Ekscentrik, ironik, një gjeni me anët e tij të errëta, Alfred Hiçkok lindi në Ist End të Londrës më 13 gusht 1899. I famshëm për sukseset e tij, por mbi të gjitha për çuarjen në Hollivud të humorit të zi anglez, Hiçkok diti t’i shfrytëzojë si duhet frikën, si një nga emocionet kryesore të njeriut, dhe misterin që e intrigon vazhdimisht specien tonë.
“Unë jam një tip i ndrojtur dhe jo shumë i shoqërueshëm. Dhe për t’u çlodhur bëj filma”, thoshte ai. Hiçkok realizoi rreth 50 filma, gati që të gjitha pjesë e historisë së kinemasë me aktorë si Keri Grant, Xhejms Stjuart, Grejs Kelli dhe Kim Novak. I dashur nga publiku dhe i përbuzur nga kritika, Alfred Hiçkok nuk fitoi asnjëherë Çmimin Oscar, deri në vitin 1968 kur iu dha Çmimi Irving G.Thalberg për meritat e tij artistike.
U shfaq si figurant në disa nga filmat e tij
Një pjesë e famës së Hiçkok erdhi për shkak të paraqitjeve plot humor që bëri në 39 nga filmat e tij. Zakonisht ai shfaqej në sfond si një kalimtar në rrugë. Episodet e tij u bënë aq të njohura, saqë producentët zgjodhën t’i vendosnin në fillim të filmit për të shmangur shpërqendrimin e audiencës.
Një nga filmat më të paharrueshëm është “Lifeboat” (1944), ku ngjarjet zhvillohet tërësisht në një barkë të vogël buzë deti. Edhe këtu, Hiçkok trupmadh mund të shihet në fotot “para” dhe “pas” të një reklame në gazetë për një produkt për rënien në peshë të quajtur “ReducoObesity Slayer”.
Bashkëshortja ishte bashkëpunëtorja e tij më e besuar
Punoi me shumë nga aktorët më të talentuar të Hollivudit, por këshilltarja më e besuar e Hiçkok ishte gruaja e tij Alma Revil. Të dy u martuan në vitin 1926, kur punonin bashku në Londër. Më vonë, Revil punoi si skenariste, montazhiere dhe asistent regjisor në disa filma të Hiçkok.
Ndërsa karriera e Alfred përparonte, Revil mbeti në prapaskenë, pavarësisht se kishte një rol vendimtar deri në vitet 1960. Thuhet se ishte ajo që zgjodhi kolonën zanore tashmë të famshme të Bernard Herrman, për skenën e dushit në filmin e famshëm “Psycho”.
Bashkëpunoi me artistë dhe shkrimtarë të njohur
Hiçkok bashkëpunoi me aktorë legjendarë të Hollivudit si Keri Grant, Ingrid Bergman dhe Xhimi Stjuart, por ka bashkëpunuar edhe me talente jashtë botës së kinemasë. Regjisori punësoi njerëz si Doroti Parker, Rejmond Çendler, Tornton Uajlder dhe Xhon Shteinbek, për t’i dhënë ritmin e duhur skenarëve të tij.
Madje ai u përpoq të bindte Ernest Heminguej dhe Vladimir Nabokov që të shkruanin për të. Për realizimin e filmin “I’ll Save You” të vitit 1945, Hiçkok angazhoi artistin surrealist Salvador Dali në ndërtimin e sekuencave komplekse të ëndrrave.
Luftoi kundër censurës së Hollivudit
Hiçkok e kaloi një pjesë të madhe të karrierës së tij në përpjekje për të kapërcyer kufizimet e Kodit Hejs, pra udhëzimet që rregullonin përmbajtjen e filmave të Hollivudit. Gjatë realizimit të “Psycho”, ai dërgoi qëllimisht në zyrat e censurës disa skena me dhunë dhe nudo, për t’i shpërqendruar ata nga disa detaje të vogla që regjisori nuk dëshironte t’ua bënte të ditura. Po ashtu, ai i bindi zyrtarët se një skenë e xhiruar në banjo – i ndaluar prej kohësh nga kufizimet e Kodit Hejs – ishte vendimtar për komplotin e filmit.
Ai ishte shakator i madh
Hiçkok i pëlqente t’i punonte vazhdimisht rrengje aktorëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Gjatë xhirimeve të filmit “Klubi i 39” (1935), ai la të prangosur për orë të tëra 2 aktorët kryesorë, Robert Donat dhe Medlin Karroll, duke u shtirur sikur i kishte humbur çelësat e prangave.
Një herë tjetër ai vuri bast me një anëtar të stafit të tij. Nëse ai do të punonte gjithë natën me telekamerën, do t’i paguante pagën e një jave. Burri pranoi dhe Hiçkok i ofroi një gotë uiski para se të largohej. Por burri nuk e dinte që pijet ishin të mbushura me laksativë. / bota.al