik.
Me 26 Janar 2017, Ilia Taka i shkëmben parcelat e tij të tokës me deputetin Alket Hyseni dhe merr në këmbim prej tij dy apartamente dhe 3 garazhe në Sarandë me një vlerë totale prej 15.7 milionë lekësh.
“Një prej biznesmenëve, që është dhe klienti im, Arjan Hasani më vuri në dijeni se njëri nga bashkëpunëtorët donte të shiste pronën e vet dhe donte ta merrnim së bashku. M’u duk interesante, në një vend të lakmuar. Duke qenë se unë kam dhe origjinë ngë bregu, jam nga Borshi, e kam pasur ëndërr që patjetër të përfaqësohem atje … dhe nëpërmjet shkëmbimit ishte marrëveshje e mirë për t’u përfshirë,” shpjegoi Hyseni.
“Për të kultivuar ullinj nuk isha i interesuar, për një zonë që ishte në zhvillim isha i interesuar,” shtoi ai.
Në kohën kur Alket Hyseni hyri në biznes me Ilia Takën dhe shkëmbeu pronën me të, ky i fundit ishte nën procedim penal për falsifikim dokumentash nga Prokuroria e Vlorës për një sipërfaqe tjetër në fshatin Jal të Himarës. Taka u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Vlorës vetëm më 23 mars 2018.
“Për t’u arrestuar mund të arrestohet kushdo, por ai ka dalë i pafajshëm, gjykata e ka shpallur të pafajshëm,” tha Hyseni. “Megjithatë ky është një problem që nuk më përket mua, ai ishte një biznesmen dhe le të japë llogari për problemet e tij në organet e drejtësisë. Unë mbaj përgjegjësi për problemet e mia,” shtoi Hyseni.
Në 22 gusht 2017, Alket Hyseni ia shet tokën për 30 milionë lekë zyrës ligjore që ai ka themeluar, ‘Hyseni & Associates’ dhe që është në pronësinë e të atit Namik Hyseni. Një pjesë e pagesës ndaj Hysenit bëhet duke shuar një borxh të marrë më parë ndaj sudios së tij ligjore në vitin 2015 – nga i cili patën mbetur 10.4 milionë lekë të papaguara, ndërsa pjesa tjetër është paguar nga firma në dy këste.
Me kalimin e parcelave në pronësi të studios ligjore, kjo e fundit bëhet dhe përfituesja e kontratës së sipërmarrjes me ndërtuesit Artan Dumi dhe Mirela Papuli, duke përfituar dhe sipërfaqet e ndërtimit që rrjedhin nga ndërtimi i resortit.
Irini Bua i tha BIRN se ka bërë disa padi në Prokurori ndaj personave që ajo pretendon se kanë tjetërsuar pronën e saj.
“Çështjet civile dhe ajo e trashëgimisë janë pezulluar, pasi janë hapur një sërë çështjesh penale. Për akuzat që unë kam ngritur ndaj Ilia Takas, Genti Malkos dhe Arjan Hasanit, Gjykata e Apelit në Vlorë ka vendosur rikthimin e tyre në hetim në prokurori,” tha ajo.
“Vijoj ende të ndjek proceset, pasi pa mbaruar çështjet penale nuk mund të ketë zhvillime për çështjet civile- atë të përfitimit të së drejtës së trashëgimisë,” shtoi Irini.
Doganieri që u bë deputet
Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni ëshë diplomuar si jurist në Universitetin e Tiranës në vitin 1999 dhe në vitin 2002 ka marrë licencën e avokatit. Karriera e tij në administratën publike ka filluar si përgjegjës turni në doganën e Kakavijës në mars të vitit 2000 dhe në vitin 2004 ai është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave në Tiranë.
Në vitin 2006, ai themeloi studion ligjoren ‘Hyseni & Associates’ të cilën e ka drejtuar deri në vitin 2014. Në vitin 2014 deri në vitin 2016 ai ka drejtuar task-forcën ‘ Për verifikimin e ligjshmërinë e mënyrës së tjetërsimit të pronave të paluajtshme shtetërore,’ dhe në vitin 2016 u emërua si Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, në Ministrinë e Financave. Hyseni u zgjodh deputet si pjesë e listës së Partisë Socialiste në Vlorë në zgjedhjet e 25 qershorit 2017.
Pasuria e Hysenit nga viti 2000, kur ishte një përgjegjës turni në Kakavijë deri sa u u zgjodh deputet ka regjistruar një rritje eksponenciale. Në qoftëse në deklarimin e parë periodik të bërë nga zoti Hyseni në vitin 2003 ai kishte vetëm 1.2 milionë lekë asete, në deklarimin e fundit deputeti socialist ka regjistruar një pasuri prej 174 milionë lekësh. Diferenca midis dy shifrave përbën një rritje pasuri prej 136.8 herë në 14 vite.
BIRN analizoi deklarata e pasurisë të bërë nga deputeti socialist pranë Inspektoratit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Pjesa më e madhe e pasurisë së deputetit Hyseni është e investuar në pasuri të paluajtshme, të cilat në vitin 2017 kapin një vlerë prej 110 milionë lekësh. Kjo kategori asetesh ndiqet nga likuditetet në banka me 38.3 milionë lekë dhe likuiditete cash prej 1.3 milionë lekësh.
Shumica e kësaj pasurie është vënë gjatë periudhës 2006 – 2016, kur zoti Hyseni ka udhëhequr studion ligjore “Hyseni & Associates”. Sipas deklarimieve të pasurisë në ILDKPKI, gjatë kësaj periudhe e ka shtuar pasurinë me 170.1 milionë lekë. Nga ky shtim marramëndës pasurie Hyseni ka specifikuar të ardhura në vlerë 48.3 milionë lekë, të cilat vijnë nga pagat nga funksioni dhe firma ligjore, të ardhurat e bashkëshortes dhe fitimet neto nga shit-blerja e pasurive të paluajtshme. Pjese tjetër e deklaruar si shtesë asetesh prej 134.7 milionë lekë në vitet 2006 -2016 është me burime të paspecifikuara, të shprehuara në deklaratat e pasurisë si të ardhura nga ‘puna, biznesi, emigracioni dhe kursime familjare.”
Nga analiza e rritjes së pasurisë bruto të Z. Hyseni, rezulton se nga viti 2006 deri 2016 pasuria është rritur mesatarisht me 17 milionë në vit. Për të justifikuar këtë normë të rritjes së pasurisë, duhet që burimi financiar (të ardhurat neto) të ketë qenë mesatarisht 1,4 milionë lekë në muaj, pa llogaritur shpenzimet e jetesës.
Hyseni i tha BIRN që pasuria e tij ishte rrjedhojë e punës që në moshë të njomë dhe çdo të ardhur e ka deklaruar konform ligjit.
“Biznesi deklaron të ardhurat në Tatime dhe unë mund t’u them se nga biznesi im kam të ardhura në rendin e 2 miliardë lekëve dhe mbi 800 milionë lekë janë taksë dhe tatime. Nuk ka një studio të dytë që të ketë qenë kaq korrekte,” tha Hyseni.
“Unë kam punuar fort që 18 vjeç – unë, im atë dhe familja ime jetojmë mirë, nuk e mbajmë veten për të pasur. Kemi filluar të ndërtojmë bizneset tona dhe nuk ka qenë ky biznesi i vetëm në jetën time. Puna që kam bërë më ka dhënë emër dhe ka ndikuar indirekt edhe në biznesin e avokatisë dhe unë jam krenar për këtë. Nuk kam asgjë për të fshehur,” përfundoi Hyseni.
Lindita Çela/reporter.al