Aleksandër Vasi është një nga futbollistët e parë shqiptarë që pas rënies së komunizmit vendosi ta vazhdojë karrierën jashtë vendit. Jo gjithçka shkoi mirë për ish-futbollistin e Luftëtarit dhe të Dinamos në shtetin helen, pasi pësoi shumë dëmtime të cilat e penguan të ndërtonte karrierën e madhe që kishte mundësi ta arrinte falë talentit. Vasi shprehet se atje, në shtetin e huaj ku kishte dyndje futbollistësh shqiptarë nuk gjetëm një ambient miqësorë dhe ku mund të shprehnim talentin që zotëronim. Kjo edhe për faktin se ne vinim nga një vend komunist me nivel të ulët nga shumë pikëpamje. Pasi la futbollin e luajtur Vasi nuk është ndarë nga futbolli, ai momentalisht është trajnerë i moshave të vogla në Greqi me diplomë nga UEFA dhe zbulues talentesh.E nisët karrierën tek Luftëtari, për tu bashkuar më pas me Dinamon? Si procedohej asokohe për transferimin e lojtarëve?
E fillova karrierën time si futbollist tek ekipi i Luftëtarit. Kisha fatin të isha bashkëlojtar me emra të mëdhenj për Luftëtarin edhe për futbollin shqiptar si: Braho, Seiti, Kalluci, Boni, Hysi, Liti, Ciko, Millo, Çabeliu, Xhumba, Bella, Angoni dhe Çumaku. Pas shkollës sportive kalova tek ekipet e moshave para të rinj, të rinj dhe më pas në moshën 17 vjeç ku u bëra profesionist. Në vitin 1991 ekipi i Luftëtarit zbriti në Kategorinë e Dytë nga që kishim shumë probleme me lojtarë që u larguan drejt Greqisë. Në atë vit mora pjesë në ekipin kombëtar të lojërave të Mesdheut. Në ekipin Kombëtar trajneri ishin Pr.Bajko dhe Pr.Hitaj. Bajko vitin që tjetër do ishte trajner tek Dinamo dhe më kërkoi që të luaja atje. Vendosa pa asnjë hezitim. Dinamo ishte një nga ekipet më të mëdha të Shqipërisë.
Zgjodhët të luani në Greqi tek Skoda Xanthis, në një moment kur shqiptarët ishin të “padëshiruar” atje, si u pritët dhe si vazhdoi karriera juaj atje?
Në ato vite ishte pak e vështirë që një futbollist shqiptar të luante në ekipe të huaja, jo se nuk kishin talent por sepse vinin nga vend me nivel të ulët nga shumë pikëpamje. Dua të kujtojë një thënie të Pr.Birçes kur ishim të grumbulluar me ekipin Kombëtar në Durrës në prill 1992 për ndeshjen me Spanjën dhe Irlandën, “pse shkoni në Greqi të gjithë ,shumë mirë mund të luani edhe në shtete të tjera të Europës”. Tek Xanthi isha bashkë me Ledjo Panon. Një nga futbollistët më të mirë të Shqipërisë në atë kohë dhe një mik i mirë për mua. Kaluam shumë gjëra bashkë me Ledion, luajtëm, u lodhëm, djersitëm, por mbi të gjitha na respektonin. Ishte pak e vështirë të mbijetoje. Pas 2 vitesh u largova nga ekipi për të kaluar në ekip tjetër. Të them të drejtën kisha probleme me dëmtime dhe nuk munda të bëja karrierën që isha i aftë të bëja.Pse Federata Shqiptare e Futbollit nuk e jepte lejen për kalimin e lojtarëve në kampionatet e huaja në vitet 90’?
Në vitet 80-90 ishte tepër e vështirë një futbollist shqiptar të luante jashtë shtetit. Ishim një vend komunist dhe njeriu nuk ishte mall blerje apo shitjeje. Në kapitalizëm të gjitha blihen dhe të gjitha shiten. Të gjithë ne jetuam një epokë të vështirë dhe të gabuar.
