Në Gjermani, Holandë dhe Belgjike janë tërhequr miliona vezë nga dyqanet dhe magazinat pasi u zbulua se përmbajnë nivele të larta të një insekticidi toksik të ndaluar nga përdorimi në prodhimin e ushqimit për konsum njerëzor, raporton gazeta britanike The Guardian.
Është nisur sot një hetim penal për të zbuluar shkallën e problemit, ndërkohë që rreth 180 ferma në Holandë janë mbyllur përkohësisht. Rreth një milion vezë të destinuara për në Gjermani u kthyen nga kufiri me Holandën këtë javë.
Sipas rezultateve të analizave që u janë bërë vezëve rezultuan nivele të larta të insekticidit fipronil, një përbërës i zakonshëm në produktet veterinare për të hequr qafe pleshtat dhe morrat, por i cili ndalohet të përdoret për të trajtuar kafshët dhe shpendët e destinuara për konsum njerëzor.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rrezikshmëria është shumë e lartë dhe substanca shumë toksike mund të dëmtojë mëlçinë, gjëndrat tiroide dhe veshkat.