Nga Bedri Islami
Një analist kontrovers dhe i njohur në Kosovë Berat Buzhala, kishte bërë sot një shkrim të gjatë, ku krahasimi mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit, si temë e ditës, ishte thelbi i analizës së tij. Berat Buzhala është gazetar. Kështu ka qenë që në krye të herës dhe kështu do të mbetet. Është ndër ato që të rrinë, herë pas here në mendje, jo për idetë, por zhargonin e përdorur, mllefin e paskaj dhe përbuzjen ndaj së vërtetës.
Ka qenë deputet i Partisë Demokratike, në kohën e Thaçit dhe ndër miqtë e tij, tani është kundërshtar i Thaçit dhe mallkon kohën e tij. Për presidentin Thaçi nuk më vjen vështirë, gjithnjë atë e kanë lënë në vetmi dhe i janë larguar njerëzit që pa asnjë meritë, në hak të qejfit të tij, i ka marrë pranë vetes, i ka bërë me emër, me vila e pallate, u ka dhënë tenderë dhe punë, dhe në fund e kanë sharë sa kanë mundur.
Berat Buzhala është njëri ndër miqtë e djeshëm dhe asaj kohe ishte kundërshtar i Albin Kurtit. Sot është shfaqur si mik i Albin Kurtit dhe kundërshtar i Thaçit.
Edhe i Edi Ramës. I këtij të fundit më shumë, pasi përtall gjithë trupën drejtuese në Kosovë, për paditurinë, mallkimin e marrjes së tyre me politikë, nënshtrimin, përbuzjen.
Tani ka vënë përballë njëri-tjetrit Edi Ramën dhe Albin Kurtit dhe njëkohësisht Shqipërinë përballë Kosovës, megjithëse, as i pari, Rama dhe as i dyti, Kurti, nuk e përfaqësojnë gjithë Shqipërinë e as gjithë Kosovën. Edi Rama ka marrë rreth 50 për qind të votave të vlefshme ose 25 për qind t të gjithë shqiptarëve me të drejtë vote.
Albin Kurti ka marrë rreth 30 për qind të gjithë votave të vlefshme ose 15 për qind të të gjithë shqiptarëve të Kosovës të regjistruar në zgjedhje. Jam i bindur se nuk ka marrë asnjë votë serbe.. I pari, Rama, mori votë popullore, ajo që u quajt 1 milionë shuplaka, për të ndëshkuar qeverinë Berisha, të cilën nuk e ndëshkoi.
Mos ndëshkimi do i kthehet një ditë në ndëshkim.
I dyti fitoi në zgjedhjet e 6 tetorit si ndëshkim për qeverisjet e deri tashme, që shpesh herë e kishin mbushur kupën dhe njerëzit presin ndëshkimin e së keqes, por jo vetëm kaq: ata presin zhvillimin e ri të Kosovës, që nuk mund të bëhet duke e parë Shqipërinë, si këshillojnë buzhalistët, një vend që duhet sulmuar, nëpërkëmbur, si vend ku duhet të dalësh në mejdan dhe ta mundësh. Nëse vëmendja e Kurtit do të kthehet se si do e mundë Edi Ramën, si e ka kostumin njëri apo tjetri, kush është më i lexuar dhe kush flet më rrjedhshëm, ai nuk do të jetë më politikani i vizionit, por sherrxhi i zakonshëm në politikën shqiptare.
Ndryshimi mes Ramës dhe Kurtit qenka se i pari blen kostume 500 deri në 1000 euro, ndërsa i dyti i blen në pazarin e Prizrenit për 50 euro.
Ndryshimi se i dyti është më i lexuar se i pari dhe se flet më rrjedhshëm; se tani Rama nuk do të jetë më ai që ka dashur të jetë në Kosovë… Populizmi i predikuar nuk është shenjë serioziteti dhe përkushtimi. Rendja pas tij do të thotë që ingranazhi i shtetit të funksionojë fare pak kohë dhe pastaj të kthehet prapsht, si po ndodh aktualisht në Shqipëri.
Ndryshimi qenka, sipas Buzhalës, se deri tash në Kosovë, Rama ka gjetur partnerë injorantë, ndërsa tani gjen një më të zgjuar dhe me të lexuar se vetja.
Ta duash apo mos ta duash Ramën – kjo është në dëshirën dhe perceptimin e secilit. Të ngjallësh ndasinë mes liderëve, si një mallkim i bartur, është më shumë se kaq.
Nuk më intereson më tej. Ajo që më intereson qëndron tek Albin Kurti, që do të jetë shefi i ri i qeverisë së Kosovës dhe që, si ka shpallur dikur me pasion e pa u lodhur, Shqipëria është ëndrra e tij. Shtetet nuk marrin formësimin e tyre përmes zemërimit apo mërive kryeministrore, por përmes vizionit dhe perceptimit real të gjendjes dhe daljes nga ajo. Nëse do të shkojë pas “këshillave” të buzhalistëve, shpejt do e ndjejë gabimin dhe do e kuptojë se rruga ishte theqfje. Në mos tjetër, le t’i sherbejë eksperienca e Thaçit, që i thirri dikur në ndihmë, duke e nxjerrë shejtanin nga shishja dhe, kur deshi të mbyllë tapën e saj, ata desh e futën vetë atë në shishe. Dhurata që i bën tash sa ditë Buzhala qeverisë së re dhe shefit të qeverisë Kurti është më shumë vazhdimi i luftës ndaj Thaçit, përmes emrave të rinj. Kurti është aq i mençur sa të kuptojë se kjo që i afrohet nuk është gruri i bukës së ardhshme, por gjëra e ndarjeve të vazhdueshme. Albin, ruaju nga buzhalët, kur të bëjnë dhurata!