Pasi u shkëputët nga futbolli i luajtur, si vazhdoi jeta e Aleksandër Vasit?
Pasi pushova së luajturi futboll vazhdoj të merrem me futbollin. Jam trajner, kam Diplomë UEFA dhe merrem me mosha të vogla por edhe me ekipe të rritura.
Aktualisht jeni në detyrën e trajnerit, mund të na tregoni më shumë për ekipin që drejtoni?
Në këto momente merrem me moshat e vogla por edhe me ekipet lokale .Këtë vit ekipi që drejtojë ndërroj kategori dhe u ngjitëm një kategori më lartë.
Gjatë kësaj periudhe që drejtoni këtë ekip, keni pasur të rinj shqiptar që keni trajnuar?
Gjithmonë kam pasur nën drejtimin lojtar shqiptar. E vetmja gjë që mund të them është se shumica e fëmijëve kanë shumë talent. Pastaj luajnë rol shumë gjëra të tjera nëse këta fëmijë duan të ndjekin rrugën e futbollit.
Pse vendosët që ta vazhdonin të ushtronit këtë profesion jashtë Shqipërisë, mendoni se këtu nuk ofrohen mundësitë e duhura?
T’ju them të drejtën nuk kam menduar asnjëherë se mund të vazhdoja si trajner në Shqipëri ose këtu ku jam. Që të jesh profesionist si trajner duhet të kesh aftësi kohë edhe të ardhura. Unë kam aftësi, por nuk kam kohë edhe të ardhura .Besojë se më kuptoni çfarë dua të them.
Si e shikoni futbollin e ditëve të sotme në Shqipëri, në krahasim me vitet kur luanit ju?
Futbolli ka ndryshuar. Ne luajtëm në vite të vështira, nuk kishte asgjë, as kushte, as të ardhura, as terrene sportive. Shqipëria kishte shumë talent, por na mungonin shumë gjëra të tjera.Arbitrat problemi kryesor i ekipeve shqiptare, në syrin tuaj ata janë sektori më i dobët apo ndikohen nga faktorë të tjerë?
Përsa i përket arbitrave një gjë dua të them lërini të bëjnë punën e tyre. Shumë trajnerë dhe lojtarë kur nuk fitojnë i hedhin fajin arbitrave. Nuk është e drejtë. E njëjta gjë ndodh edhe në Greqi. Të gjithë duhet të ndihmojnë arbitrat për të bërë punën e tyre sa më mirë.
Armando Duka fiton mandatin e pestë mes shumë polemikash, po i ndihmon FSHF ekipet që të rrisin nivelin e tyre?
Për mua nuk kanë rëndësi emrat. Ajo që ka rëndësi është që ai që drejton të bëjë gjithçka për futbollin. Zotin Duka dua ta falënderojë për iniciativën që mori para 2 vitesh që të gjithë futbollistët shqiptar që kanë veshur fanellën e ekipit kombëtar të shkojnë në Francë për të ndjekur nga afër ekipin kombëtar.
Skënderbeu rrezikon të shkrihet si ekip nga dënimi që i është dhënë nga UEFA, çfarë mendimi keni për këtë dënim ekstrem, kanë trukuar korçarët apo janë “kokë turku”?
Skënderbeu është një ekip që i ka dhënë shumë futbollit shqiptar. Siç e dini edhe ju, UEFA është shumë e ashpër ndaj ekipeve që merren me shitblerje të ndeshjeve. Të them të drejtën nuk di si është e vërteta.
Një koment për situatë që po kalon ekipi i Vllaznisë, djepi i futbollit shqiptar?
Vllaznia është djepi i futbollit shqiptar. Ekipe si Vllaznia, Tirana, Partizani, Dinamo, Flamurtari, Teuta, Elbasani, Luftëtari, Apollonia duhet të jenë në krye të futbollit shqiptar.
Eno Leka, TIRANA TODAY